Demokracia na solli lirinë e fjalës, por na mori në heshtje, ushqimin, krahët e punës dhe tokën

Speciale nga Rifat Kullolli / Bujqësia shqiptare, historia e një dështimi të planifikuar dhe antikombëtare. U zhduk pambuku, panxhari, orizi, urofi, tërfili e silazhi, emra që sot tingëllojnë si fjalë të një gjuhe të vdekur. Kombinati i sheqerit u la të kalbet, fabrika e orizit heshti, plehrat kimike në Fier e Laç u mbyllën, së bashku me 12 institutet kërkimore shkencore. Bujqësia jo vetëm nuk nuk u rilind, por u la në mëshirë të tregut, oligarkisë dhe propagandës, ndërsa blegtoria, që ishte zemra e ciklit bujqësor, u la në mëshirë të fatit, deri në zhdukje…

– Demokracia e vërtetë na solli lirinë e fjalës, por ajo na mori në heshtje të dhimbshme, ushqimin e tokës, krahët e punës dhe kujtesën e tokës

NOA

-Bujqësia shqiptare, historia e një dështimi të planifikuar dhe antikombëtare…

– U zhduk pambuku, panxhari i sheqerit, orizi, kolza, sorgumi, sudan grasi, urofi, tërfili i silazhit, emra që sot tingëllojnë si fjalë të një gjuhe të vdekur.

-Kombinati i sheqerit në Maliq u la të kalbet si një relike e padëshiruar, fabrika e orizit në Rrogozhinë heshti përgjithmonë.

-U mbyllën linjat e prodhimit të plehrave kimike si në Fier dhe në Laç…Së bashku me to, u mbyllën dhe të 12 institutet kërkimore shkencore të prodhimit bujqësor.

– Nën qeverisjen 12 vjeçare të Rilindjes famëkeqe të Edi Ramës, bujqësia nuk u ringrit, nuk u Rilind, por u la të mbijetojë në mëshirë të tregut dhe propagandës.

– Blegtoria, që ishte zemra e ciklit bujqësor, u la në mëshirë të fatit. Lopët e qumështit, viçat për mish u rralluan deri në zhdukje…

– Sot, mishin e presim të vijë nga të katër anët e botës, nga Brazili, Australia, Franca…

Rifat Kullolli

Demokracia vërtetë na solli lirinë e fjalës, por ajo na mori në heshtje diçka më të prekshme , ushqimin e tokës sonë, krahët e punës dhe kujtesën e tokës. Ajo nuk shkurtoi vetëm numrin e njerëzve në ara, por preu fijet e një tradite që ishte ndërtuar me djersë, brez pas brezi. U zhduk pambuku, që dikur zbardhte fushat si një borë e vonuar vere. U harrua panxhari i sheqerit, që jo vetëm i priste rrugën importit , por ushqente industrinë. Orizi nuk gjeti më ujë për të pasqyruar qiellin. Kolza, sorgumi, sudan grasi, urofi, tërfili i silazhit, emra që sot tingëllojnë si fjalë të një gjuhe të vdekur.

Pse ndodhi kjo katrahurë në këtë sektor kaq jetik për shëndetin e një kombi ?

Sepse nuk u zhdukën vetëm kulturat bujqësore, por u shkulën rrënjët e tyre. Në vitet ’90, nën drejtimin e Sali shkatërrimtarit, me një të rënë të lapsit u çmontua gjithçka që i jepte kuptim prodhimit, kombinatet e përpunimit të pambukut, në tekstile në Tiranë e Berat u kthyen në skelete betoni, Kombinati i sheqerit në Maliq u la të kalbet si një relike e padëshiruar, fabrika e orizit në Rrogozhinë heshti përgjithmonë. U mbyllën linjat e prodhimit të plehrave kimike si në Fier dhe në Laç…Së bashku me to, u mbyllën dhe të 12 institutet kërkimore shkencore të prodhimit bujqësor.

Tokës iu hoq arsyeja për të prodhuar.

