Suplementi Pena Shqiptare/ Bledar Koçi: Xhaxha

XHAXHÁ

Gjurmët skalite udhëve pa fund..

NOA

Dhe mushka Kërre xanxare e pashpirt, ty shpirtin t’a deshi, veç ty.

Se flisnit një gjuhë ndër shtigje të blerta

me shkozë e gurishte,

ku çanit të dy.

E ti, kapistallin, e hiqje pas duarsh menduar

këmishës pa llërë në zheg e të ftohtë.

Me Kërren xanxare në lugje djerrina

ku binin aq yje si zjarre prej qiejsh

jetonit një botë.

Vrapoj kësaj Bote të hirtë e të egër

pa shtigje të blerta ku yje më ska.

Por ti do më mbetesh atje n’ato gjurmë

mes shqopash dëllinjash me Kërren xanxare,

I miri xhaxha !

Bledar Koçi

 

VËLLAI

U vrenjt vëllai atë natë

fytyrës njomëzake,

një lot i shembur gjurmëthatë

i qante nëpër faqe.

Dritaren hëna rrezesh lan

hutuar një vështrimi,

e ngrirë fugë atje mbi xham

si pikëz pikëllimi..

….

Më prisnin udhë në tjetrin ag,

ca yje të kem shokë.

Dhe lot i ndarjes pragun lag

T’a gdhinim të dy tok.

Kudo të jesh na qesh kjo hënë,

– Më thotë vëllai xhan.

Në qoftë e plotë a gjysmë e ngrënë,

unë sytë i mbaj mbi xham.

Diç nxori xhepit ashtu beftë,

kur nata rrekej dritë,

Diçka ndër duar majëmprehtë

Parvazit që skalit.

Dy germa emrash gdhendi fort,

Të shtrembër pranë e pranë.

Dy shkronjat tona sa një botë,

Me mua dhe vëllanë.