Raporti i UEFA-s dhe agjencia prestigjioze Nielsen: Noti sport i preferuar, rritet imazhi i FSHN-së

STUDIMI/ Raporti i UEFA-s dhe agjencia prestigjioze Nielsen, zyrtarizojnë studimin për disa sporte, flasin drejtues e mjeshtra të sportit të ujit në Shqipëri

Nga Agron KAJA

NOA

Kërkimi i kryer nga “UEFA Grou Market Research”, bërë nga UEFA në bashkëpunim me agjencinë prestigjioze Nielsen, evidenton një rritje të ndjeshme të interesit për futbollin në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit. Nëse në vitin 2016, 65% e shqiptarëve deklaronin se ndiqnin futbollin, tashmë kjo shifër ka arritur në 78%, duke e renditur Shqipërinë në krye të Europës për interesin ndaj këtij sporti,  dhe dukshëm mbi mesataren europiane prej 48%. Futbolli mbetet sporti më i ndjekur si nga meshkujt ashtu edhe nga vajzat, ku interesi i meshkujve arrin në 91%, ndërsa ai i vajzave është rritur ndjeshëm nga 42% në vitin 2016 në 65% aktualisht. Rritje është regjistruar në të gjitha grupmoshat, me grupin 45-54 vjeç që ka shënuar progresin më të madh. Por në raportin e kërkimit të Nielsen, tërheq vëmendjen edhe një fakt që sot duhet vlerësuar shumë. Sporti i Notit renditet në vendin e katërt me 32% të shqiptarëve që ushtrohen me këtë sport, apo edhe janë të pasionuar pas këtij tij. Këtu, 17% ushtrohen djem, 13% vajza dhe 2% nga moshat e ndryshme. Në këtë renditje, Noti vjen pas futbollit, sporteve të fitnesit dhe volejbollit, duke hyrë kështu në sportet e preferuara në hapësirën sportive shqiptare. Ndërkohë duhet thënë se, këtë sport e ushtrojnë ose e ndjekin 35% e fëmijëve në Shqipëri, duke e renditur në vëndin e 3-të në Europë, pas futbollit dhe volejbollit. Nga këta fëmijë, 21% janë djem, 12% janë vajza dhe 2% kategori të tjera. Referuar këtyre shifrave shumë të rëndësishme për sportet shqiptare që vlerësohen nga mediat ndërkombëtare të studiuara nga programi “UEFA Grou Market Research”, në bashkëpunim me agjencinë prestigjioze Nielsen, duhet thënë me zë të lartë se në dekadën e fundit, Noti shqiptar ka pësuar ndryshime në organizim, në drejtim dhe në masivitet. Ky kërkim e ka përmirësuar ndërkombëtarisht imazhin e FSHN-së, ku Notit veçohet si sport i preferuar në Shqipëri në dy dekadat e fundit, si asnjëherë me këto vlerësime ndërkombëtare.

Shteti shqiptar pak interes tregon për sporte, ku edhe fondi vjetor për të gjitha federatat sportive është 1.5 mln euro. Ndërkohë që, për sportin e Padelit u dhanë 2.2 mln euro në një veprimtari, e cila nuk kishte ndonjë impakt te shqiptarët

DUKURIA NEGATIVE

Fondet për Notin të dobëta, më shumë për Padelin!

Para pak kohësh, në Tiranë u organizua një veprimtari sportive e Padelit. Ka qënë hera e parë në një organizim të tillë, por e veçanta qëndron në thelb kështu. “Shteti shqiptar pak interes tregon për sportet, ku edhe fondi vjetor për të gjitha federatat sportive është 1.5 mln euro. Ndërkohë që, për sportin e Padelit u dhanë 2.2 mln euro në një veprimtari ditore, e cila nuk kishte ndonjë impakt te shqiptarët”. Nisur nga ky fakt, puna e FSHN-së dhe e gjithë komunitetit të notit në Shqipëri i ka treguar shtetit shqiptar se ku dhe si të investojë në sportin e Notit.

