Shpiragun e t’kurr kompania, por e zmadhon politika dhe qeveria

193
Sigal

Flet Inxh. i Naftës Dr. Isuf Tushe/ Nëse nxirret naftë dhe gaz në Shpirag, sa është sasia, ku shitet dhe sa përfitojnë shqiptarët dhe shteti? Qeveria po shmang përgjegjësinë mbi vendimin e gabuar për shkatërrimin e Uzinës së Përpunimit të Thellë të Naftës, ndaj bënë propagandë që të mbajë sa më gjatë pushtetin si mundësia e vetme për të mbuluar masakrën me koncesionet

Qeveria bën propagandë dhe mashtrime që të mbajë sa më gjatë pushtetin për të mbuluar masakrën e madhe që bëjnë konҫesionarët.

  • Qeveria po shmang përgjegjësinë mbi vendimin e gabuar, që mori me dëshirën e saj, për të shkatërruar një vepër strategjike siҫ ishte Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës
  • Nëse nxirret naftë dhe gaz në Shpirag, sa shumë nxirret? Ku shitet dhe sa të ardhura sigurohen dhe sa po përfiton shteti ynë prej saj?
  • – Koha që k/ministri me tellallët e tij ri-hapën lojën me Shpiragun, përkon pikërisht me pritshmërinë e lartë të tyre, që varej nga rezultati i pusit Shpiragu-5.

Isuf Tushe, Inxh. Gjeolog Nafte, Doktor i Shkencave Gjeologjike

 

22 Shtator 2022-Kërkimet për naftë në Shpirag/ Rama: Nëse realizohet plani, Shqipëria hyn në tjetër ligë.

 

Kronologjia e disa deklaratave pikante politike rreth zbulimit të naftës në Shpirag.

Ka vite që flitet shumë në konferenca shtypi apo intervista brënda dhe jashtë Shqipërisë se lajmet janë të mira, me siguri para kohe, por ashtu e duan fushatat zgjedhore, mbi zbulimin e naftës në Shpirag, që shtrihet në“Bllokun 2 dhe 3 të Kërkimit”. Flitet më shumë nga qeveria e pas 2013 dhe “specialistët” në dikasteret kryesore të saj me ca terma jo teknike që nuk janë në fjalorin e naftës, sesa nga Kompania Shell, që investon dhe kryen punimet. Gjithashtu po aq e zgjatur është heshtja e Opozitës parlamentare. Foli k/ministri Rama rreth 2 vite më parë tek sonda shpimit të Kompanisë “Shell”, se u zbulua një “det i madh nafte” …, dhe në konferencë shtypi me z. Mark Rutte, në Hollandë para pak muajsh, midis të tjerave theksoi se “…, sigurisht dhe me shpresë, presim me padurim një lajm të mirë në fillim të vitit tjetër falë një eksplorimi mjaft intensiv që Shelli po bën në vendin tonë. N.q.se do të jetë kështu, atëherë do të kemi për të festuar jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin në këto kohë të vështira për energjinë dhe për burimet e reja”.

Menjëherë pas tij, në 5 korrik 2022, në një intervistë për Euroneës Albania, “kryegjeologia” e dikasterit të ministrisë, Belinda Balluku, deklaroi se: “Sot, në fazën finale të eksplorimit deri në mars të vitit 2023, pritet të ketë një analizë të hollësishme të mënyrës sesi ky hidrokarbur do të dalë nga nëntoka. Pra, që Shell ka goditur tashmë një arterie shumë të rëndësishme, e cila është e përbërë nga naftë dhe gaz, ky është një fakt” . . . .Fakt apo Propagandë? që vazhdoi në Dritare TV, me intervistën e tij, ish “eksperti” hidrokarbureve në atë dikaster z. S. Dhimaku deklaroi se:. . . , “tashti ne nuk e dimë këtë si do jetë, por ai fakti që kemi disa mijra fuҫi/ditë do të thotë që sasitë do të jenë disa qindra-mijra-milion ton/vit” . . . .

