Nga: Artur Mamadhaj Klosi
Kryeministër, Ministri, Kuvend, KLSH, SPAK dhe Media: Çështja e Aeroportit të Vlorës nuk është thjesht një konflikt kontraktual mes qeverisë dhe një kompanie private. Është një çështje që prek pasurinë publike, kontratat koncesionare, interesin publik dhe potencialisht buxhetin e shtetit. Më 16 shtator 2026, arbitri i emergjencës i ICC-së në Londër vendosi një masë të përkohshme për ruajtjen e status quo-së gjatë procedurës emergjente. Ndërkohë, sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, kërkesa kryesore e koncesionarit për pezullimin e ndërprerjes së kontratës u refuzua. Pra, çështja nuk është mbyllur. Pikërisht për këtë arsye duhet transparencë dhe auditim.
KU ËSHTË KLSH?
KLSH ka kompetencë kushtetuese për kontrollin e përdorimit të fondeve publike dhe ka publikuar më herët gjetje që lidhen me marrëdhëniet financiare dhe institucionale rreth koncesionit të Aeroportit të Vlorës. Por sot pyetja është: A ekziston një auditim i plotë, i përditësuar dhe i publikuar mbi performancën ekonomike, financiare dhe kontraktuale të këtij projekti? Nëse po — publikojeni. Nëse jo — pse nuk bëhet?
KËRKOJ AUDITIM PERFORMANCE 3E
EKONOMICITET → Sa ka kushtuar projekti dhe sa është kostoja reale për interesin publik? EFICIENCË → Çfarë rezultati është prodhuar për çdo euro të investuar ose të ekspozuar? EFEKTIVITET → A është arritur objektivi publik: një aeroport funksional, i përfunduar dhe ekonomikisht i qëndrueshëm? Dhe mbi të gjitha: kontrata dhe ndryshimet e saj; detyrimet e palëve; investimet reale të kryera; pagesat dhe garancitë publike; kostot dhe detyrimet potenciale për buxhetin; procedurat e monitorimit nga institucionet shqiptare; arsyet e konfliktit kontraktual; rreziku financiar në rast të një arbitrazhi të mëtejshëm. SPAK-u nuk zëvendëson KLSH-në dhe KLSH-ja nuk zëvendëson SPAK-un. Auditimi duhet të përcaktojë faktet dhe dëmin eventual; organet e drejtësisë vlerësojnë nëse ekzistojnë elementë penalë. Prandaj: auditim → dokument → verifikim → 3e → përgjegjësi → llogaridhënie Nuk kemi nevojë për akuza pa prova. Kemi nevojë për dokumente. Nuk kemi nevojë për propagandë. Kemi nevojë për auditim. Nuk kemi nevojë për heshtje institucionale. Kemi nevojë për transparencë publike.
KLSH, Kuvendi, Ministria, SPAK dhe qeveria duhet t’i japin qytetarit përgjigje të dokumentuara: Çfarë ka ndodhur me aeroportin e Vlorës dhe sa është rreziku real për paranë publike?






















