Dr.Av. Fejzo Sejdini, një “Zeus” në Drejtësinë Shqiptare

680
Sigal

PERSONAZH/Kapacitetet intelektuale dhe poliedrike te
botes shqiptare,qe i rezistuan kohes



Dr.Av. Fejzo Sejdini , një “Zeus” në
Drejtësinë Shqiptare



Gazeta Telegraf/



ME RASTIN E 103 VJETOTIT Të LINDJES

 

Anilejda Shëmbitraku



Dr. Av. Fejzo Sejdini është një personalitet
i shquar i jurisprudencës shqiptare,qe ka lindur në Elbasan, në 4 tetor 1913,
në familjen intelektuale me tradita patriotike të Sejdinëve. I ati, mjeku i
njohur doktor Qazim  Sejdini dhe e ëma Mynyre, një grua mjaft e kulturuar
për kohën ushqyen që herët dëshirën për dijen. Shkollën fillore e kreu në
Elbasan, pranë shkollës qendrore, ne vitin 1926. Dërgohet nga familja e tij për
te përfunduar Liceun e Korçës. Në qershor te vitit 1935, me marrjen e
bakaloratit të dytë, në profilin filozofi, me gjuhë të dytë anglishten, me
vlerësim të përgjithshëm “shumë mire”. Në shtator të po atij viti, me të hollat
e familjes niset për Francë, ku regjistrohet në Fakultetin Juridik të
Universitetit të Sorbonës, në Paris. Në vitin 1939 ka mbaruar me sukses
fakultetin dhe merr licencën në drejtësi. Por Fejzo Sejdini nuk mjaftohet me
kaq. Ai filloi studimet e mëtejshme të thelluara për nivelin e doktoratës në
drejtësi në Universitetin e Sorbonës. Në dhjetor 1941 mbron shumë mirë doktoratën
me temë:”Mbi administrimin lokal në Shqipëri”.



Doktoratën, juristi i shquar e mbrojti
përpara një komisioni, ku kryetar ishte një nga personalitetet e së Drejtës
Administrative Franceze, Prof. Rolland.



Fejzo Sejdini merr gradën e doktorit në drejtësi
duke qenë një ndër tre të vetmit shqiptarë që fituan këtë gradë nga 54 juristët
që studiuan në Francë dhe që mbetën me licencë. Gjatë gjithë viteve të studimit
dhe gjatë gjithë kohës që jetoi dhe punoi, Fejzo Sejdini tregoi se ishte një
nga kapacitetet intelektuale poliedrike të botës shqiptare. Vlen të theksohet
se teza e doktoratës së tij paraqet interes të veçante, sepse i kushtohet
organizimit administrativ komunal në Shqipëri, sipas ligjit të 1 prillit 1929.
Ishte ndershmëri dhe përgjegjësi morale e shoqërore të vlerësoje me paanshmëri
një ligj modern të mbretit Zog, kur në vendin tonë ishte vendosur pushtimi
fashist italian. Kthehet në atdhe në dhjetot të vitit 1942. Si shumë të rinj të
asaj kohe, edhe ai dha kontributin e tij në Luftën Nacional-Çlirimtare. Pas
Lufte, emërohet menjëherë si gjyqtar në Elbasan, Korçë  dhe në Shkodër
deri në vitin 1949. Përgatitja e lartë profesionale, profilizimi për të drejten
civile si dhe prudenca ne sjelljen shoqërore të tij e shpëtuan atë nga burgosja
dhe keqtrajtimi. Në fund të vitit 1949 transferohet me gradim si Kryetar i
Gjykatës së Tiranës, ku ai do të shquhet për ndershmërinë dhe profesionalizmin
e tij të veçantë, sidomos në të drejtën civile. Qëndrimi dhe karakteri i tij,
bie ndesh me diktaturën dhe për këtë arsye, në 1951-in shkarkohet nga detyra
dhe mbetet disa muaj pa punë. Me 1952 deri më 1967 ka punuar si avokat në
Tiranë dhe pas suprimimit të avokatisë, punoi në Agjencinë Telegrafike
Shqiptare, deri në daljen e tij në pension më 1973. Doktor profesor Uran
Asllani në librin e tij kushtuar shqiptarëve që kanë studiuar në Francë
shkruan: “Fejzo Sejdini ishte një nga avokatët më të aftë dhe me një
personalitet të veçantë. Ishte i ditur dhe i kulturuar, i drejtë dhe fisnik, i
mprehtë për të dalluar thelbin e problemeve dhe për t’i dhënë zgjidhje sa me
racionale. Kryesorja ishte se të gjitha këto cilësi të tij, harmonizoheshin në
një mënyrë të veçantë dhe modeste, që me një epërsi të natyrshme të sfidonte
kohën e vështirë në të cilën jetoi. Ky jurist, do të kujtohet gjithnjë si një
nga intelektualët më të shquar shqiptarë, jo duke thënë për të, “sa keq që nuk
është më”, por duke thënë “sa mirë që ka qenë!”. Fejzo Sejdini do të
mbetet  një shembull për gjithë brezat e juristëve shqiptarë dhe do të
kujtohet gjithnjë me krenari dhe respekt prej tyre.