Raporti i Asamblesë Parlamentare të KiE nuk paraqet realitetin që në Shqipëri përjetuam para dhe gjatë zgjedhjeve

326
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Forumi në “Telegraf”/ Flasin Dr. Agim Nesho, Klajda Gjosha dhe Prof. Elmaz Sherifi

Pardje, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, paraqiti raportin për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri. Çuditërisht, ky raport i PACE, paraqet një realitet të ndryshëm nga ajo që përjetuan shqiptarët në 25 prill dhe nga kallzimet e krimeve elektorale që ka depozituar Opozita në KAS dhe në organet e prokurorisë. Ish- ambasadori Dr. Agim Nesho, pohon në “Telegraf” se, ky raport i PACE është hartuar në prezencën vetëm të mazhorancës, për shkak se opozita nuk ka qenë në Parlament, ndaj lobimi i tyre bën që në raport të mos ketë një drejtpeshim. Sigurisht ky raport nuk paraqet realitetin që në Shqipëri përjetuam para dhe gjatë zgjedhjeve. Ish- ministrja e Integrimit Klajda Gjosha thotë për “Telegraf” se, këto raporte të ndërkombëtarëve ruajnë edhe balancat midis opozitës dhe mazhorancës. Këto institucione ndërkombëtare nuk mund të kuptojnë dot mentalitetin shqiptar të implementimit të zgjedhjeve, pasi realisht zgjedhjet blihen gjatë orëve të natës. Prof. Elmaz Sherifi, pohon për “Telegraf” se, shqiptarët nuk mund të presin zgjidhjen e shqetësimeve të tyre për vjedhjen e zgjedhjeve nga ndërkombëtarët, pasi shtetet e BE-së vlerësojnë më shumë “stabilitetin”, sesa standardet e zgjedhjeve dhe të qeverisjes së mirë.

Flasin për ‘telegraf.al’ :

Dr. Agim Nesho, ish- ambasador i SHBA: Gjendja reale e funksionimit të demokracisë në Shqipëri është jashtë standardeve evropiane

-Zoti Nesho, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës paraqiti raportin e vëzhguesve të saj për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri. Sipas jush, a pasqyron ky raport realitetin? Sipas jush, pse ka 2 realitete midis raportit të Asamblesë Parlamentare të KiE dhe denoncimeve të Opozitës Shqiptare që bën fjalë për masakër zgjedhore në 25 prill?

– Asambleja e Këshillit të Evropës paraqiti raportin për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021 në Shqipëri. Ky raport shpreh në mënyrë të përgjithshme gjetjet dhe vlerësimet e anëtarëve të delegacionit, gjatë vëzhgimit të tyre të shkurtër në Shqipëri. Sigurisht, raporte të tilla janë konstatues dhe paraqiten ato dukuri që vëzhguesit gjejnë për ditën e votimit dhe respektimin e kuadrit ligjor. Ata sigurisht mbështeten në raportet e OSBE-ODHIR-it dhe takimet që kanë kryer. Sigurisht ky raport, nuk paraqet realitetin që në Shqipëri përjetuam, para dhe gjatë zgjedhjeve. Fakte të shumtë të paraqitur nga shumë subjekte zgjedhorë, tregojnë që masakra zgjedhore ishte një proces i mirëmenduar përpara nga mazhoranca, e cila vuri në lëvizje një makineri të tërë shtetërore, presion ndaj administratës civile, vjedhje të votave dhe nxjerrjen e tyre të pavlefshme, etj. Këto fakte janë denoncuar nga Opozita e Bashkuar, por institucionet zgjedhore dhe organet e drejtësisë të një shteti, ku mungojnë balancat e pushtetit, nuk kanë mbështetur faktet e denoncuara. Vetë opozita ka qenë shumë e matur dhe institucionale, duke pritur vendimet e institucioneve përkatëse. Opinioni publik ndërkombëtar është shumë inert në përcaktimin e situatës, me përjashtim të ngjarjeve, kur ka reagim ose revoltë të opinionit publik vendas.

– A mendoni se Këshilli i Evropës është pragmatist, sa të pranojë edhe standarde të tilla zgjedhore, si në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri, ku qeveria përdori pushtetin, burimet shtetërore, në shërbim të votës për partinë në pushtet,  shkeli të drejtat e njeriut me vjedhjen dhe përdorimin e të dhënave personale të shqiptarëve nga patronazhistët, etj.?

