Presidenti Bajram Begaj në konferencën albanologjike “Kur toka flet me emra, gjurmime antropologjike dhe gjuhësore”

FJALA E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS,

SH.T.Z. BAJRAM BEGAJ,

NOA

NË KONFERENCËN ALBANOLOGJIKE

KURTOKA FLET ME EMRA. GJURMIME ANTROPOLOGJIKE DHE GJUHËSORE

 

I nderuar zoti Kryetar i Akademisë së Shkencave,

E nderuar profesoreShamku,

Të nderuar akademikë, studiues, mësues dhe nxënës,

Të dashur arbëreshë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Nga të gjitha trevat shqiptare,

 

Duke ardhur sot këtu, si çdo ditë vitet e fundit, pashë grupe turistësh të huaj që kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacion pushimesh. Disa vijnë për detin, disa për malet, disa për qytetet tona të vjetra, disa për kureshtjen për të njohur një vend që po bëhet gjithnjë e më i pranishëm në hartën evropiane të udhëtimeve. Dhe mendova se kjo konferencë ndodh në një kontekst mjaft domethënës: ndërsa shumë të huaj vijnë të na njohin përmes bukurisë së vendit, ju jeni mbledhur për të na ndihmuar ta njohim më thellë vetveten përmes toponimeve tona dhe kështu edhe të njihemi edhe më mirë prej jashtë nesh.

 

Titulli i kësaj konference,“Kur toka flet me emra”, është i bukur pikërisht sepse e thotë kuptimin e vet në formë shteruese. Ai na kujton se toka nuk është vetëm hapësirë, pronë, hartë apo territor administrativ. Toka është edhe fjalë. Është kujtesë. Është gjurmë e njeriut mbi vendin dhe e vendit mbi njeriun.

 

Në kohë të tilla, kur vëmendja publike shpesh dominohet nga politika, nga konfliktet, nga pasiguritë dhe krizat, fakti që ju zgjidhni të merreni me kulturën dhe me elementin më identifikues të saj: gjuhën, ka një vlerë të posaçme. Është një kujtesë se shoqëritë nuk mbahen vetëm nga vendimet e ditës, por edhe nga vazhdimësia e tyre kulturore, jo vetëm nga institucionet, por edhe nga kujtesa, jo vetëm nga ekonomia dhe siguria, por edhe nga dija që i jep kuptim përkatësisë sonë.

 

Kjo është veçanërisht e rëndësishme në rrugën tonë evropiane. Shqipëria shkon drejt Bashkimit Evropian jo duke lënë pas vetes identitetin e saj, por duke e marrë atë me vete si vlerë, si vlerë të shtuar. Evropa nuk është një hapësirë që kërkon zbehjen e kulturave kombëtare. Përkundrazi, ajo është ndërtuar mbi bashkëjetesën e gjuhëve, traditave, kujtesës dhe përvojave të ndryshme historike. Në këtë shumësi, identiteti shqiptar bëhet një pasuri që i përket natyrshëm historisë kulturore të kontinentit.

 

Prandaj, studimi i toponimeve, i emrave të vendeve, krojeve, maleve, fushave, kështjellave, shtigjeve, vendbanimeve dhe hapësirave të tjera të kujtesës shqiptare, nuk është thjesht një ushtrim kërkimor akademik. Është një mënyrë për të lexuar historinë aty ku ajo ka mbetur e shkruar pa letër: me gojëdhëna, në përdorimin popullor, në kujtesën e familjeve, në hartën e komuniteteve, në fjalët që kanë mbijetuar më gjatë se shumë dokumente.

 

Siç ju e thoni me të drejtë, toponimet nuk janë vetëm emra. Ato janë dëshmi e marrëdhënies së gjatë mes njeriut dhe vendit. Në to gjenden lëvizje popullsish, tipare të natyrës, shenja besimi, gjurmë ngjarjesh, kujtime pune, rrugë migrimi, kontakte kulturore, forma të vjetra gjuhësore, por edhe ndjeshmëri njerëzore që shpesh nuk i gjejmë dot në arkiva. Përmes tyre, historia, gjuhësia, antropologjia, etnografia dhe letërsia takohen në një hapësirë të përbashkët kërkimi.