TREGUESIT E VLERËSIMIT

Infrastruktura e sportit të notit dhe zhvillimi i garave

Për kushtet e infrastrukturës sportive të Shqipërisë, sporti i Notit e zhvillon aktivitetin e tij zyrtar në të treja stinët e vitit. Duke mos patur një pishinë dimërore 50 m, garat në stinën e dimrit përqëndrohen në pishinën 25 m të Akademisë së Notit “Te Stela” në Tiranë. Në këtë ambient zhvillohen kampionatet e të gjitha moshave e kategorive sportive, kupa dhe aktivitetet të tjera kombëtare e locale. Ndërkohë që, në stinët pranverë-verë, garat e notit në Shqipëri zhvillohen në dy pishinat verore 50 m, në Akuadromin e Tiranës dhe në pishinën “Taq Dafa” në Durrës. Edhe këtu, zhvillohen kampionate e kupa, madje edhe me pjesëmarrje ndërkombëtare dhe matje të kohës me tabelë elektronike.

Sa notarë dhe notare garojnë zyrtarisht në Shqipëri?

Gjithnjë duke ju referuar kushteve të infrastrukturës në sportin e Notit në Shqipëri, në të gjitha veprimtaritë garojnë notarë meshkuj e femra, të cilët përfaqësojnë ekipe të ndryshme në Shqipëri, por edhe ekipe kosovare, maqedonase, sllovene, malazeze dhe nga diaspora shqiptare. Duke ju referuar të dhënave të Federatës Shqiptare të Notit, në veprimtaritë që zhvillohen në pishinën dimërore 25 m “Te Stela”, garojnë rreth 300-350 notarë (meshkuj-femra). Ndërkohë, në garat që zhvillohen në pishinat verore 50 m pjesëmarrja është edhe më e lartë, ka arritur edhe në 400 notarë. Dhe kjo ndodh jo vetëm për kushtet që ofrohen, por edhe për garimin në këto veprimtari edhe të notarëve jashtë Shqipërisë.

 

REALITETI I NOTIT SHQIPTAR

300 notarë

Sipas statistikave të FSHN-së, në garat që organizohen në sportin e notit në çdo vit te pishina dimërore, marrin pjesë rreth 300 notarë nga Shqipëria dhe nga diaspora shqiptare

400 notarë

Sipas statistikave të FSHN-së, në garat verore që organizohen në sportin e notit në çdo vit, marrin pjesë rreth 400 notarë nga Shqipëria, nga shtete të tjera dhe nga diaspora

800 ushtrues

Sipas statistikave të FSHN-së, në pishinat verore dhe dimërore në Shqipëri, në çdo vit ushtrohen rreth 800 notarë të moshave dhe profesioneve të ndryshme. Mes tyre edhe garues

3 pishin

Garat e notit në Shqipëri zhvillohen në tre pishina. Ato dimërore në pishinën 25 m të AN “Te Stela”, dhe garat verore te Akuadromi i Tiranës dhe në pishinën “Taq Dafa” në Durrës

Presidenti FSHN, Agim Çiraku: Shqiptarët të “dashuruar” pas Notit

Duke qënë i zgjedhur i President i Federatës Shqiptare të Notit (FSHN(, Agim Çiraku e konsideron të rëndësishëm vlerësimin që Raporti i UEFA-s dhe agjencia prestigjioze Nielsen, zyrtarizojnë në studimin për disa sporte, edhe atë të Notit. “Që të hysh në të tilla vlerësime ndërkombëtare, natyrisht që nënkuptimi është i qartë. Dhe unë me sinqeritet e them se, këtu del puna e mirë që kemi bërë së bashku në këtë dekadën e fundit me drejtimin e FSHN-së. Politikat tona kanë qënë të qarta për masivitet e cilësi, njëherësh edhe në përmirësimin e infrastrukturës, për të cilën kemi ende punë për të bërë. Por, edhe vetë ky vlerësim e tregon se shqiptarët tashmë janë shumë të dhënë pas sportit të Notit”, kështu e vlerëson Agim Çiraku raportin e UEFA-s ku përmëndet edhe sporti i notit, por ai në këta tregues, ndjehet i detyruar që të përmëndë emra dhe ekipe, të cilëte kanë bërë diferencën me punën e tyre. “Në Shqipëri, Akademia e Notit “Te Stela” duhet të ketë qënë shembëlltyra kryesore e këtij vlerësimi, dhe më pas të gjitha ekipet dhe notarët që kanë garuar vit pas viti, me cilësi e rekorde kombëtare. Ky mbetet një vlerësim i  përbashkët për ne si drejtues të federatës, për klubet që kanë organizuar ekipet e tyre të notit, dhe në veçanti për individët që e kanë shkruar këtë histori në ujrat e pishinave shqiptare. Tradita dhe aktualiteti janë bashkuar për ti dhënë më shumë nivel e cilësi këtij sporti të bukur në vëndin tonë”.