– Nuk mendoj që Asambleja e Këshillit të Evropës është e prirur të mbajë qëndrime pragmatiste, se nuk është institucion i përfshirë në politikën e ditës. Ajo është një asamble e delegacioneve parlamentare të të gjitha vendeve anëtare në Këshillin e Evropës. Kur diskutohen raporte të tillë, është shumë i rëndësishëm diskutimi në Asamble dhe qëndrimet e kundërta nga anëtarët e delegacionit pluralist. Në rastin e Shqipërisë, opozita reale është jashtë parlamentit dhe ajo është e papërfaqësuar në Asamble. Ky moment është shumë i rëndësishëm për të dhënë një pasqyrë më të qartë të situatës dhe, për të bërë vërejtjet ndaj raportit. Qënia vetëm e përfaqësuesve të mazhorancës, dhe prezenca dhe lobimi i tyre, bëjnë që edhe raporti të mos ketë një drejtpeshim të nevojshëm. Pavarësisht raporteve të tilla, që vetëm sa prekin fenomenet negative, pa ndaluar në to, gjendja reale e funksionimit të demokracisë në Shqipëri është jashtë standardeve evropiane. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe legjitimimi i institucioneve janë dy shtyllat kryesore të një shteti demokratik. Në qoftë se këto mungojnë dhe opinioni publik shqiptar mendon se këto dy shtylla janë të deformuara, asnjë raport ndërkombëtar, nuk mund të legjitimojë këtë situatë. Problemet e Shqipërisë mbeten të hapura.

Klajda Gjosha, ish- ministre e Integrimit: Institucionet ndërkombëtare në raportet e tyre për zgjedhjet, detyrohen të ruajnë edhe balancat mes palëve

-Zonja Gjosha, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, paraqiti raportin e vëzhguesve të saj, për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri. Sipas jush, a pasqyron ky raport realitetin?

– Raporti i KiE mundohet të pasqyrojë realitetin, duke prekur disa nga problemet thelbësore të zgjedhjeve në Shqipëri, siç janë blerja e votës dhe presioni ndaj zgjedhësve. Ajo ç’ka është e vështirë të kuptohet nga instancat ndërkombëtare, është mekanzimi i përdorur për t’i arritur ato. Duhet të jesh shumë brenda mentalitetit shqiptar të implementimit të zgjedhjeve, që të kuptosh realisht se, zgjedhjet blihen gjatë orëve të natës, pak ditë para shkuarjes drejt kutive të votimit, apo përdorimi i patronazhistëve për të skanuar problemet e qytetarëve dhe për t’i shantazhuar ata se, nëse nuk japin votën, mund të mos gjejnë kurrë zgjidhje. Përdorimi i pushtetit, financave publike, institucioneve shtetërore, shfrytëzimi i statusit të nënpunësve civilë për të qënë ushtarë të partisë në pushtet dhe mbi të gjitha, kultura e krijuar si nga politika, ashtu edhe nga qytetarët, se momenti i zgjedhjeve është momenti i shfrytëzimit për të zgjidhur interesat personale, janë fatkeqësia më e madhe që mund t’i ndodhë një shteti dhe demokracisë!

Sipas jush, pse ka 2 realitete midis raportit të Asamblesë Parlamentare të KiE dhe denoncimeve të Opozitës Shqiptare që bën fjalë për masakër zgjedhore në 25 prill?

– Besoj që thelbi i çështjes mbetet i njëjtë, por është normale, që opozita e ndodhur gjatë gjithë kohës në terren dhe nën presion të drejtëpërdrejtë nga mazhoranca të ketë fakte, denoncime, por edhe një qëndrim më radikal ndaj mënyrës se si u zhvilluan zgjedhjet. Kushdo, që ka qenë pjesë e terrenit, këtë fushatë nuk e fsheh dot masakrën elektorale të këtyre zgjedhjeve. Instancat ndërkombëtare janë gjithmonë më të moderuara dhe shpeshherë të detyruara të ruajnë edhe balancat mes palëve, duke pritur më shumë të flasë drejtësia shqiptare, se sa ato vetë!

