Egon Velaj :Kur feja shndërrohet në armë politike. Nga Çubrilloviçi te Kandahari i Fatmir Shehollit

Nga Egon Velaj

A jemi duke u përballur kohët e fundit me një version të ri të një strategjie të vjetër me qëllim që të dobësohet shqiptaria duke e shtyrë Kosovën drejt një identiteti fetar që pastaj mund të përdoret kundër saj?

Sigal

Nga historia e Ballkanit kemi mësuar një të vërtetën e hidhur se popujt nuk zhduken gjithmonë vetëm me luftë. Ndonjëherë ata dobësohen duke u prekur identiteti, duke u ndryshuar orientimi, duke nxitur shpërnguljen dhe duke i kthyer dallimet e brendshme në armë politike. Pikërisht për këtë arsye, ajo që po ndodh sot në Kosovë meriton një vështrim shumë më të thellë se një debat i zakonshëm mbi fenë.

Aktakuza e fundit e Prokurorisë Speciale të Kosovës ndaj Fatmir Shehollit, ku ai akuzohet për spiunazh dhe shantazh, ka hapur një dritare të pazakontë mbi mënyrën se si mund të mendojë një shërbim inteligjent kundërshtar. Sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet se ishte rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë, BIA, dhe se i përcillte këtij shërbimi informacione mbi zhvillimet politike, sigurinë dhe institucionet e Kosovës.  Por pjesa që duhet të shqetësojë veçanërisht shqiptarët është një dokument i gjetur në telefonin e tij, i emërtuar “Top Secret 2”. Sipas raportimeve mbi aktakuzën, dokumenti përshkruan një strategji që synonte zgjerimin e ndikimit të radikalizmit islamik në Kosovë dhe rajon. Përmenden ndërtimi i xhamive në vende të dukshme pranë autostradave, shkollave dhe qendrave tregtare, si dhe rritja e numrit të tyre në fshatra të mëdha. Përmenden gjithashtu shkollat fetare dhe ndikimi mbi figura nga politika, media, muzika dhe sporti. Dhe më pas vjen formulimi më tronditës se sipas raportimeve mbi dokumentin, qëllimi afatgjatë do të ishte krijimi i një atmosfere ku Kosova të perceptohej si një vend i radikalizuar, duke dëmtuar marrëdhëniet e saj me Perëndimin. Në skenarin e përshkruar aty thuhet se, pas njëzet vitesh, Kosova do të dukej “si Kandahar”.

Nëse ky dokument vërtetohet në gjykatë si pjesë e një operacioni të shërbimit serb, atëherë kemi përpara diçka shumë më të rëndësishme se një episod spiunazhi. Kemi një shembull të mundshëm të luftës hibride përmes identitetit.

Teza e Vaso Çubrilloviç mbi shpërnguljen e shqiptarëve u konceptua si projekt shtetëror.

Për ta kuptuar pse kjo çështje duhet marrë seriozisht, duhet të kthehemi te një nga dokumentet më famëkeqe të historisë politike serbe ndaj shqiptarëve. Më 7 mars 1937, Vaso Çubrilloviçi paraqiti në Beograd memorandumin “Iseljavanje Arnauta” – “Shpërngulja e shqiptarëve”.

Dokumenti nuk ishte thjesht një shkrim akademik. Ishte një projekt politik për zgjidhjen e asaj që qarqet nacionaliste serbe e quanin “çështja shqiptare”. Çubrilloviçi argumentonte se kolonizimi i Kosovës me popullsi serbe nuk kishte dhënë rezultatet e dëshiruara dhe se duhej kaluar në një metodë tjetër, atë të largimit masiv të shqiptarëve. Në memorandum ai e përshkruan shpërnguljen si rrugën efektive për ndryshimin e strukturës demografike të Kosovës dhe sugjeron përdorimin e presionit, propagandës, mjeteve ekonomike dhe organizimit të transportit drejt Turqisë. Në një pjesë të memorandumit, Çubrilloviçi argumenton se për zhvendosjen e një popullsie të tërë duhej krijuar një “psikozë” e përshtatshme. Ky është një koncept që duhet të na interesojë edhe sot sepse  Çubrilloviç na tregon se një projekt i shpërnguljes nuk fillon domosdoshmërisht me mjetet e transportit por fillon me krijimin e një atmosfere ku njerëzit ndihen të huaj në vendin e tyre.

