Harallamb Fandi: Perla e zezë e fotografisë së Vasil Qesarit

300
Sigal

Albumi me fotografi artistike “BORDEAUX INSOLITE” përshtypjet e veçanta t’i jep sapo e merr në duar. Së pari, përmasat nuk i ka si albumet e zakonshëm. Duket më shumë si një libër, me gjerësi mbizotëruese ndaj lartësisë dhe që të rëndon goxha në duar, aq sa të kujton flalën e urtë “Edhe floriri i vogël është, po vlerën…” Peshën e rëndë ia shton ndoshta subjektivisht edhe kontrasti mbizotërues i të errëtave me të bardhat vezulluese të ndërtesave në kopertinë, shto në të edhe kompaktësinë mjaft cilësore të lidhjes së albumit.“Perla e zezë, – thua vetvetiu për çka ke në duar – simbol force e pavarësie…” Dhe s’të duket aspak se po e tepron, pavarësisht se për autorin duket se modestia është cilësi që i ri më mirë pas shtatit. Sepse ai, jo më kot, për të theksuar  karakterisikën kryesore të objektit të veprës, por edhe për të ruajtur modestinë e tij, fjalën “INSOLITE” (“E JASHTÈZAKONSHME) të titullit e ka shkruar me shkronja të patheksuara.

Janë 173 faqe me fotografi nga Bordoja, qyteti me numrin më të madh në botë të ndërtesave, që Unesco-ja i ka vënë nën mbrojtje si pasuri të trashëgimisë së njerëzimit. Aty-këtu në album, gjen edhe shënime përshtypjesh nga artistë e shkrimtarë të shquar francezë, të cilat për të mos penguar shikimin, autori i ka lënë si fjalën “insolite”, të patheksuara. E, megjithatë, vlerat dhe kënaqësitë, që zbulohen nga shikimi i pamjeve, të bëjnë t’u rikthehesh përshtypjeve të shkruara, që duke u përputhur me ato që je duke përjetuar, ta shtojnë kënaqësinë.

Bordò-ja, të cilës i është kushtuar albumi, ndahet nga Vlora, ku autori i veprës ka lindur, me 1723.8 km. në vijë ajrore, po si qytet i “ lindjes së dytë” të tij, ajo është e lidhur pandashmërisht me Vlorën nga e njëjta dashuri. Këtë veçori e ndjeva sapo nisa të hap albumin kur, brenda meje, u ngritën, si reflektim i natyrshëm, tingujt goditës të tokatës dhe fugës të Bach-ut në organo, që me kontrapunktet e tyre shoqëruan mrekullisht kontrastet e bardhezisë së pamjeve të fotografuara. Pa hyrë akoma në brendësi të albumit, sapo pashë njerëzit, te figurat e të cileve vibronin dritëhijet gjallëruese të rrugëve e fasadave të ndërtesave, më erdhi në mend Vlora me banorët e saj, mbështjellë gjithashtu nga vibrimet e dritës, edhe më  lozanjare, mesdhetare. Shoqërimi muzikor u pasurua edhe nga ndërthurja e menjëhershme e muzikës së Bach-ut me tingujt e shpejtë marramendës të violinave të veprës “Katër stinët” të Vivaldit, ardhur nga kujtimi i drithërimave prej pamjeve të Vlorës në fotot që kemi parë e shohim shpesh në facebook me ditët e diellta verore prej po këtij autori.