– A mendoni se Këshilli i Evropës është pragmatist, sa të pranojë edhe standarde të tilla zgjedhore, si në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri, ku qeveria përdori pushtetin, burimet shtetërore, në shërbim të votës për partinë në pushtet, shkeli të drejtat e njeriut me vjedhjen dhe përdorimin e të dhënave personale të shqiptarëve nga patronazhistët, etj.?

– Nuk mendoj se vendimi i tyre ka të bëjë me pranimin e standardeve zgjedhore, pasi problematikat janë të renditura më së miri. Problemi më i madh sot, është diskutimi mes  ruajtjes së stabilokracisë dhe zhvillimi i demokracisë në mënyrë paralele. Derisa të kuptohet qartë nga instancat ndërkombëtare se, në kulturën shqiptare, është e pamundur t’i kemi të dyja paralelisht, do jetë një çështje që do të krijojë probleme për regjimin që po instalohet në vend!

Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish- ministër i PS-së: Shqiptarët nuk mund ta presin demokracinë si dhuratë nga ndërkombëtarët

– Prof. Sherifi, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës paraqiti raportin e vëzhguesve të saj për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri. Sipas jush, a pasqyron ky raport realitetin?

– Zgjedhjet në Shqipëri u monitoruan nga disa institucione ndërkombëtare. Raportet e OSBE-ODIHR dhe  Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, kanë peshë të veçantë për të gjykuar, se sa dhe si u plotësuan standardet, që ka vendosur vetë Këshilli i Evropës, në Kopenhagë, 28 vjet më parë, në qershor 1993. Standardet konsiderohen si plotësim i kushteve nga vendet që pretendojnë të bëhen institucionalisht pjesë e BE-së. Në ruajtjen dhe perfeksionimin e qeverisjes demokratike, zgjedhjet e lira konsiderohen kushti më themelor. Deri tani kemi raportin paraprak të OSBE-ODIHR-it dhe atë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Sipas gjykimit tim, raportet kanë vetëm vlerë protokollare arkivore, përderisa SHBA dhe drejtues të lartë të insticioneve të BE-së e uruan kryeministrin Rama për fitoren e mandatit të tretë. Shqiptarët e dinë shumë mirë se zgjedhjet u zhvilluan me një legjislacion të miratuar vetëm nga mazhoranca dhe institucione që u krijuan vetëm nga ajo. Kjo më duket më reale, se sa raportet mbi zgjedhjet.

– Sipas jush, pse ka 2 realitete midis raportit të Asamblesë Parlamentare të KiE dhe denoncimeve të Opozitës Shqiptare që bën fjalë për masakër zgjedhore në 25 prill?

-Opozita bëri shumë denoncime dhe të gjitha u rrezuan nga institucionet, që administruan procesin zgjedhor, si edhe nga institucionet që kanë kompetencë të shqyrtojnë, si Gjykatë, ankesat ndaj vendimeve të administratës zgjedhore. Shqipëria është shumë larg standardeve të zgjedhjeve të lira, të barabarta e të drejta. Nëse shqiptarët dhe opozita, do t’a presin zgjidhjen e shqetësimeve reale, nga raportet e institucioneve ndërkombëtare, rruga drejt “drejtësisë së kulluar”, ka për të mbetur një ëndërr e parealizuar.

A mendoni se Këshilli i Europës është pragmatist, sa të pranojë edhe standarde të tilla zgjedhore, si në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri, ku qeveria përdori pushtetin, burimet shtetërore, në shërbim të votës për partinë në pushtet,   shkeli të drejtat e njeriut me vjedhjen dhe përdorimin e të dhënave personale të shqiptarëve nga patronazhistët, etj.?

