Kur dasma zgjat shumë, edhe dasmorët fillojnë të largohen… Nga duartrokitjet e mëdha te zbehja e muzikës: çdo pushtet e ka një çast kur duhet të përballet me pyetjen e qytetarëve: Çfarë mbeti pas gjithë kësaj feste? Nuk është fjala për “Dasmën e Sakos”, komedinë e njohur, dhe as për ndonjë dasmë tjetër të zakonshme. Bëhet fjalë për një dasmë shumë më të rëndësishme, madje për një dasmë qeveritare, të cilën prej vitesh e kemi “pagëzuar” me emrin: “Dasma e Rilindjes”.
Për më shumë se një dekadë, kjo dasmë vazhdoi me shumë zhurmë, drita dhe dekor. Kishte muzikë, madje me zë të lartë. Kishte duartrokitje dhe gjithmonë një skenë ku përsëritej e njëjta këngë: sukseset e mëdha, ndryshimet historike dhe premtimi se festa sapo kishte filluar.
Në këtë dasmë politike kishte nga ata që zunë vendet më të mira në tavolinë. Disa ishin gjithmonë pranë orkestrës, disa pranë mikrofonit, ndërsa disa të tjerë prisnin me durim të merrnin pjesën e tyre nga gostia. Por çdo dasmë, sado e madhe të jetë dhe sado të zgjasë përtej darkës apo edhe mesnatës, e ka një mëngjes pas saj. Pra, e ka edhe një mbyllje, një fund. Me kalimin e kohës, zhurma e muzikës nisi të mos mbulonte më gjithçka. Disa nga të ftuarit filluan të pyesnin nëse festa ishte vërtet për të gjithë apo vetëm për një rreth të ngushtë. Ata që prisnin të uleshin në tavolinë mbetën shpesh në këmbë, duke parë nga larg sofrën e pushtetit. Sepse një dasmë ku disa kërcejnë pa pushim, ndërsa të tjerët mbajnë faturën, nuk mund të zgjasë pafund. Sot, pas shumë vitesh qeverisjeje, pyetjet janë shtuar. Qytetarët kërkojnë të dinë jo vetëm për dekorin e festës, por edhe për atë që mbeti pas saj: A u përmirësua jeta e tyre? A u dëgjuan shqetësimet e tyre? A u mbajtën premtimet e bëra në fillim të kësaj “dasme”? Propaganda mund të krijojë atmosferë për një kohë, por realiteti i përditshëm është një mysafir që nuk mund të përjashtohet nga lista. Dikur thuhej se kjo festë do të vazhdonte gjatë. Por edhe dasmat më të mëdha e kanë këngën e fundit. Orkestra lodhet, dritat fiken dhe vjen momenti kur bëhet bilanci i gostisë. Ndoshta tani ka ardhur koha për atë pyetje që çdo dasmor e bën në fund të një feste të gjatë: Çfarë fituam dhe çfarë lamë pas? Sepse pushteti nuk është një dasmë private ku disa janë gjithmonë në tavolinën kryesore, ndërsa të tjerët shohin nga dera. Në demokraci, qytetarët janë ata që vendosin kur fillon festa, por edhe kur muzika duhet të ndalet. Dhe çdo “dasëm” politike, sado madhështore të duket, një ditë përballet me fundin e saj. Prandaj edhe “Kryetari i dasmës” duhet të tregohet i kujdesshëm. Duhet ta kontrollojë e ta monitorojë vetë situatën dhe të kuptojë kur ka ardhur koha për ta ulur muzikën. Sepse, nëse dasma ka zgjatur mjaftueshëm dhe dasmorët janë kënaqur, është më mirë që muzika të ndalet me kohë. Përndryshe, nëse festa zgjatet përtej çdo limiti, ndodh ajo që ndodh në çdo dasmë: dasmorët fillojnë të mërziten, shikojnë orën, ngrihen nga tavolina dhe largohen njëri pas tjetrit. Dhe atëherë nuk ka më nevojë që dikush t’u thotë se dasma ka mbaruar. E kuptojnë vetë. Sepse, në fund të çdo dasme, mbetet vetëm bilanci: kush festoi, kush pagoi dhe çfarë mbeti pas festës.






