E vërteta është se atje deri atëherë, pas 21 vitesh nga viti 2001, kur Kompania OXY deklaroi zbulimin me pusin e parë Shpiragu-1 dhe Kompania SHELL ka deklaruar rezultate pozitive në 2 puse, Shpiragu-2, 4, gjithsej janë 3 puse pozitiv në një sipërfaqe shumë të vogël. Pusi Shpiragu-3 ishte ndërprerë dhe në shpim ndodhej pusi Shpiragu-5, rezultati i të cilit pritej nga kompania dhe me padurim nga qeveria, por tani me sa po kuptohet nuk duhet të jetë mjaft i kënaqshëm sipas pritshmërisë së tyre.

Kompania Shell, që disponon gjithë të dhënat dhe duhet ta thotë fjalën e saj me kompetencë teknike të plotë flet shumë pak mbi realitetin dhe është shumë e vetëpërmbajtur në ato që deklaron. Edhe kaq sa thotë, me sa kuptohet, më tepër e shtynë qeveria, sepse i duhet për propagandë dhe mashtrime që të mbajë sa më gjatë pushtetin për të mbuluar masakrën e madhe që bëjnë konҫesionarët me koloninë e hajdutëve të kupolës politike në vendburimet ekzistuese të naftës, që i vjedhin dhe shkatërrojnë ҫdo ditë si mall pa zot, ndërsa qeveria hesht duke i lënë ato në mëshirë të fatit. Po ashtu asaj i duhet për të justifikuar dhe shmangur përgjegjësinë mbi vendimin e gabuar, që mori me dëshirën e saj, për të shkatërruar një vepër strategjike siҫ ishte Uzina Përpunimit Thellë të Naftës (UPTHN) Ballsh, të cilën e ҫoi pako postale për SKRAP. Po si mund t’i bësh kaq reklamë dhe propogandë rezultateve ende të pakonsoliduara të naftëgazmbajtjes në Shpirag dhe të lejosh në heshtje të plotë vjedhjen dhe shkatërrimin e gjithë kësaj pasurie natyrore hidrokarbure duke ja falur grabitëqarëve për t’i pasuruar me ҫdo kusht? Kjo nuk është gjë tjetër veҫse “ҫmënduri” e qeverisë dhe opozitës, që bashkë drejtojnë dhe vjedhin Shqipërinë. Kjo ka vetëm një emër sabotim i heshtur i shtetit me pasurinë e popullit.

Pjesa e dytë e lojës

Pasi u thekën mirë në pushimet e verës, vazhdoi pjesa e dytë e lojës, por me një ndryshim, zëvendësuan “ekspertin e hidrokarbureve” me zv/ministrin Ilir Bejtja për ta bërë më të besueshme propagandën, sepse dhe probabiliteti i suksesit, me sa duket, po bije. Jo shumë larg, por në 22 shtator 2022, vetë k/ministri Rama, në një intervistë nga Nju Jorku duke u lutur para “Priftit”Blendi Fevziu deklaroi se:“Unë uroj shumë, lutem përditë që zbulimi aq i rëndësishëm, që ka ndodhur në zonën e Shpiragut të rezultojë komercial … Është një sasi e madhe nafte dhe gazi zbuluar, por jo vetëm kaq, por për herë të parë në Shqipëri kemi një zbulim të një nafte me cilësinë më të lartë botërisht. Shpresoj, sepse tani kompania është duke parë, duke bërë analizat e komercializimit, që do të thotë zbulimi është i qartë, por depozita është thellë dhe kostot e nxjerrjes dhe të komercializimit të saj janë më të larta se sa zakonisht. Dhe duke parë kostot dhe përfitimin, kompania do të vendosë nëse do të bëjë investimin apo jo. Është 50 me 50 si mundësi, por për shëmbull nëse ne do të kemi komercializim të asaj rezerve gjë që sipas planit mund të ndodhë në 2026, atëherë flasim për komplet tjetër gjë: pastaj, atëherë Shqipëria hyn në një tjetër ligë vendesh dhe atëherë mund të flasim për komplet tjetër nivel pagash, komplet tjetër nivel pensionesh, etj, etj. Por këto janë gjëra që janë si të thuash magjia e historisë së një vendi”. Me sa duket ky vendburim, Shpiragu, do të jetë një “Lubi” e vërtetë, jashtë tokësorqë do na “shpëtojë”!

