Bashkia Sarandë “Big Brother”. Kryetari “peng” i paaftësisë së strukturës lokale

992
Sigal

Në hyrjen e institucionit të Bashkisë Sarandë është ngjitur një njoftim për qytetarët, ata informohen se ambientet e bashkisë dhe hyrja janë nën monitorim me kamera. Nga njoftimet për publikun janë hequr oraret e takimit me kryetarin e bashkisë dhe kanë mbetur vetëm ato me drejtorët e departamenteve. Qytetarët ndihen në çoroditje, pasi e dinë mirë se çdo gjë aty kalon nga zyra e Kryebashkiakut, madje, edhe kujt do t’i firmoset dhe kujt jo kontrata e punës, kush do të futet në punë dhe kush nuk do marr ndihmën ekonomike nëse nuk është militant i njohur nga nënkryetarja Rajmonda Gjoni. Koha e vendosjes së kamerave përkoi me shpërthimin e eksplozivit nën makinën e ing. Haxhi Musai, duke rritur komentet se, edhe kryetari Çipa ka frikë. Stefan Çipa merr koston e gjithë apatisë që sundon institucionin që ai po drejton. Nga nëpunësit vendosja e kamerave është komentuar si mënyrë e mirë që kryetari të shoh realitetin e punonjësve se për një muaj që ai ishte në Amerikë, thashethemet i shkonin me e-mail-e në 3 mënyra të ndryshme për të njëjtën gjë, deri të mungesat e “x” apo “y”-it. Realisht vendosja e kamerave ka shkelur ligjin dhe qëllimin e sigurisë që ato të vendosen vetëm në mjediset hyrëse dhe të monitorohen nga polici në dezhurn, si dhe regjistrimi i tyre nuk duhet të përdoret për presion të përditshëm ndaj punonjësve. Gjithashtu ato duhet që pas 2 muajsh eliminohet nëse nuk ka pasur probleme gjatë kësaj periudhe. Sistemi i kamerave të vendosura në bashki e çon sinjalin e derës hyrëse, të korridoreve dhe zyrës së informacionit direkt te zyra e kryetarit. Vizitorët e rastësishëm në zyrën e tij shohin herë pas herë ekranin e lëvizshëm, kryetari monitoron administratën. E drejtë e titullarit si e përdor kohën e tij si “kryeshërbëtor i qytetarëve”. Pavarësisht retushimit të imazhit në disa nga mediat kombëtare, të cilat ai i financon me fondin e reklamës turistike pas orientimit që i bën i gjithë gjenduri “Online” me redaktorë të Tiranës, zëbërësi – zëdhënës Thoma Nika, rrogëtari i çdo bashkiaku, pavarësisht mungesës së emrit nëpunës civil, ai është drejtues i vet-zgjedhur i Unionit të Gazetarëve. Si institucion Bashkia Sarandë ka patur vetëm dy komunikata për shtyp, rëndom dalin artikujt e Thomait si ndihmë për kolegët. Ka kohë që kryetari i bashkisë del para kamerave të thotë atë që do dhe jo  ç’duan qytetarët të dinë. Ndërsa pjesëtimi i fondeve nën shifrën e detyruar për tenderim 4 milionë e 800, hedh dyshime mbi përqindjen e nxjerrë në rrugë joligjore për shumë nga ato investime të miratuara nga Këshilli Bashkiak, këtu qytetarët kujtojnë me humor grindjen mes kryetarit dhe nënkryetares, jo për moral, por për përqindjen e fondit të dhënë nga një investitor për pemët dekorative, apo kalimi i lekëve firmave që shërbejnë me shumë vonesë, duke lënë të hapur ngritjen e dyshimit në mungesë të transparencës.

