Projektligji për barnat dhe pajisjet mjekësore, ish-ministri i shëndetësisë: “Është centralizim i grabitjes ”

Një projektligj i ri i qeverisë synon krijimin e një shoqërie shtetërore që do të administrojë zinxhirin e furnizimit me barna, pajisje dhe materiale mjekësore, si dhe një sërë shërbimesh të lidhura me sektorin e shëndetësisë.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, e ka kundërshtuar modelin e propozuar, sepse e ka cilësuar atë si një përpjekje për centralizimin e prokurimeve.

Sigal

Sipas Vasilit, përqendrimi i procedurave në një strukturë të vetme do të dobësonte autonominë e spitaleve dhe do të rriste përqendrimin e vendimmarrjes në qendër.

Objektet s’janë vetëm barnat, pajisjet, por janë edhe materialet mjekësore dhe shërbime. Është një paketë shumë e madhe. Jo për të bërë politikë për politikë, ky është thjesht centralizimi i grabitjes, asgjë më shumë. Për çfarë arsye? Pak kohë më parë ju keni dëgjuar që Edi Rama bërtiste për autonominë e spitaleve, një gjë që këta e shkatërruan. Elementet e autonomisë filluan në 2000-2001, këta e ricentralizuan.

Pyetja është: Në të gjithë Europën ekziston një model i tillë? Përgjigjja është jo. Ky është modeli i hajdutëve. Pse nuk aplikohet? Sepse sot orientimi është autonomi e strukturave sipas rajoneve përkatëse. Një rajon, psh. Shkodra ka një kirurgji të zhvilluar. S’ka të njëjtën specifikë Kukësi. Autonomia do të thotë që paratë t’i përdorësh në maksimum në qëllim të shërbimit.