PROF. FLAMUR TARTARI: Bisturia e artë 43 vjeçare

1490

4 tetor 1943-2016, plot 73 vjet pranë
pacientëve me përkushtim


Prof. Flamur Tartari, Bisturia
e artë 43 vjeçare


Gazeta Telegraf/


Agron
Sejamini


 Rruga
drejt mjekësisë


Nëse nuk do të kishte parë, ato pamje rrënqethëse të atij
aksidenti automobilistik, mbase rrjedha e karrierës së tij profesionale, do të
kishte patur një drejtim tjetër. Ishte vetëm 10 vjeç. Bashkë me të ëmën, kishte
shkuar për vizitë te një kushëriri i tyre që banonin afër spitalit. Ndërsa
luante në oborr, dëgjon të bërtitura dhe ulërima njerëzish në panik. Me vrap
ikën tek spitali dhe rrënqethet nga pamjet që shikon… Nga një kamion i
vjetër, nxirrnin gra, burra dhe fëmijë të gjakosur… I zverdhur në fytyrë,
duke përfituar nga rrëmuja dhe me kuriozitetin e moshës, përgjon sa në një
dhomë tek tjetra. Kudo rënkime, fytyra dhe gjymtyrë të dëmtuar. Dy bluza të
bardha lëviznin nga njëri krevat tek tjetri duke mjekuar dhe fashuar… Një
zbardhje imazhi disi më lehtësuese që zbuste trishtimin e atij fëmije nga ajo
përskuqje sunduese… Vetëm kur erdhi dhe e mori e ëma, u kujtua për lojën e
lënë përgjysmë dhe drekën e pangrënë. Pas kësaj dite, gjumin e bënte si të
shikonte një film, me pamjet e asaj ngjarje tragjike. Befas, në imagjinatën e
atij vogëlushi, shfaqej ndjesia e të ndihmuarit të atyre njerëzve që bërtisnin
nga dhimbjet. Mbyllte sytë dhe rritej nëpër ëndrra duke mjekuar dhe qetësuar
ata njerëz të gjakosur… Hapte sytë, prishej ëndrra por nuk i zbehej dëshira
fëminore…Deri atë ditë kur xhaxhai i vet, themeluesi i radiologjisë
shqiptare, Dr. Ismail Tartari, e lajmëron se e regjistroi për të vazhduar
studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë. Dëshira e familjes ishte që të
vazhdonte udhën e xhaxhait të vet por Flamuri zgjodhi kirurgjinë. Askush nuk arrinte
të kuptonte “kokëfortësinë” e tij. Ndërsa tani, për të gjithë është e
kuptueshme se kjo përzgjedhje, nis nga ajo ditë kur përjetoi emocionet e
fuqishme të atij aksidenti tragjik. Përforcimin e kësaj ideje e gjejmë në
ecurinë e mëvonshme. Kështu, edhe pse nuk ishte e detyruar, pas mbarimit të
vitit të tretë, filloi të qëndronte gjatë shërbimit roje në urgjencën e
kirurgjisë. Mjaftonte ky pasion, që ai të binte në sy për mirë, tek kirurgët e
shquara të atij brezi, Rushen Golemi dhe Margarita Basha. Kujton me mall dhe
shumë respekt, kur ato ndanin me studentët edhe racionin e ushqimit. Por më
shumë se sa buka ai ndjente ëmbëlsinë e komunikimit dhe madhështinë e shpirtit
të tyre. Asnjëherë nuk bënë të shurdhin apo të përtonin që t’u përgjigjeshin
pyetjeve të studentëve. Madje, ato kur u jepej mundësia edhe i angazhonin në
ndonjë praktikë të thjeshtë. U hiqnin ndrojtjen, por u shtonin edhe interesin
dhe pasionin për profesionin e mjekut. Zelli i tij shfaqej edhe më dukshëm në
pushimet e verës. Ishte praktikë e shkollës që pas vitit të tretë, të gjithë
studentët shkonin në spitalet e qyteteve të tyre dhe bënin detyrën e
infermierit.

