Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) ka reaguar ndaj rregullores së re të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke kërkuar rishikimin e dispozitave që, sipas tij, kufizojnë punën e gazetarëve dhe cenojnë lirinë e medias.Në një deklaratë publike, UGSH shprehet se rregullorja dhe komentari shoqërues i saj vendosin procedura burokratike, kufizime për praninë e gazetarëve në ambientet e gjykatës, si edhe rregulla të reja për regjistrimet dhe raportimin mediatik. Sipas Unionit, këto masa bien ndesh me Kushtetutën dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat garantojnë lirinë e shprehjes, lirinë e shtypit dhe parimin e gjykimeve publike. UGSH ngre shqetësimin se kërkesa për autorizim paraprak e kthen të drejtën e medias për të raportuar në një leje administrative, ndërsa kufizimi i numrit të gazetarëve dhe mungesa e kritereve të qarta për përzgjedhjen e tyre krijojnë mundësi për vendimmarrje diskrecionale nga administrata e gjykatës. UGSH i bën thirrje GJKKO-së të rishikojë kapitujt e rregullores që lidhen me marrëdhëniet me mediat. Gjithashtu, organizata u kërkon Bashkimit Evropian, Ambasadës së SHBA-së, OSBE-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare që monitorojnë liritë themelore të ndërhyjnë, për të mos lejuar, sipas saj, krijimin e praktikave që cenojnë lirinë e medias dhe transparencën e proceseve gjyqësore.“UGSH konstaton se Rregullorja dhe komentari në këtë rast, kanë përmbajtje tekstuale udhëzuese se si të shkelet Kushtetuta e vendit, neni 22 i së cilës garanton lirinë e shprehjes dhe të shtypit. Në këto dy dokumenta udhëzohet dhe urdhërohet se si gazetarët të pengohen të raportojnë dhe të transmetojnë, por kryesisht edhe se si të jenë të kufizuar për të regjistruar faktet që ndodhin në gjykatë” thuhet në reagim.






















