Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Lermë të shtrij rrënjët tek ty!

601
Sigal

Lermë të shtrij rrënjët në gjak, si hardhia në ujë,
t’më shpërthejnë bisqe nëpër gjinj e gjunjë,
nëpër degë të kullojë fruti, pjekur nga zjarrmia,
gjithë pasion të zbresësh, mbi hiret e mia.

Mos prish gjethet mishtore, teksa heq fustanin,
gonxhen e afshtë thithe, pa rrëzuar nektarin,
thëngjill përvëlues,nëse rrëshqet mbi lëkurë,
mos u bëj furtunë,që merr me vete zaje e gurë!

Teksa shkon e vjen nëpër hire, si vetëtima,
lulet nën gushë, mos i shtyp me psherëtima,
mos më krahaso në dashuri, me asnjë tjetër grua,
shtyllë torture, mos më bëj, për qejfet e tua!

Se martesa është e shenjtë dhe shtrati martesor,
po u vyshk dashuria, bie kambana e funeralit mortor,
pas saj vyshken gjithë bisqet e çelura në lëkurë,
planeti pjellor i gruas, nuk lind krijesa kurrë.

Lërmë të shtrij rrënjët në gjak, si hardhia në ujë,
t’më shpërthejnë bisqe nëpër gjinj e gjunjë,
më mbaj në shpirtin tënd, si të vetmen grua,
që ngroh me diell dhe dashuri qelizat e tua!