Sipas tij, është zbuluar një sasi e madhe nafte dhe gazi, por ai uron dhe lutet përditë që ajo të jetë komerciale! E ҫuditshme, sepse komercialiteti, kur sasia hidrokarbureve është e madhe, paraprakisht dallohet që me studimin e pusit të parë dhe vetëm mbas konturimit të plotë të vendburimit mund të flitet me një koefiҫientë disi më të lartë sigurie mbi sasinë e rezervave dhe komercialitetin, që do të saktësohen në ecuri gjatë fazës së zhvillimit të tij, por ne po shikojmë se në këtë fazë jemi shumë afër zbulimit, me dekada larg konturim-zhvillimit dhe analizave komerciale. Po ashtu na tingëllon qesharake shprehja se nafta na qënka me cilësi “më të lartë botërisht”, sepse tek ne janë zbuluar dhe shfrytëzuar, pa probleme, vendburime me thellësi mbi 4,000 metra dhe nafta me cilësi të ndryshme, nga kondensatet deri tek naftat e rënda bituminoze, që i përpunonte të gjitha UPTHN Ballsh. Të njëjta me ato që ka zbuluar dhe njeh literatura botërore. Pra, deri tani s’kemi asgjë të saktë, por vetëm lutje pa adresë, zhurmë dhe propagandë mashtruese ofensive, për një rezultat të pritshëm, që zbriti në kufirin e pasigurisë, 50/50%, i cili nuk është më aq shumë i sigurtë dhe përgjigja do të merret në 2026.

Në 13 Tetor 2022, sipas një shkrimi nga G. Hasani ku flitet për raportime në redaksinë e JOQ ALBANIA mbi lëkundjet e tokës në Berat dhe fshatrat përreth, d.m.th. për tërmete në zonën e Shpiragut, që kanë vazhduar prej disa ditësh dhe përbëjnë rrezik për banesat, por qëndra sizmologjike ka publikuar disa regjistrime si lëkundje tërmeti vetëm në këtë datë. Më herët, banorët kanë shpjeguar se Kompania Shell po bën shpërthime në nëntokën e Malit Shpirag për të nxjerrë naftë, që kanë shkaktuar këto tërmete.

Në 21 tetor2022, sipas Gazetës X mbi një intervistë lidhur me Shpiragun në Euroneës Albania, zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja, midis të tjerave theksoi se, “. . . investimi në Shpirag ka një vlerë prej 600 mln eurosh dhe përdor teknologjinë më të përparuar për të nxjerrë naftë nga një thellësi mbi 5 mijë metra. Ka pasur rezultate intriguese, por akoma jo të konsoliduara. Nxjerra e naftës është një proces i vështirë. Në industrinë e naftës është procesi i vlerësimeve gjeologjike dhe sizmike, që japin një panoramë për nëntokën. Ka filluar të nxirret një sasi nafte, por që nuk është komerciale. Në 2028 pritet që nafta të jetë plotësisht komerciale dhe të arrijmë pritshmëritë e Shell për të nxjerrë 100 mijë fuçi në ditë”.