 

Organizimi, masiviteti dhe cilësia, treguesit kryesorë

Sporti i Notit vjen pas futbollit, sporteve të fitnesit dhe volejbollit, duke hyrë kështu në sportet e preferuara në hapësirën sportive shqiptare, me impakt ndërkombëtar. Ndërkohë duhet thënë se, këtë sport e ushtrojnë ose e ndjekin 35% e fëmijëve në Shqipëri, duke e renditur në vëndin e 3-të në Europë, pas futbollit dhe volejbollit. Nga këta fëmijë, 21% janë djem, 12% janë vajza dhe 2% kategori të tjera. Kështu, organizimi, masiviteti dhe cilësia mbeten treguesit kryesorë të vlerësimit në raportin e UEFA Grou Market Research”, në bashkëpunim me agjencinë prestigjioze Nielsen.

Mjeshtri i Madh Sadik Mema

AN “Te Stela”, shkollë e notit shqiptar

Për vlerësimin që i bëhet sportit të Notit shqiptar në Raportin e UEFA-s dhe agjencia prestigjioze Nielsen, Mjeshtri i Madh Sadik Mema e shikon si pjesë të punës në Akademinë “Te Stela” ku ai drejton. “Gjatë dy dekadave të fundit, në Akademinë tonë të Notit, janë trajnuar me qindra e mijra fëmijë, ku mes tyre kanë dalë edhe notarë e notare kampionë dhe rekordmenë. Ka një vlerësim të dukshëm për këtë sport në akademinë tonë, jo vetëm për kushtet e infrastrukturës dhe trajningun bashkëkohor. Në dy dekada janë ngritur pishina dimërore, e më pas filloi një erë e re në Notin shqiptar. Ekipet dhe notarët janë stërvitur në 12 muajt e vitit, dhe me krijimin te AN “Te Stela” e hapjen e dy pishinave dimërore, u krijua shkolla e parë e notit në vëndin e tonë. Gjithçka e thënë kështu, mbetet një pjesë reale e këtij raporti vlerësues në vëndin tonë, në veçanti te moshat e reja”.

Mjeshtri i Madh Petrit Guma

Masiviteti, vlerësues i punës së përbashkët

Një Mjeshtër i Madh si Petrit Guma, notar kampion dhe rekordmen, por edhe ish-President i FSHN-së, mendimin për këtë vlerësim të notit shqiptar nga Raporti i UEFA-s dhe agjencia prestigjioze Nielsen, e jep të detajuar. “Tashmë është bërë traditë sportive brez pas brezi. Rezultat i punës në breza ku masiviteti në sportin e notit ka qënë i konsiderueshëm, ndaj është ky është vlerësim i pashmangshëm. Në kohën që trashëguam atë pak infrastrukturë, ishte një kohë e keqe, si në të gjitha sportet e tjera, ku nuk bëhej fjalë për cilësinë. Kjo u arrit gradualisht, ku një vënd të rëndësishëm ka marrë jo vetëm infrastruktura e përmirësuar, por edhe trajningu bashkëkohor, u arrit një masivitet falë punës së përbashkët. Misioni ynë ka qënë imediat në këta tregues, dhe ecuria e tregon sot që jemi në katër sportet më të preferuara në Shqipëri. Vlerësimi të konsiderohet edhe si një nxitje për më mirë”.