 

Mësimet

 

Mësonin si bëheshin injeksionet por dhe shërbime të tjera që
kërkoheshin gjatë urgjencave. Një praktikë kjo shumë e dobishme, për të cilën
doktor Flamuri ndjen keqardhjen që ka vite që nuk realizohet. Fati qe me të
edhe gjatë kësaj praktike, pasi në spitalin e Durrësit, shërbenin me kulturë
dhe profesionalizëm të lartë, dy mjekët e pasionuar, Paskal Prodani dhe Gaqo
Trebicka. Por edhe këta, nuk kishin si të bënin indiferentin, para sjelljes së
tij shumë të kulturuar dhe komunikimit të sinqertë e të përzemërt. Këto virtyte
që spikasnin dukshëm në natyrën e këtij studenti, u shpërblyen denjësisht pas
mbarimit të Fakultetit, nga shefi i Kuadrit të Ministrisë së Shëndetësisë,
Mihal Liti. Mihali ishte student në fakultetin e Mjekësisë dy vite para
Flamurit. Për arsye ekonomike, kur ishte student, punonte me rrogë si laborant
në urgjencën e spitalit. Bashkë kanë kaluar dhjetëra net pa gjumë. Flamuri i
bënte shoqëri Mihalit por edhe “vidhte” ndonjë gjë nga të fshehtat e
profesionit të mjekut. Këtë miqësi dhe këtë pasion të Flamurit, Mihali e
nguliti në mendje. Mundësia e parë që iu krijua në spitalin e Durrësit ai e
rezervoi për të. Me të mbaruar Fakultetin ai emërohet specialist kirurg, në
spitalin e Durrësit. Sapo kishte mbushur 23 vjeç. Por mjekët e talentuar Paskal
Prodani dhe Miri Hoti e trajtuan sikur të ishte i barabartë në moshë dhe aftësi
profesionale. Pa kaluar tre muaj, ata i zgjatën bisturinë për të kryer operimin
e parë. Ka qenë një apendicit akut te një vajzë 25 vjeçare. Emocione por
përgjegjësi. Duke qenë se kishte asistuar në disa operime, ai kishte mësuar
shumë prej tyre. Natyrisht, që kjo vlerësohej. Por në disa momente, nga dëshira
për të manifestuar profesionistin edhe ngutej. Gjatë gjithë kohës së operimit,
të dy mjekët i qëndruan pranë me dashamirësi dhe dashuri. Pas disa orësh kur u
ulën për ta uruar për suksesin nuk harruan t’i jepnin edhe tre këshilla. Tre
këshilla që atij i oshtijnë në vesh edhe tani kur i ka kaluar 40 vjet përvojë
kirurgjikale. E para, mos u ngut se je i ri, e dyta, çdo gjë duhet ta shkruash
në kartelë dhe e treta, vazhdimisht konsultohu me kolegët dhe mos u bëj mendjemadh.

Pas 15
muajsh

Pas 15 muajsh këtyre tre këshillave të arta, do u shtonte edhe të
katërtën. Kishte ardhur për specializim në Tiranë, në klinikën universitare ku
ishin profesorët Petro Cani dhe Besim Elezi. Që ditën e parë, ata u thanë specializantëve
se duhej të flinin atë natë në klinikë. Vetëm
kështu, duke qenë sa më pranë pacientit, ju do kini mundësi të ndiqni në
vazhdimësi dhe me saktësi, ecurinë e sëmundjes para dhe pas operacionit.

Një praktikë e tillë do ishte shpresëdhënëse si nga ana shpirtërore ashtu dhe
praktike për të sëmurin. Ende shërbejnë si hajmali këto këshilla për doktor
Flamurin. E quan veten më me fat që ka punuar me këtë brez të shkëlqyer
mjekësh. Përvoja dhe vlera këshillave të tyre nuk barazohet me asnjë
universitet mjekësor. Emocionohet si të ishte ende student 19 vjeçar, tek
shqipton Ferdinand Paparisto, Petro Cani, Petrit Gaçe, Besim Elezi, Llambi
Ziçishti, Rushen Golemi, Fadil Spahiu, Arqile Andrea…