Nga dëbimi fizik te ndryshimi i identitetit

Këtu qëndron pyetja më e rëndësishme. A mund të ekzistojë një strategji moderne që nuk synon më t’i dëbojë shqiptarët me dhunë, por t’i shtyjë ata drejt një identiteti aq të theksuar fetar saqë identiteti kombëtar të dobësohet dhe Kosova të paraqitet ndërkombëtarisht si një hapësirë “islamike” dhe “radikale”?

Dokumenti “Top Secret 2”, sipas përmbajtjes së publikuar nga mediat mbi aktakuzën, pikërisht këtë skenar e paraqet si objektiv të forcimit të ndikimit fetar, krijim të një perceptimi ndërkombëtar të Kosovës si shtet radikal dhe, në perspektivë, largim të një pjese të popullsisë.

Këtu duhet të bëjmë një dallim të prerë dhe të jemi të kujdesshëm pasi Islami nuk është armik i shqiptarëve. Shqiptarët myslimanë janë pjesë e pandashme e kombit shqiptar. Armiku është radikalizimi politik i fesë, kur feja përdoret për të zëvendësuar kombin, për të krijuar ndarje dhe për të prodhuar një identitet që mund të manipulohet nga aktorë të jashtëm. Ky dallim është jetik sepse një shqiptar mysliman mund të jetë po aq shqiptar sa një shqiptar katolik apo ortodoks dhe historia e kombit shqiptar është ndërtuar pikërisht mbi këtë bashkëjetesë, prandaj çdo projekt që tenton ta kthejë fenë në kriterin kryesor të identitetit shqiptar është, në thelb, një goditje ndaj vetë modelit historik të shqiptarizmës.

 

Shpërnguljet drejt Turqisë janë histori që nuk duhen harruar me qëllim që të mos përsëriten.

Historia e Jugosllavisë së shekullit XX na jep një tjetër pjesë të rëndësishme të mozaikut. Në vitin 1938 u negociua një marrëveshje jugosllavo-turke që synonte rregullimin e shpërnguljes së popullsive myslimane drejt Turqisë. Në dokumentacionin historik, kjo lidhet edhe me përpjekjet për zhvendosjen e shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia dhe zonat jugore të Jugosllavisë. Një studim akademik mbi politikën e periudhës tregon se marrëveshja parashikonte deri në 40 mijë familje, rreth 200 mijë persona, të kategorizuar si “turq”. Kjo është një pikë shumë e rëndësishme sepse në këtë periudhë identiteti fetar dhe identiteti etnik mund të përdoreshin bashkë dhe shqiptari mysliman i ndikuar nga shumë faktorë, mund të kategorizohej si “turk” dhe kur një individ pranon të identifikohet kryesisht si pjesëtar i një komuniteti fetar apo i një hapësire civilizuese të huaj, bëhet shumë më e lehtë që ai të konsiderohet nga shteti si një popullsi e “transferueshme”.

Pas Luftës së Dytë Botërore, problemi nuk u zhduk. Në vitin 1953 u arrit një marrëveshje që lidhej me emigrimin nga Jugosllavia drejt Turqisë. Në periudhën 1953–1966, qindra mijëra qytetarë të Jugosllavisë u larguan drejt Turqisë. Shqiptarë nga Kosova dhe hapësirat e tjera shqiptare të Jugosllavisë u shpërngulën në numër të madh dhe këtu na vjen e qartë një tablo ku presioni,

identiteti, shpërngulja dhe ndryshimi demografik nuk janë gjithmonë fenomene të ndara por na paraqiten si elementë që bashkëveprojnë në simfoni të plotë me njëri tjetrin.

Pse duhet të na shqetësojë sot rasti i Zogajt?

Në gusht 2026, në Zogaj të Vushtrrisë shpërtheu një debat i fortë rreth ndërtimit të një kishe katolike. Këshilli i Bashkësisë Islame në Vushtrri kishte kundërshtuar projektin duke argumentuar se në zonë nuk kishte besimtarë katolikë dhe se fshatrat përreth ishin myslimane. Më pas pati protesta të banorëve.

Protestuesit, megjithatë, deklaruan publikisht se nuk ishin kundër fesë katolike dhe as kundër myslimanëve, por kundër asaj që e konsideronin një projekt përçarës dhe të lidhur, sipas pretendimeve të tyre, me interesa serbo-ruse.

Në këtë situatë të huaj për shqiptarët, kemi të drejtë të bëjmë një pyetje shumë serioze…

Çfarë ndodh me identitetin shqiptar nëse një shqiptar fillon të thotë: “Ne jemi myslimanë, prandaj nuk duam kishë këtu”?