– Institucionet ndërkombëtare si BE, Këshilli i Evropës, apo Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, me vendimet e tyre kontradiktore, po e “zbehin” gjithnjë e më shumë “portretin e tyre demokratik”, jo vetëm te shqiptarët. Le të bëjmë një pyetje për vendimin që Këshilli i Ministrave mori në Luksemburg, për të mos caktuar një datë për Konferencën Ndërqeveritare për fillimin e negociatave. Shqiptarët besoj nuk e kanë harruar ceremoninë e zhvilluar në Tiranë, hapjen e shampanjës, dhe vendosjen e dekoratave në qafë të drejtuesve më të lartë të BE-së, me pretendimin se negociatat u “hapën”, që në 2019. Më 2020-ën u propagandua se negociatat do të hapeshin për Maqedoninë e Veriut, por jo për Shqipërinë. Ndërsa më 2021, negociatat mund të hapeshin për Shqipërinë, por jo për Maqedoninë e Veriut! Kjo është Evropa e Bashkuar, modeli nga duhet të frymëzohemi. Le ta themi pa ndrojtje. Të gjitha vendet nga pretendojmë të marrim modelet, i kanë përkeqësuar standardet e qeverisjes së mirë, në vendet e tyre. A nuk ishin ndihmës sekretarët e Shtetit të Departamentit Amerikan të Shtetit që inkurajuan qeverinë për të zhvilluar zgjedhjet për vetëqeverisjen vendore, pa opozitën? A nuk e vendosen institucionet e BE-së, si një nga kushtet për organizimin e Konferencës Ndërqeveritare, vërtetimin e legjitimitetit të zgjedhjeve për vetëqeverisjen vendore? Pra, përse ka optika e qëndrime të ndryshme për të njëjtën çështje, nga SHBA dhe BE? Besoj se po kuptohet nga ata që aspirojnë për shtetin e së drejtës dhe për garantimin e elementit më të qenësishëm të demokracisë funksionale që mundësohet me  zgjedhje të lira e demokratike parlamentare, se për Ballkanin Perëndimor, këto shtete vlerësojnë më shumë “stabilitetin”, se sa standardet e qeverisjes së mirë. Mendoj se është kjo arsyeja madhore që ato “nuk shikojnë” dhe as nuk paraqesin në raportet e tyre monitoruese, deformimet e mëdha të cituara në pyetjen tuaj. Si “rrugë zgjedhje”, nuk duhet konsideruar “dorëzimi” para fakteve të kryera, por mospajtimi me to, dhe rritja e vendosmërisë për të mbërritur tek e vërteta e drejtë, me rrugë kushtetuese e institucionale. Ajo që sot duket “kala e pathyeshme”, mund të rrëzohet nga pesha e saj e stërmadhuar, dhe ato elemente që  nuk vlerësohen e konsiderohen pa “asnjë peshë”, nga ata që janë “dehur nga pushteti” dhe i ka kapluar, mendjemadhësia, vetësiguria dhe mendësia autoritare e qeverisjes.

Raporti i Asamblesë Parlamentare të KiE për 25 prillin: Zgjedhjet u karakterizuan nga një fushatë e gjallë dhe gjithëpërfshirëse

Zgjedhjet e Shqipërisë panë fushata gjithëpërfshirëse dhe administratë të përmirësuar, por keqpërdorimi i burimeve shtetërore ishte shqetësues, thonë vëzhguesit ndërkombëtarë. Zgjedhjet parlamentare shqiptare u karakterizuan nga një fushatë e gjallë dhe gjithëpërfshirëse, falë një kuadri ligjor që ndihmoi në sigurimin e respektimit të lirive themelore. Në të njëjtën kohë, fushata pa autoritetet të përfitonin nga zyra publike dhe akuzat për blerjen e përhapur të votës, thanë vëzhguesit ndërkombëtarë. Delegacioni i Asamblesë, shprehu shqetësimin e tij në lidhje me pretendimet për blerjen e votave nga partitë politike, të cilat ishin të përhapura gjatë fushatës. Ai vuri në dukje se një numër hetimesh u hapën për këtë çështje. Prandaj, delegacioni i Asamblesë pret që autoritetet përkatëse shqiptare, të marrin masat e duhura, rastet të hetohen dhe të ketë informacione për rezultatet në kohën e duhur”. Misioni i përbashkët i vëzhgimit nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), Asambleja Parlamentare e OSBE-së (OSBE-ja e OSBE-së) dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE), zbuloi se përkundër disa paqartësive dhe mospërputhjeve, korniza ligjore formon një bazë të përshtatshme për zgjedhjet demokratike. Ndryshimet e fundit në kornizën ligjore ofruan masa shtesë mbrojtëse dhe bazoheshin në një konsensus të gjerë politik. Administrata e re zgjedhore u përball mirë me detyrat e reja të gjera që kishte marrë përsipër dhe gëzonte besimin e përgjithshëm.