Pasioni për fotografimin në bardhezi nuk është i ri për Vasil Qesarin. Ai ka ardhur i mbartur që nga fillimet e artit të tij në Vlorë ,“dobësinë” dhe mallin për bukuritë e të cilës e shohim shpesh në fotot që publikon. Gjatë viteve, pasurimi i mjeshtërisë për kapjen e çasteve kalimtare ku, sidomos te njerëzit, shfaqen më me forcë mesazhe poetike qytetare, është bërë cilësi dalluese e fotografit. Ai nuk luan me marifetet e profesionistëve të publicitetit të rëndomtë, të përhapur gjithandej. “Unë nuk kërkoj, gjej”, thoshte Picasso-ja. Dhe Vasili “gjen” si rastësisht, atë që në të vërtetë s’është e rastit dhe që, për t’u përcjellë si art, ka nevojë për diçka që jo të gjithë e kanë. Në ndihmë të kuptimit të kësaj vijnë fjalët e Gisèle Frend-it, sjellë në album nga poeti Mark Losson: ”Mos i kërkoni fotografit të krijojë format. Atij i duhet vetëm t’i riprodhojë ato. Në hierarkinë e artistëve, fotografi ngjan me përkthyesin dhe një përkthyes i mirë duhet para së gjithash të dijë se si ta shkruajë vetë atë që po sjell”. Jo për krahasime, që sot janë bërë të rëndomta, po për të ndriçuar sado pak të vërtetën e shprehjeve të përmendura më sipër, mjafton të kujtojmë që për “vizatimet me dritë “ Gjon Mili ynë “gjeti “ Piçasso-n dhe Piçasso-ja “gjeti” dhe shfrytëzoi gjenialitetin e fotografit legjendar, për të realizuar serinë tij të mrekullive  artistke të papara. Në të dy rastet autorët “gjetën” gjuhën e njëritjetrit. Gjoni ia riprodhoi kuptueshëm Piçasso-s gjithçka i duhej me gjuhën e fotografit dhe piktori largpamës e shfrytëzoi mrekullisht atë. Gjetja dhe përvetësimi i kësaj gjuhe është gjithashtu edhe çelësi i suksesit të Vasil Qesarit.

Për të sjellë e ”përkthyer” kuptueshëm nga shikuesi bukuritë dhe mesazhet e çastit të vetëtimtë të kapjes së imazhit, që ikën shpejt e s’kthehet më, fotografit i duhet  të ketë, veç talentit, edhe një përgatitje e përvojë të admirueshme.

Si artist fotograf, reporter televiziv e gazetar si dhe botues i shumë atikujve për artin e fotografisë, Vasil Qesari, i cili jrton në Francë prej 25 vjetësh, i quajtur dhe “Sinbadi i Detit të Fotografisë”, ka disa dekada  pune e suksesi. Nuk është rastësi dhe hapja e gjashtë ekspozitave vetiake në Bordo e në disa  vende të ndryshme të botës, si ne SHBA ( New York e Boston), në Luksemburg, Portugali, Tunizi etj si dhe dalja pëpara këtij albumi e albumit “Balcan Rhapsody” me 100 foto artistike apo e albumit tjetër që del së shpejti, kushtuar grave të paepura iraniane në luftën e tyre për drejtësi e barazi shoqërore, frut i katër udhëtimeve jo pa rreziqe në Iran.

Hedh sytë në albumin “Bordeaux insolite” dhe sheh me kënaqësi se në të gjen njohuri e mjeshtëri kompozicionale në shpërdarjen e figurave, dritës e hijeve të studiuara “si me nge”(për fotografin s’ka kurrë “nge “, sepse çasti që duhet kapur, fluturon) si dhe një arsenal i tërë, i ngjeshur brenda një shprepjeje të aparatit fotografik për të evidentuar kryesoren si dhe për të dalluar kënaqësisht shkallëzimet, sidomos të hijeve deri në zbulim të butësisë apo të ashpërsisë së materies.  Sheh gjithashtu kapje lëvizjesh që, edhe pse janë brenda një pamjeje të vetme, nuk ngurtësohen, sheh ujë shatërvanesh e tymnaja pikash, që shoqërojnë lëvizjet e harbuara të kuajve në skulpturat e shumta, sheh linjat si qëndisje me dritë të portreteve e trupave të të rinjve në rrugë e në bare, sheh e merr në thellësi të vetes edhe dhimbjen që u rëndon mbi supe njerëzve, sidomos të moshuarve, sheh jetën të shfaqur në të gjitha format dhe nuancat e saj.

Të mbash në duar dhe jo vetëm në duar, po në gjithë qënien tënde një album me të gjitha këto, a nuk të duket se “perla e zezë” ka një peshë që e vështirëson vërtet harresën?