Po mirë more z. Ilir, meqënëse atje nxirret naftë dhe gaz, sa shumë nxirret? Ku shitet dhe sa të ardhura sigurohen dhe sa po përfiton shteti ynë prej saj? Nuk na sqarove për rezultatin e shumëpritur në pusin Shpiragu-5, e përfundoi shpimin, u kompletua, u testua dhe cili është rezultati apo doli negativ? – sipas analizës shteruese, propagandës që po bëhet dhe tërmeteve, pusi është testuar dhe rezultati duhet të jetë jo i kënaqshëm! Sa janë investimet dhe shpenzimet operative të kompanisë, në total, cili është efektiviteti ekonomik i punimeve dhe a ka ndonjë llogaritje deri në këtë fazë? – Sepse n.q.se ajo është jo komerciale deri tani, e tillë do të vazhdojë deri në fund! Sipas marrëveshjes hidrokarbure dhe me këtë korrupsion shtetëror, në 2028 ku parashikohet të nxirren 100 mijë fuҫi naftë/ditë, a parashikohet të marrë fitim shteti dhe sa apo ai fillon pas disa viteve n.q.se koefiҫienti “R” do bëhet më i madh se 1? Sa për procesin e vlerësimit sizmik, në zonat gjeologjike të komplikuara, si Shpiragu, është njëlloj sikur ne të shikojmë paratë e korrupsionit, që kanë depozituar, në Bankat Offshore, hajdutët e fshehur si “aksionerë”nga qeveritë pas konҫesioneve në vendburimet ekzistuese hidrokarbure!

 

Le të përdorim pak logjikën, pas 21 vite nga rezultati pozitiv në pusin Shpiragu-1, kompania Shell ka shpuar gjithësej 4 puse, afërsisht është kompletuar 1 pus në 5 vjet dhe rezultate pozitive janë marrë vetëm në dy prej tyre, Shpiragu-2 dhe 4, po të shtohet dhe pusi Shpiragu-1 koefiҫienti suksesit rezulton 60%. Ju deklaroni se në vitin 2028, Kompania Shell parashikon të nxjerrë 100,000 fuҫi naftë bruto/ditë. Po t’i referohemi debiteve në puset e testuar që keni deklaruar ju “specialistët dhe ekspertët”, prej 1,000-1,500 fuҫi naftë/ditë, rezulton se për të nxjerrë këtë sasi nafte në ditë duhen të paktën 70-100 puse ose mesatarisht 85 puse pozitiv ose rreth 140 puse në total, me koefiҫient suksesi 60%. Me këtë ritëm punimesh edhe me koefiҫient suksesi 100% duhen të paktën 425 vite që të kompletohet numuri i puseve për të nxjerrë këtë sasi nafte në ditë! Me këtë ritëm po pranojmë se Kompania Shell mund të kompletojë 2 puse të rinj deri në vitin 2028 dhe në prodhim do jenë gjithësej 5 puse, të cilët duhet të prodhojnë 100,000 fuҫi naftë bruto/ditë ose 20,000 fuҫi/ditë për pus! Atëherë sipas jush a mund të realizohet ky debit? Ana tjetër ju si “specialistë dhe ekspertë”në fushën e “gjeologjisë dhe sizmikës”, sa e madhe është sipërfaqja e rezervuarit naftëgazmbajtës në strukturën e Shpiragut? Dhe a ka atje mjaft hapësirë për të shpuar 140 ose 85 puse? Sa do jetë koefiҫienti i rënies vjetore të prodhimit nga puset në shfrytëzim? Dhe sa puse të rinj duhen kompletuar ҫdo vit që të ruhet shifra e prodhimit të naftës që parashikon kompania? Po investimet dhe shpenzimet operative totale sa do jenë? Po rezervat e naftës dhe gazit sa mendohen dhe për sa kohë do të nxirren? Cili është komercialiteti i këtij zbulimi? A keni bërë ju apo kompania ndonjë llogaritje prognozE për këto parametra? Prandaj duhet patur pak kujdes me këtë shejtan “fuҫie”, sepse ajo ta bën vezën të duket sa një shalqi!