 

Në këtë kuptim, unë e vlerësoj fokusin e organizatorëve se hapësira është edhe kujtesë historike, edhe kujtesë gjuhësore, edhe kujtesë antropologjike. Një vend nuk ruan vetëm atë që është ndërtuar mbi të. Ruan edhe atë që është thënë për të, mënyrën si është quajtur, si është trashëguar emri i tij, si është lidhur me jetën e njerëzve. Emri bëhet kështu një urë midis territorit dhe komunitetit, midis së kaluarës dhe së tashmes, midis shkencës dhe kujtesës popullore.

 

Një vlerë e veçantë e kësaj nisme është përfshirja e të rinjve dhe e shkollave. Në një kohë kur flasim me shqetësim për tkurrjen demografike, për uljen e numrit të nxënësve dhe për sfidat e arsimit, çdo projekt që e afron rininë me dijen, me kërkimin dhe me kulturën kombëtare meriton mbështetje, meriton respekt. Shkolla nuk është vetëm vendi ku transmetohen njohuri. Është vendi ku formohet kureshtja, ndjenja e përgjegjësisë dhe aftësia për të parë lidhjen mes vetes, familjes, komunitetit dhe vendit.

 

Ndaj, unë dua të përgëzoj nxënësit dhe shkollat pjesëmarrëse, por edhe të gjithë pjesëmarrësit! Në projekte të tilla, rëndësi nuk ka vetëm çmimi. Rëndësi ka guximi për të kërkuar, për të pyetur, për të dëgjuar dëshmitë nga më të moshuarit, për të shkuar në terren, për të parë vendin jo vetëm si banorë, por edhe si hulumtues të tij. Në edukim dhe në shkencë, shtysëefektiveështë ajo qëtë mos shuhet kureshtja. Kur një i ri mëson të pyesë për emrin e një vendi, ai ka filluar të pyesë edhe për historinë e tij.

 

Dua të vlerësoj, gjithashtu,iniciuesit dhe organizatorët e kësaj konference, të cilët kanë menduar një ide të tillë dhe kanë arritur ta bëjnë atë të prekshme përmes mbështetjes kërkimore. Kjo është mënyra më e mirë për ta lidhur shkencën me nevojat e shoqërisë. Kur kërkimi shkencor del nga muret e institucioneve dhe shkon drejt shkollës, drejt komunitetit, drejt terrenit, drejt brezit të ri, ai fiton një kuptim më të gjerë publik.

 

Me rëndësi është edhe fakti që kjo nismë nuk është e kufizuar, nuk kufizohet vetëm brenda hapësirës shtetërore të Shqipërisë. Përfshirja e komuniteteve arbëreshe është një zgjedhje e drejtë dhe e domosdoshme. Bota arbëreshe ka qenë pjesë aktive e vëmendjes dhe agjendës sime gjatë gjithë kësaj kohe, sepse ajo përfaqëson një nga dëshmitë më të çmuara të qëndresës kulturore shqiptare. Në gjuhën, këngën, ritin, kujtesën dhe emrat e saj, ajo ka ruajtur për shekuj një lidhje të gjallë me origjinën.

Po aq inkurajues është synimi për të zgjeruar projektin me Kosovën, me shqiptarët në zonateMaqedonisë së Veriut. Një hartë e kujtesës shqiptare nuk mund të jetë e plotë pa këto hapësira. Ato nuk janë periferi të historisë sonë kulturore, janë pjesë përbërëse e historisë sonë. Do të doja, personalisht, që kjo hartë të zgjerohej më shumë. Pse e them këtë? Për faktin se kudo kam shkuar, kam takuar të gjithë ata shqiptarë të Diasporës së vjetër e të re. Flas për arbanasit e Zaras në Kroaci, flas për Diasporën tonë në Mandris të Bullgarisë, flas për shqiptarët e Diasporës në Moldavi, në Ukrainë e kudo ata janë. Besoj se edhe ata duhet të jenë pjesë e këtij projekti kaq sinjikativ.

 

Samiti i Diasporës nxori në pah nevojën për një politikë më aktive, më të qëndrueshme dhe më gjithëpërfshirëse për Diasporën, për gjuhën shqipe dhe për studimet albanologjike. Diaspora nuk duhet parë vetëm si lidhje emocionale me atdheun, por edhe si hapësirë dijeje, kujtese dhe bashkëpunimi. Në shumë raste, ajo ka ruajtur atë që koha, distanca dhe ndryshimet e shpejta mund ta kishin zbehur.

