Sindikata: Policët të diskriminuar nga proceset burokrate, rreth 300 punonjës gati të dorëzojnë uniformat

Limiti i moshës deri në 30 vjeç për të aplikuar për Akademinë e Sigurisë cilësohet diskriminues . Ky detaj ka shqetësuar Sindikatën e Policisë së Shtetit nën drejtimin e Sadetin Fishtës, ndaj dhe i janë drejtuar Kuvendit dhe institucioneve përkatëse. Ky është i disati vit që aplikantët për shkollën bazë të policisë janë me kriter të përcaktuar moshe, ndërsa më herët një kriter i tillë nuk ka ekzistuar.

Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit, duke marrë shkas nga qindra ankesa të depozituara së fundmi nga punonjësit e nivelit zbatues në terren, ngre alarmin mbi një situatë të paprecedentë dhe diskriminuese që po shkatërron të ardhmen e atyre që garantojnë rendin dhe sigurinë publike çdo ditë.

Sigal

Së fundmi, një numër i madh punonjësish patrulle janë përjashtuar automatikisht nga e drejta për të aplikuar në Akademinë e Sigurisë për t’u graduar “Nënkomisar” (Oficer Policie), bazuar në barriera burokratike që nuk reflektojnë as meritokracinë, as realitetin operacional.

“U pranuam, përfunduam shkollën, bëmë vite punë në terren dhe tani na thonë se do të ‘vdesim policë’ sepse nuk kemi të drejtën të aplikojmë për gradë pasi jemi mbi 30 vjeç dhe nuk kemi mesataren e gjimnazit 6.5. Ndërkohë, individë nga jashtë me mastera të dyshimtë vijnë dhe na japin urdhra pa ditur as të shkruajnë rregullisht…”

Nga ankesa e një Inspektori Policie, 34 vjeç

Sindikata thekson se këto kritere janë jo vetëm joproduktive, por përbëjnë një shkelje të qartë të barazisë në mundësi dhe karrierë për arsyet e mëposhtme:

Diskriminimi përmes kriterit të moshës (Kufiri 30 Vjeç)

 

Një punonjës policie aktiv, në moshën 34-vjeçare, gjendet në kulmin e përgatitjes së tij psiko-fizike. Praktikat evropiane të të drejtave të njeriut sanksionojnë se maturimi, përvoja jetësore dhe aftësia për të menaxhuar konfliktet janë jetike për një oficer policie. Aftësitë fizike maten në mënyrë individuale përmes testimeve konkrete dhe jo përmes supozimeve diskriminuese të bazuara në vitin e lindjes. Përjashtimi i tyre vetëm për shkak të moshës është një shkelje flagrante e të drejtave dhe thellon rrezikun e diskriminimit strukturor.

Barriera absurde e mesatares 6.5 të gjimnazit

Ne e kuptojmë se Akademia e Sigurisë vepron si Institucion i Arsimit të Lartë dhe i nënshtrohet Ligjit për Arsimin e Lartë. Megjithatë, ashtu siç Qeveria ka përjashtuar me VKM Universitetin e Arteve dhe atë të Sporteve nga pragu i mesatares 6.5 (duke u bazuar tek aftësitë dhe talenti), i njëjti parim – ai i aftësive specifike policore, provimeve të kaluara me nota të shkëlqyera në kursin bazë dhe performancës në terren – duhet të aplikohet për punonjësit e policisë. Një notë e marrë në biologji apo kimi para 15 vitesh nuk mund të shkatërrojë karrierën e një polici të zotë sot.

Heqja e shkallëzimit të gradave në nivelin zbatues

Reduktimi i rolit bazë në vetëm një gradë ka bllokuar mundësinë për zhvillim financiar dhe rritje profesionale në terren. Historikisht, policët kishin shkallëzim gradash (Inspektor, Inspektor i Parë etj.), çka motivonte vjetërsinë në punë. Sot, një punonjës pa asnjë shans për shkollim (për shkak të mesatares) mbetet i “ngrirë” financiarisht dhe profesionalisht në të njëjtën pikë ku ka filluar, duke shkaktuar “burnout” dhe demotivim të thellë.

