Dr. Agim Nesho: Gjendja reale e funksionimit të demokracisë në Shqipëri është jashtë standardeve evropiane

315
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

-Zoti Nesho, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës paraqiti raportin e vëzhguesve të saj për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri. Sipas jush, a pasqyron ky raport realitetin? Sipas jush, pse ka 2 realitete midis raportit të Asamblesë Parlamentare të KiE dhe denoncimeve të Opozitës Shqiptare që bën fjalë për masakër zgjedhore në 25 prill?

– Asambleja e Këshillit të Evropës paraqiti raportin për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021 në Shqipëri. Ky raport shpreh në mënyrë të përgjithshme gjetjet dhe vlerësimet e anëtarëve të delegacionit, gjatë vëzhgimit të tyre të shkurtër në Shqipëri. Sigurisht, raporte të tilla janë konstatues dhe paraqiten ato dukuri që vëzhguesit gjejnë për ditën e votimit dhe respektimin e kuadrit ligjor. Ata sigurisht mbështeten në raportet e OSBE-ODHIR-it dhe takimet që kanë kryer. Sigurisht ky raport, nuk paraqet realitetin që në Shqipëri përjetuam, para dhe gjatë zgjedhjeve. Fakte të shumtë të paraqitur nga shumë subjekte zgjedhorë, tregojnë që masakra zgjedhore ishte një proces i mirëmenduar përpara nga mazhoranca, e cila vuri në lëvizje një makineri të tërë shtetërore, presion ndaj administratës civile, vjedhje të votave dhe nxjerrjen e tyre të pavlefshme, etj. Këto fakte janë denoncuar nga Opozita e Bashkuar, por institucionet zgjedhore dhe organet e drejtësisë të një shteti, ku mungojnë balancat e pushtetit, nuk kanë mbështetur faktet e denoncuara. Vetë opozita ka qenë shumë e matur dhe institucionale, duke pritur vendimet e institucioneve përkatëse. Opinioni publik ndërkombëtar është shumë inert në përcaktimin e situatës, me përjashtim të ngjarjeve, kur ka reagim ose revoltë të opinionit publik vendas.

“Qenia vetëm e përfaqësuesve të mazhorancës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe prezenca dhe lobimi i tyre bëjnë që edhe raporti të mos ketë një drejtpeshim të nevojshëm”

“Pavarësisht raporteve të tilla, që vetëm sa prekin fenomenet negative pa ndaluar në to, gjendja reale e funksionimit të demokracisë në Shqipëri është jashtë standardeve evropiane”

– A mendoni se Këshilli i Evropës është pragmatist, sa të pranojë edhe standarde të tilla zgjedhore, si në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri, ku qeveria përdori pushtetin, burimet shtetërore, në shërbim të votës për partinë në pushtet,  shkeli të drejtat e njeriut me vjedhjen dhe përdorimin e të dhënave personale të shqiptarëve nga patronazhistët, etj.?

– Nuk mendoj që Asambleja e Këshillit të Evropës është e prirur të mbajë qëndrime pragmatiste, se nuk është institucion i përfshirë në politikën e ditës. Ajo është një asamble e delegacioneve parlamentare të të gjitha vendeve anëtare në Këshillin e Evropës. Kur diskutohen raporte të tillë, është shumë i rëndësishëm diskutimi në Asamble dhe qëndrimet e kundërta nga anëtarët e delegacionit pluralist. Në rastin e Shqipërisë, opozita reale është jashtë parlamentit dhe ajo është e papërfaqësuar në Asamble. Ky moment është shumë i rëndësishëm për të dhënë një pasqyrë më të qartë të situatës dhe, për të bërë vërejtjet ndaj raportit. Qënia vetëm e përfaqësuesve të mazhorancës, dhe prezenca dhe lobimi i tyre, bëjnë që edhe raporti të mos ketë një drejtpeshim të nevojshëm. Pavarësisht raporteve të tilla, që vetëm sa prekin fenomenet negative, pa ndaluar në to, gjendja reale e funksionimit të demokracisë në Shqipëri është jashtë standardeve evropiane. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe legjitimimi i institucioneve janë dy shtyllat kryesore të një shteti demokratik. Në qoftë se këto mungojnë dhe opinioni publik shqiptar mendon se këto dy shtylla janë të deformuara, asnjë raport ndërkombëtar, nuk mund të legjitimojë këtë situatë. Problemet e Shqipërisë mbeten të hapura.