 

 

Të nderuar pjesëmarrës,

 

Ne jetojmë në një kohë urbanizimesh të shpejta. Qytetet zgjerohen, fshatrat ndryshojnë, peizazhet marrin funksione të reja, mënyrat tradicionale të jetesës zbehen. Bashkë me këto ndryshime, rrezikojnë të humbasin edhe emrat, dhe bashkë me emrat, kuptimet që ata mbartin. Prandaj vjelja, dokumentimi dhe sistemimi i kësaj kujtese është një punë që duhet nxitur vazhdimisht. Nga përvoja ne e dimë se nëse një emër humbet, nuk humbet vetëm një fjalë. Humbet një lidhje. Humbet një shpjegim. Humbet një pjesë e vogël, por e pazëvendësueshme, e kujtesës sonë të përbashkët.

 

Unë besoj se arsyetimi shkencor i kësaj trashëgimie gjuhësore dhe antropologjike dëshmon diçka që është mjaft thelbësore: Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë, kulturalisht dhe historikisht, pjesë e pandarë e Mesdheut dhe e Evropës. Kujtesa jonë nuk është e izoluar. Ajo ka ngjashmëri, ndërthurje dhe komunikim me kurbën e kujtesëssë vendeve përreth nesh. Kjo e bën edhe më të qartë se integrimi ynë evropian nuk është vetëm një projekt institucional i së tashmes, por edhe një ritakim zyrtar me një hapësirë ku, në kuptimin kulturor, kemi qenë gjithmonë të pranishëm.Ndaj katalogimi i kësaj kujtese është jo vetëm një provë tjetër se po bëhemi evropianë, por edhe dëshmi se trashëgimia jonë ka qenë përherë pjesë e qytetërimit evropian.

 

Duke ju përgëzuar për këtë konferencë, uroj që kjo nismë të vijojë, të zgjerohet dhe të kthehet në një model bashkëpunimi mes institucioneve shkencore, shkollave, komuniteteve dhe Diasporës, sepse, kur toka flet me emra, ajo nuk flet vetëm për të shkuarën. Ajo na flet edhe për përgjegjësinë që kemi ndaj së ardhmes.

Këtu unë dua të shtoj diçka në lidhje me vizitat e mia në Diasporën e vjetër të arbëreshëve në Itali. Atje çdo gjë flet shqip. Dua tëpërmend njërin prej tyre: At Antonio Belushi, i cili nuk është vetëm Ati shpirtëror i arbëreshëve, ai është atdhetari i mençur, i cili në vitin 1990 ka bërë një fjalim mjaft fantastik nëNewYork, kur në atë kohë, askush nuk e mendonte, ai thirri: “Kosova Republikë”. Besoj se mesazhi i tij, i cili lidhet me faktin që kufijtë vërtetë ndajnë toka, por shpirtin, gjuhën, kulturën, traditën, nuk mund t’i ndajë dot arbëreshët, Diasporën shqiptare me shqiptarët e Shqipërisë.

E dyta, që dua të përmend. Ai ka lindur, jetuar dhe ka lënë një thesar, i cili gjendet nëFrascineto. Ju jeni studiues, duhet të hulumtoni akoma më shumë, por ajo çfarë kam parë atje është vërtet thesar që i nevojitet trashëgimisë sonë gjuhësore. Besojse do të keni mundësi ta vizitoni dhe të hulumtoni në atë bibliotekë aq të pasur që ai na e ka lënë trashëgimi dhe që vërtet është thesar i paçmuar.

 

Por nuk është vetëm At Antonio Belushi, i cili mund të flasë shqip. Po të shkoni nëPuhëri apo Pallagorio, janëkambanat që flasin shqip. Po ashtu, po të shkoni në San Demetrio Korone, është Kolegji Adriano që flet shqip. Flet shqip edhe shtëpia që duhet të jetë muze, nuk është muze dhe duhet ta bëjmë muze, e Jeronim De Radës, i cili shkruante vetëm kur ai frymëzohej vetëm nga dritarja që hapej dhe shikonte Shqipërinë. Po kështu, PianadegliAlbanesi flet shqip. Flet shqip në të gjitha komunat që ne jemi debitorë si shtet.

 

Ju faleminderit!