Kostoja për shtetin dhe taksapaguesit

Kjo politike e mbyllur po nxit largime masive. Çdo vit, mbi 300 punonjës braktisin radhët e Policisë së Shtetit pikërisht nga mungesa e perspektivës, duke çuar në dëm të pariparueshëm. Shteti shpenzon taksat e qytetarëve për të trajnuar këta punonjës, vetëm për t’i humbur ata pas disa vitesh për shkak të rregulloreve të ngurtësuara artificialisht.

KËRKESAT TONA URGJENTE

Përballë këtij realiteti, i drejtohemi Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Arsimit me këto kërkesa të panegociueshme:

Heqja e kufirit arbitrar të moshës 30 vjeç për aplikimet e punonjësve aktivë të Policisë së Shtetit drejt Akademisë së Sigurisë.

Ndryshime në VKM/Ligj për kriterin e mesatares: Aplikimi i një përjashtimi (njësoj si për artet dhe sportet) për punonjësit me mbi 3 vjet përvojë, duke e zëvendësuar mesataren 6.5 të gjimnazit me provime pranimi të brendshme dhe performancën operacionale.

Krijimi i programeve “Ura Kalimi”: Ofrimi i mundësive alternative kualifikuese që mundësojnë ngritjen në detyrë pa u penalizuar nga sistemi klasik i arsimit të lartë.

Rikthimi i shkallëzimit të gradave në nivelin zbatues për të garantuar rritje progresive të pagës dhe statusit për punonjësit që vendosin t’i dedikojnë jetën patrullimit.

Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit

“Vendosja e moshës 30 vjeç është shkelje e hapur e ligjit dhe kushtetutës, i hiqet një e drejtë një qytetari që të konkurojë edhe mbi moshën 30 vjeç.

Neni 1 i cili përcakton respektivisht, Respektimin e barazisë në lidhje me moshën.

Po kështu edhe neni 3 që ka përkufizimin që ca është diskriminimi. Bie ndesh këtij ligji që është në fuqi”.

Sipas kreut të kësaj sindikatë, është testimi me shkrim dhe aftësitë fizikë ato që mund të bëjnë më pas seleksionimet: “Janë kriteret. Testimet fizike janë ato që bëjnë edhe përzgjedhjen e aftësive fizike që i ka çdo individ për të konkuruar dhe për tu bërë pjesë e policisë së shtetit.

Po ta marrim moshën që është 35 vjeç, deri në moshën 65 vjeç, është një periudhë shumë e gjatë punë që mund të bëjë një qytetar, i cili konkurron dhe mund të fitojë edhe në moshën 35 vjeç”.

Sadetin Fishta shton se prurjet në moshë të re në policinë e shtetit janë pozitive, por ka ende punonjës policie me më shumë vite punë, që trajtohen financiarisht, njësoj me dike që sapo ka përfunduar akademinë e sigurisë

Riza Veipi

Bravo për iniciativën por është e pjesshme dhe jo gjithpërfshirëse për këtë kategori!

Konkretisht që nga ndryshimi i ligjit 108/2014 tek 82/2024 për herë të parë që programi bachelor është hapur për shtetasit me arsim të mesëm të lartë (Gjimnaz) pa hyrë në policinë e shtetit,si rol zbatues kanë qenë 100 kuota ndërsa nga brenda strukturës 50 kuota (për rolin zbatues) por këto kuota nuk u plotësuan nga roli zbatues pasi konkurimi kishte karakter kalueshmërie 70% për cdo etapë (provim) dhe jo të përgjthshëm dhe u kualifikuan vetëm 13 punonjës policie duke lënë 33 vende vakante për konkurentet nga gjimnazet. Në atë vit është vendosur kriter moshe 25 vjeç duke diskriminuar në mënyrë të drejtpërdrejt punonjësit e policisë të cilët kur kanë hyrë në këtë struktur me deytrimin për ti shërbyer vendit minimalisht 2 vite dhe më pas kishin të drejtën e ndjekjes së karrierës dhe konkurimin për të studiuar në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit në AS.