Dhe kur toka humbi arsyen, bujku humbi shpresën. Por ajo që nisi si çmontim nga demoktrat-ikasit , u kthye më pas në demontim përfundimtar të organizuar. Nën qeverisjen 12 vjeçare të Rilindjes famëkeqe të Edi Ramës, bujqësia nuk u ringrit, nuk u Rilind, por u la të mbijetojë në mëshirë të tregut dhe propagandës. Mijëra e mijëra fermerë shkrehën punën, lanë investimet e tyre , që tashmë kishin dështuar nga mos mbështetja dhe mbrojtja e shtetit .Fshati përgjatë 35 vjetëve po përdoret më shumë si dekor elektoral sesa si shtyllë zhvillimi. Investimet strategjike munguan, zinxhiri prodhim–përpunim–treg nuk u ringrit, dhe fermeri mbeti i vetëm përballë një tregu të egër dhe të pabarabartë. Blegtoria, që ishte zemra e ciklit bujqësor, u la në mëshirë të fatit. Lopët e qumështit, viçat për mish u rralluan deri në zhdukje… Sot, mishin e presim të vijë nga të katër anët e botës, nga Brazili, Australia, Franca…Një mish pa histori, pa aromë vendi, pa lidhje me tokën tonë. Në restorantet “agroturistike” serviret vetëm iluzioni i një pjate bio që mban emrin e fshatit shqiptar , por jo shpirtin e tij. Dikur, në ato vite që sot i quajmë me përçmim “të prapambetura”, fermeri quhej bujk, dhe ishte njeri i tokës, jo grabitqar i saj. Ai njihte çdo parcelë e brazdë, çdo aromë, çdo stinë, çdo vijë uji. Nuk mbillte vetëm për treg, por për vazhdimësi të brezave.  Sot, kemi më shumë fjalë, por më pak prodhim.

Sot…

-Kemi dëgjesa kryeministrore , por që askush dëgjohet e nuk ka të drejtë të kërkoj ndihmë kryeministrit përballë kamerave. -Kemi shumë grante financiare nga B.E, me programe specifike për bujqit, por fonde që shkojnë për vila, resorte, për turizëm e për qoka klientele politike… -Kemi shumë premtime, por që shkojnë me perëndimin e diellit. -Kemi shumë dalje në terren ,shoqëruar me video e foto të ministrit të ri të bujqësisë, por me mentalitet të vjetër në rilindjen e bujqësisë … -kemi më shumë liri në programe teorike për fermën , por kemi shumë pak lidhje me tokën … Kjo nuk është thjesht një kronikë e shkruar për një ekonomi bujqësore, kjo është një histori e tmerrshme e një humbjeje të pallogaritshme në financat e buxhetit dhe në historikun e një tradite mijëra vjeçare … Nuk ka shqiptar të besojë se këto 35 vjetë demokraci , shteti të bëhet varrmihës i tokës dhe ushqimit kombëtar. Kjo e ka emrin TRADHETI dhe antishqiptarizëm. Kjo nuk është humbje e një kulture që nuk matet me statistika, por me atë që nuk mbin më…dhe nuk dihet se sa breza do i shoqërojë ky mallkim…

Pronarët e tokës

Në një kohë që problemi i ish pronarëve është zgjidhur me ligj të posaçëm, kryeministri sheh ëndrra natën dhe i tregon për shqiptarët ditën… Deklarime të tilla nuk janë thjesht çështje retorike politike, ato prekin drejtpërdrejt sigurinë juridike të pronës dhe themelet e bashkëjetesës qytetare në Shqipëri. Kur një kryeministër relativizon tapinë, ai në fakt vë në pikëpyetje vetë shtetin ligjor. Sepse tapia nuk është një copë letër pa vlerë, ajo është kontrata themelore midis qytetarit dhe shtetit. Në momentin që kjo tapi bëhet e pasigurt, çdo qytetar bëhet i pasigurt në pronën e tij, në investimin e tij, në të ardhmen e tij. Prej më shumë se tre dekadash , shteti shqiptar ka ndërtuar një mekanizëm të mangët, shpesh të padrejtë, por gjithsesi funksional, për kompensimin e ish-pronarëve. Ky proces ka pasur kosto të mëdha financiare dhe sociale, por ka pasur një parim, mosprekjen e pronës së fituar me ligj nga qytetarët aktualë. Çdo devijim nga ky parim nuk është reformë, por destabilizim.

Deklarata të tilla prej të forti nga pozicioni që mban në këtë pushtet, Edi Rama hap preçedentin për t’i marrë tokën çdo shqiptari që sot e 200 vjet që e ka me tapi dhe për ta kaluar atë te një pretendues tjetër,klientele e politikës ,përmes gjyqesh të dyshimta apo proceseve të zgjatura.