Pas tij, sipas Axhensisë Telegrafike Shqiptare në 26 tetor2022, zv-k/ministrja Balluku deklaroi se: “Janë lajme që nuk i mbajmë dot dhe mos t’i ndajmë me të tjerët, por SHELL ka kërkuar t’i lëmë kohën e duhur që eksplorimi i tyre të përfundojë. Nga fillimi i vitit 2023 ata do të fillojnë të bëjnë publike sasitë e gjendura”. Ajo foli më tej për një “zbulim” të ri shkencor, “Në shpimet për naftë nuk duhet të biesh në shtresa guri gëlqeror se krijojnë vështirësi për shpimin dhe SHELL është përballur disa herë me thyerjen e kokave të pompës, që ka kosto shumë të lartë, por rezerva është atje. Hajde, Hajde kush e drejton këtë dikaster të rëndësishëm!? Kjo i bie daulles me opingë të grisur dhe fletë KODRA pas BREGUT. Një dreq e di se ҫ’farë thotë kjo me këtë “gurin gëlqeror dhe thyerjen e kokave të pompës”. Në fakt ajo është realiteti se Ministria e Energjisë me gjithë hallkat e saj deri poshtë në bazë, ashtu si dhe vetë qeveria, nuk kanë specialistë, por janë mbushur plot me hajdutë dhe njerëz të paaftë, jo profesionistë, prandaj e katandisën Industrinë e Naftës në këtë gjëndje mjerane. Teatri vazhdoi dhe shfaqja u bë më zbavitëse. “E vetmja gjë që po shihet në kohët e fundit është mënyra se si do të bëhet nxjerrja e kësaj rezerve”. Nëse kjo rezervë do të nxirret në të gjithë kapacitetin e saj, Shqipërisë do t’i duhet të krijojë një fond sovran që është një fond paralel jashtë buxhetit të shtetit, mbi të cilin ndërtohen projekte dhe paketa sociale që janë totalisht të palidhura me buxhetin e shtetit”.

“Fondet sovrane përdoren për projekte madhore, për reforma apo për të shtuar mirëqënien e popullit, si për rritje të pagave dhe gjithçka tjetër. Fondet sovrane udhëhiqen nga bordet ku vendosen njerëz të shquar në fushën e ekonomisë dhe financave. Të gjitha vendet e tjera që kanë fonde sovrane kanë kërkuar të kenë edhe ekspertë të huaj të ekonomisë e financave. Për Shqipërinë ky do të ishte një bekim. Ne jemi shumë afër një lajmi shumë të mirë për vendin dhe jemi duke u përgatitur me ekspertë të huaj për të përballuar një lajm të mirë. Më pas e ka radhën kontrata e kompanisë së madhe italiane në zonën e Dumresë që ka po të njëjtin probabilitet dhe kapacitete për t’u zhvilluar. Shqipëria do të bëhet një nga vendet më interesante për nxjerrjen e naftës dhe gazit duke qenë se të dyja depozitat, si ajo e Shpiragut, edhe e Dumresë kanë naftë dhe gaz”.

Analizë, Komente mbi Prononcimet dhe Premtimet për Dumrenë

Koha që k/ministri me tellallët e tij ri-hapën lojën me Shpiragun, përkon pikërisht me pritshmërinë e lartë të tyre, që varej nga rezultati i pusit Shpiragu-5, se gjoja ishte “faza finale” e kërkimit dhe Kompania Shell, në fillim të 2023, do bënte analizën sesi kjo sasi hidrokarburesh do të dalë nga nëntoka, sepse thellësia e depozitës na qënka e madhe dhe do bëhej një investim 6-7 miliard Euro. Tani sipas tyre, sasia e madhe e naftës dhe gazit me cilësinëmë të lartë botërisht” është zbuluar dhe kompania po bën analizën komerciale, por meqënëse depozita qënka thellë, kosto e nxjerrjes do të jetë më e lartë se zakonisht dhe sipas fitimit ajo do vendos nëse do investojë apo jo dhe n.q.se do investojë atëherë do flasim për një Shqipëri tjetër dhe mirëqënie të paparë që do “shpërthejë” në 2026. Po ashtu, deklarata e zv/ministrit Bejtja për “rezultate intriguese, por akoma jo të konsiliduara. Ka filluar të nxirret një sasi nafte, por që nuk është komerciale”. Ankesat për tërmete rreth Shpiragut dhe loja me kohën kur nafta do jetë komerciale ku njëra thotë në 2023, tjetri në 2026 dhe zv/ministri në 2028, janë tregues se pusi Shpiragu-5 ka përfunduar shpimin, është kompletuar duke kryer edhe ҫarje hidraulike të fuqishme në rezervuar, por rezultati nuk duhet të jetë ai që pritej. Pra është vënë në dyshim ana komerciale, risku u rrit 50/50 dhe me sa duket parashikojnë largimin e kompanisë, e cila mund të ketë filluar përgatitjet për t’u larguar nga Shpiragu, sepse ndryshe do festonte Shqipëria dhe gjithë Rajoni!