Vihet re se mosha maksimale për pranim në policinë e shtetit në rolin zbatues është 30 vjeç dhe me llogari 31 vjeç personi është graduar dhe emëruar pas trajnimit në Kolegjin Profesional.

Pra të gjithë u dogjën që nga mosha 26 vjeç e lartë,qofshin këta punonjës me eksperiencë dhe pa eksperienc,që këtu filloi diskriminimi dhe denigrimi i çunave gocave që kishin ëndërra për shërbimin nën uniformë.

Viti i dytë solli një ndryshim tjetër,u rrit mosha nga 25 në 30 vjeç por skishte më kategorizim kuotash,pra një punonjës policie i cili mund të ishte me vite pune eksperienc,me trajnime,kualifikime,rezultate të larta operative në terren do konkuronte njësoj si një gjimnazist 18 vjeç i sapodal nga bangat e shkollës. Përsëri punonjësit e policisë u diskriminuan,u denigruan e nuk u vlersuan për kontributin që i kishin dhënë strukturës e vendit. Dhe me një llogari të thjesht ai që ishte 29 vjeç kur ishte pranuar në policinë e shtetit,si ky 30 vjeç që sapo ishte emruar apo dhe mijra të tjerë që janë në kulmin e moshës mjaft të pjekur dhe të kualifikuar për ndjekien e shkollës dhe ecurinë në karrier nuk e gëzonin më këtë të drejtë.

Sivjet kriteri i moshës për të ndjekur studimet është 35 vjeç por përsëri është i pamjaftueshem dhe jo gjithpërfshirës sepse kushtet janë të njëjta,diskriminuese.

Por nuk mjafton me kaq,pas rregjistrimit në fakultet një tjetër nen diskriminues që ju si sindikat duhet të kishit propozuar për ndryshim në kuvend është pika 6 e nenit 73 të ligjit 82/2024 e cila i detyron punonjësit e policisë të japin dorëheqjen nga Policia e Shetit dhe duke u liruar nga detyra që gëzonin. Kur deri dje karriera nuk ndërpritej,gjatë vitit akademik ishe student në pjesën e pushimeve ishe në punë pranë DVP ku kishe emërimin dhe vazhdoje kontribuoje në misionin për të cilin ishe trajnuar e shkolluar. Sot rreth 50 punonjës policie të cilët janë student në fakultetin e sigurisë dhe hetimit janë ish punonjës policie dhe të pa punë e pa trajtim financiar duke i detyruar të ndjekin një punësim alternativ si gjatë sezonit veror por edhe gjatë studimeve pasi u janë ndërprerë sigurimet shoqërore/shëndetësore. Vitet e punës humbasin,mundësia për strehim social humbet,bankat e nivelit të dytë nuk aprovojnë kredi pa qenë i punësuar,profilizim në një profesion tjetër është sfiduese por dhe dëmtuese pasi harrohen aftësitë operacionale e intuitive për të cilat je trajnuar e po

I ushtroje deri dje!

Merrini parasysh të gjitha vështirësitë që po kalojnë punonjësit e policisë dhe hartoni propozime me ekspert ligjor e me punonjës që konkretisht po e ndjejnë diskriminimin dhe denigrimin e gjëndjes aktuale ku ndodhet struktura jo vetëm pjesërisht! Faleminderit!

Emri Xhaferri

  • Në asnjë vend gradat në rolin zbatues nuk janë të njejta si mund të krahasosh një punonjës me ekspriencë 25 vjeçare me shumë trajnime , me një që sapo

del nga bankat e shkollës , kjo nuk duhet të ndodhë është absurde, duhet patjetër të korigjohen këto gabime.