Fenomeni i braktisjes po përhapet pothuajse në të gjithë vendin, por sipas hartës së publikuar mbi zonat e braktisura nga, 2011 në 2023, shfaqet më tepër I përhapur në zonat malore, të thella dhe me dendësi të ulët.
Një hartë e publikuar mbi zonat e braktisura nga 2011 në 2023, në kuadër të propozimeve të reformës se territoriale bazuar në të dhënat e INSTAT, vihet re se përqendrimi më i madh i zonave të braktisura është në veri dhe verilindje të vendit, në bashki si Tropojë, Kukës, Dibër, Mat, Mirditë, Fushë-Arrëz, Pukë dhe Malësi e Madh.
Në këto zona, njollat e kuqe që tregojnë braktisjen janë më të dendura dhe më të shpërndara në hapësira të gjera, çka sugjeron tërheqjen e popullsisë nga fshatrat dhe vendbanimet periferike.
Edhe në jug, harta tregon prani të konsiderueshme të zonave të braktisura në bashki si Përmeti, Tepelena, Kolonja, Memaliaj, Gjirokastra dhe zona të tjera të brendshme.
Harta konfirmon një zhvendosje të vazhdueshme të popullsisë nga zonat rurale, malore dhe me akses më të dobët drejt qendrave urbane dhe ultësirës perëndimore.
Braktisja e rreth 13% të territorit të vendit është pasojë e një sërë faktorësh ekonomikë dhe demografikë. Shkaku kryesor lidhet me tkurrjen ekonomike të fshatrave dhe zonave malore, ku mungesa e mundësive për punësim dhe vështirësitë në sigurimin e të ardhurave e bëjnë jetesën e përditshme të pamundur për banorët.
Emigracioni i lartë dhe largimi masiv i popullsisë, veçanërisht i shtresës së re, drejt qendrave urbane brenda vendit apo jashtë shtetit kanë lënë pas zona të tëra të boshatisura. Plakja e popullsisë në këto rajone ka përshpejtuar rënien demografike, duke sjellë shuarje natyrore të vendbanimeve.






