Skandali i radhës

Skandali i radhës me nxjerrjen çdo vit jashtë funksionit të të njëjtave objekteve si kompjutera apo kondicionerë të rinj, që dalin jashtë përdorimit vetëm në letra si shifra se si gjendje humbën dhe për komisionin e ngritur nga këshilltarët e majtë për të parë sa realisht këto objekte 100 milionë lekë duheshin nxjerrë vërtet jashtë përdorimit, kur vlera 100 milionë vështirë se shënohet nga gjithë objektet në punë që ka Bashkia e Sarandës, shto dhe sistemin e kamerave që e ka nxjerrë jashtë loje si sistemin e thashethemeve dhe kontrolleve në emër të kryetarit, por edhe punën e policisë bashkiake që së paku rojën e derës së kryetarit e kryejnë me shumë përkushtim, pasi në rast të kundërt humbasin punën. Morali i qeverisjes lokale, është morali që mbizotëron sot funksionin e Bashkisë Sarandë. E krahasuar me simotrat në Vlorë, Berat e Gjirokastër, buxheti faktik i Bashkisë Sarandë tregon se është një bashki e pagave të administratës dhe jo një administratë që administron investimet. Një nga ekonomistët e hershëm të bashkisë pranon se kjo është koha më e keqe për fryrjen e administratës si numër. Përveç faktit që 25 ish-punonjës të pushuar nga kryetari kanë fituar gjyqet dhe tani zyra e Përmbarimit duhet t’u kthej atyre si fillim pagat dëmshpërblim. Rëndimi i buxhetit të Bashkisë Sarandë me pagat shënoi për vitin 2012 një absurditet ekonomik, nga 528 milionë lekë buxheti i miratuar, u përdorën vetëm 348 milionë, ku 117 për pagat, 140 për shërbime operative dhe 75 milionë për investime. Merren lekët dhe bëhen paga dhe nuk kthehen si investime përmes shërbimeve ndaj qytetarit.

Paradoksi

Vendosja e kamerave në një bashki të vogël si numër popullsie, por të pasur si sasi vende pune në administratë, ndërkohë që, aty shërbimin e kryejnë policë bashkiakë duke dubluar njëri- tjetrin. Është njëlloj sikur në një kryqëzim që ka semaforë të vendosësh edhe punonjës të Qarkullimit Rrugor të shërbejnë paralelisht me semaforin. Ndoshta këtë herë “Big Brother” në Bashkinë Sarandë  do shmang revoltën e qytetarëve të thjeshtë kur nuk arrijnë të ankohen të kryetari për mungesën e shërbimeve, por nuk do shmang dot auditimin e këshilltarëve për blerjet e reja nëse janë bërë si dhe kontrollin e verifikimin e faturave të blerjes dhe garancinë e tyre. Nën sloganin “Të bëhemi bashkë për fitoren e 23 Qershorit” , bashkiakët në Sarandë po përpiqen të kapërcejnë transparencën lokale, po zhurmojnë për të larguar nga puna disa nga punonjësit pa mbështetje politike, për të punësuar militantët e rinj. Keqpërdorimi i autoritetit të Kryetarit të Bashkisë, Stefan Çipa, duke sugjeruar armiqtë e rinj të medias, duke përcjellë letra anonime apo akuza fyese për këshilltarët opozitarë, duke u rrekur të shtojë vende pune, ku të mundi me 3 magazinierë në një bashki, roje e vëzhgues, mjafton të punësohen njerëzit që nesër japin votën. Mbyllja e Kryetarit me kamera, prek jo vetëm të drejtat e njeriut duke vendosur nën diskriminim nëpunësit dhe presion të hapur qytetarët.

KLSH të nis urgjent kontrollet

Stefan Çipa, pavarësisht përpjekjeve babaxhane të mikpritësit të delegacioneve të huaja pa praninë e këshilltarëve apo akademikëve të qytetit, po rrezikon të mbyllet në kullën e teknologjisë, ku kasneci i bindur që shkruan fjalimet dhe letrat nuk mbjell vetëm fjalë po edhe imazh të dështakut. Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet urgjentisht të fillojë investigimet për të vërtetuar realitetin e kësaj situate. Po kështu edhe Ministria që mbulon pushtetin lokal duhet të investigojë bashkë me Prefektin dhe Nënprefektin, dhënien e lejeve për kioska dhe nëse ato janë dhënë pa u miratuar plani urbanistik i qytetit në Këshillin Kombëtar të Rregullimit të republikës ligji dhe prokuroria të mos tolerojnë askënd që me ndërgjegje kanë abuzuar dhe shpërdoruar detyrën