Eh, ju hapi punë ky Shpiragu këtyre mostrave, më mirë të mos ishte zbuluar fare, se po vuajnë shumë. Në radhë të parë nuk po gjejnë dot mënyrën se si do ta nxjerrin të gjithë këtë rezervë, që akoma se kanë zbuluar. Për këtë na u dashka që të krijohen ca fonde sovrane, bile që të jenë të pavarur, jashtë buxhetit të shtetit, që do merren vetëm me “projekte madhore”, sigurisht hajdutërie. Por fondet sovrane na paskëshin borde për t’i udhëhequr dhe për këto nuk paska as specialistë Shqipëria po na u dashka të importojmë ca “ekspertë të huaj”, njerëz të shquar në fushën e ekonomisë e financave dhe paskan filluar përgatitjet! Prandaj industria jonë e naftës shkoj për lesh se ne nuk paskeshim patur“ specialistë” përpunimi për vendburimet, “ekonomistë dhe financierë”për të bërë llogaritë dhe e keqja më e madhe ishte se këta llojë nuk i importonim as dot nga jashtë se nuk na lejonte parimi socialist i “mbështetjes në forcat tona”. Ama, një gjë e tha sakët ministresha, na la të kuptojmë se si do që të përfundojë Shpiragu, ne duhet të presim, të durojmë, nuk duhet të mërzitemi, se Kompania Italiane ENI do zbulojë naftë në Dumre, pra propoganda politike, demagogjia dhe mashtrimet mbi popullin do vazhdojnë gjatë!

Po bëjmë ҫudi se ka rreth 3 dekada që nga vendburimet ekzistuese nxirren rreth 1.5 milion ton naftë/vit dhe konҫesionarët si kanë krijuar këto fondet sovrane, as bordet e tyre me “ekspertë të huaj”. Mesa duket këto i bëjnë vetë politikanët dhe qeveritarët hajdut që fshihen si “aksionerë” pas tyre, prandaj kompanitë konҫesionare “punojnë me humbje”, se ata nuk i bëjnë mirë hesapet. Bile kjo do jetë edhe arsyeja pse qeveritë e pas 90’ i dhanë me konҫesion vendburimet se ne s’paskim pas specialistë për të bërë këto llogaritje! Eh, e di që ajo ka të“drejtë” se ekonomistët në kohën tonë nuk dinin nga kapej lapsi dhe Shqipëria paska pritur nga ata të bënin këto “hesape speciale”, por ama një gjë të mirë ne e kishim se nxirrnim naftë dhe gaz, arka e shtetit mbushej me dollar, nuk e njihnim korrupsionin, industria petrokimike dhe rafineritë punonin pa pushim, TEC-et prodhonin energji elektrike dhe ne nuk i njihnim krizat e energjisë. Teknologji e “vjetër” ishin në fakt, por punën e bënin tamam dhe naftat e rënda ishin, por ne eksportonim goxha karburante, po me atë tren që ҫon naftën bruto, që vjedhin konҫesionarët dhe politikanët drejt portit të Vlorës, por ҫudi si i blenin këta të huajt, me siguri ata kanë prishur makinat!.