Mbaron specializimin në Tiranë dhe kthehet përsëri në spitalin e
Durrësit. Tashmë më i sigurtë, më i dëshiruar për profesionin por i favorizuar
shumë edhe nga… Traktati i Varshavës. Ishte tetori i vitit 1968. Sapo
Shqipëria kishte denoncuar dhe ishte larguar nga ky pakt ushtarak. I gjithë
populli shqiptar kishte kaluar në gatishmëri numër një duke rritur vigjilencën
dhe shtuar përgatitjet për të përballuar çdo sulm të mundshëm armiqësor. Nuk
bënin përjashtim nga kjo detyrë mbi detyrat as mjekët. Kështu, të gjithë
kirurgët dhe mjekët e spitalit të Durrësit, kryenin zborin ushtarak. Në këtë
situatë, i bie pesha kryesore për operimet dhe urgjencat e spitalit. Kujton një
rast, kur pas gjithë asaj dite të lodhshme, në mes të natës i kërkon ndihmë një
kolegu i vet, gjinekolog. Një paciente u paraqit në gjendje shumë të rëndë.
Duhej bërë patjetër operim. Në krah të gjinekologut, për gjatë gjithë
operacionit ishte edhe Flamuri. Në një çast, kur drejtoi trupin për t’u
shplodhur pak nga qëndrimi i përkulur, sytë i shkuan te etiketa e qeses së transfuzionit
të gjakut. Lexoi emrin “Flamur Tartari” dhe gjithë ai stërmundim iu kthye në
kënaqësi dhe lumturi. Pacientja që po operonte, në atë çast merrte gjakun e
doktor Flamurit që e kishte dhuruar paradite. Po të ishte një rast dhurimi
gjaku, mbase i pari që do të fyej, do ishte vetë doktor Flamuri. Të detyrojnë,
veçoritë e rasteve që të kujtosh këto veprime humane. Në vitin 1970, kur ishte
mjek roje në spital vjen një vajzë 19 vjeç, me hemorragji të brendshme. Atë
ditë për fat të keq mungonin rezervat e gjakut të grupit që i duheshin kësaj
pacienteje. Nuk u menduan dy herë doktor Flamuri dhe anestezistja Tatjana që të
dhuronin gjakun e tyre që i përkiste të njëjtit grup. Pas dy orësh kur asaj iu
ndalua hemorragjia e brendshme nga gjaku që mori, kaloi në sallën e operimit
dhe iu hoq shpretka. E quajti pa kuptim një pyetje tonën për të mësuar numrin e
operacioneve që ka bërë gjatë 43 vjet si kirurg. Na u kujtua thënia e të madhit
Prof. Paparisto, kur thoshte se “Në kirurgji nuk ka rëndësi numri i madh i
operacioneve që bën, por ato operacione që i bën i argumenton duke e shëruar
pacientin”. Një kuriozitet që na u shtua edhe më shumë, kur kujton një natë që
i erdhën 122 urgjenca. Prej tyre 14 kaluan në sallën e operimit që filluan
pasditen e të shtunës dhe përfunduan natën e ditës së diel. Dhe një kirurg që
ende nuk i kishte mbushur të tridhjetat…

 

E ka idhull të padiskutueshëm Prof.
Ferdinand Papariston.

 

Mbi të gjitha e çmon si njeri. Një përfaqësues i denjë i asaj
plejade të shkëlqyer mjekësh që dinin të punonin por dhe të komunikonin. Edhe
pse kishin arritur majat e mjekësisë shqiptare, bënin çmos që studentët e tyre
të shkonin edhe më lart. Udhëhiqnin tema disertacionesh për doktoraturë që
shënonin progres pa shfaqur ego dhe xhelozi profesionale. Përkundrazi ishin
nxitës, humanë dhe mbështetës për të prekur të fundit e shkencës mjekësore. Si
të ishte i gjallë, herë pas here kur kalon para basorielevit të tij, dëshiron
t’i thotë diçka, si mik, si shok, si student… E lëmon atë fytyrë të bronxtë
si për t’i thënë se nuk e ka harruar porosinë e tij të vyer:- Flamur! Diagnoza
duhet vënë si kur po luan shah…As që di të lozë shah doktor Flamuri, por
filozofinë e kësaj thënie të artë e ka kthyer në motiv të punës së tij. Para
përcaktimit të një diagnoze të saktë, ai mendon dhe konsultohet me kolegët për
disa lloj sëmundjesh. Thënë ndryshe, pas 43 vite përvoje kirurgjikale, ai është
ndjehet mjeshtër i tastierës së urologjisë. Dhe jo vetëm asaj shqiptare por
edhe me gjerë. Dhe ky përcaktim nuk është komplimenti ynë por përcaktim dhe
vlerësim i mjekëve europiane dhe botërore. Ndryshe nuk do t’i kishin ardhur në
Tiranë më 17-18 tetor të vitit të kaluar. Me shumë autoritet dhe dinjitet,
doktor Flamuri ideoi dhe drejtoi, Kongresin e Katërt të Urologjisë për Evropën
Juglindore. Në këtë tubim shkencor të nivelit të lartë profesional morën pjesë
284 mjekë të huaj. Gati 100 ishte edhe numri i mjekëve shqiptarë. Por më
domethënës se ky numër ishte se 17 prej tyre referuan. Shpalosën me kurajë dhe
krenari arritjet dhe përparimin e mjekësisë shqiptare. Një ballafaqim dhe
përfitim i gjithanshëm i përvojës bashkëkohore. Referuan 170 mjekë nga
Australia, Suedia, Austria, Italia, Bullgaria, Kosova, Turqia, Greqia, Maqedoni,
Mali i Zi, Serbia, Bosnje-Hercegovina… Nuk ishte thjesht një takim rutinë por
një ngjarje e shënuar për mjekësinë shqiptare. Në ato ditë tetori, në shumë
kanale televizive të huaja, Tirana u citua jo vetëm si kryeqytet i Shqipërisë
por edhe i urologjisë.

 

Sigal