Kjo do të ishte një kthesë shumë e rrezikshme sepse shqiptarët historikisht nuk janë bashkuar mbi parimin “jemi të së njëjtës fe” por janë bashkuar mbi parimin, “Jemi shqiptarë, pavarësisht fesë”, dhe ky ka qenë një nga sekretet më të mëdha të mbijetesës shqiptare.

 

Paralajmërimi i Kadaresë

Ismail Kadare e ka trajtuar në mënyrë të përsëritur problemin e marrëdhënies midis identitetit shqiptar, fesë dhe politikës ballkanike. Në këtë kontekst, referenca ndaj Çubrilloviçit është e rëndësishme sepse ajo na detyron të rikthehemi te pyetja nëse mund të përdoret feja për të dobësuar identitetin kombëtar shqiptar.  Historia tregon se po, identitetet fetare kanë qenë shpesh pjesë e politikave shtetërore dhe demografike në Ballkan dhe kur feja bëhet më e rëndësishme se kombi, ajo mund të kthehet në instrument të përçarjes.

Nëse aktakuza dhe përmbajtja e saj ndaj Fatmir Shehollit, konfirmohet nga gjykata, atëherë strategjia e serbe do të ishte jashtëzakonisht cinike dhe kriminale… “ta shtysh një shoqëri shqiptare drejt një radikalizimi fetar që më pas ta përdorësh këtë radikalizim për ta paraqitur atë shoqëri si të papërshtatshme për Perëndimin.

E thënë shumë thjeshtë, me këtë politikë, Serbia, forcon identitetin fetar mbi atë kombëtar duke krijuar pamje të radikalizimit si dhe frikëson  perëndimin, duke dobësuar  marrëdhëniet e Kosovës me aleatët dhe nga ana tjetër duke nxitur emigrimin dhe duke perdorur si argument se Kosova po zbrazet, do të pretendojë se shqiptarët nuk janë në gjendje të ndërtojnë një shtet funksional.

Nëse ky është realisht mekanizmi i përshkruar në dokument, atëherë kemi të bëjmë me një strategji të sofistikuar dhe pikërisht për këtë arsye duhet hetuar deri fund pasi rreziku real është instrumentalizimi i fesë dhe kur një institucion fetar përdoret për projekt politik, radikalizim, përçarje kombëtare dhe armiqësi ndaj komuniteteve të tjera ose ndikim nga shtete të huaja, do të duhej vigjilenca e shtetit që situata mos të agravojë në linja të rrezikshme destabilizuese.

Shqiptarët kanë një pasuri që shumë kombe të tjera nuk e kanë dhe ajo është bashkëjetesa fetare. Bashkëjetesa fetare ka mbijetuar përballë perandorive, pushtimeve, komunizmit dhe luftërave prandan çdo projekt që synon ta zëvendësojë këtë formulë me, “Feja mbi kombin” duhet kundërshtuar me vendosmëri.

Nga Çubrilloviçi te shekulli XXI

 

Çubrilloviçi mendonte për shpërnguljen në terma territorialë por sot, teknologjia, propaganda dhe lufta hibride mund ta bëjnë të panevojshëm përdorimin e të njëjtave metoda. Sot nuk ke nevojë domosdoshmërisht ta dëbosh një popull por ta bësh të largohet duke e bërë të ndihet i huaj dhe duke e ndarë kështu nga diaspora. Mund ta bindësh se identiteti i tij kryesor nuk është kombëtar por fetar. Mund ta paraqesësh vendin e tij si ekstremist dhe ta dobësosh ekonomikisht. Mund të nxitësh emigrimin dhe pastaj, pas njëzet vitesh, mund të thuash, “Shikoni, Kosova po zbrazet.”

Kjo është arsyeja pse dokumenti “Top Secret 2”, nëse provohet autentik dhe nëse provohet lidhja e tij me strukturat serbe, nuk duhet parë vetëm si një pjesë e dosjes së Fatmir Shehollit por duhet parë në kontekstin e historisë së gjatë të luftës për Kosovën.

Çubrilloviç e kuptonte se kontrolli i territorit nuk ishte vetëm çështje ushtrie por ishte çështje popullsie, identiteti, psikologjie dhe demografie.

Nëse aktakuza ndaj Fatmir Shehollit dhe dokumenti “Top Secret 2” provohen në gjykatë, atëherë historia do të na ketë dhënë një paralajmërim të jashtëzakonshëm dhe shqiptarët do të bëjnë gabim fatal nëse e injorojnë sepse një popull nuk humbet vetëm kur i marrin tokën. Një popull fillon ta humbasë veten kur harron se çfarë e bashkon dhe ajo që i ka bashkuar shqiptarët, përtej xhamisë, kishës dhe teqesë, ka qenë gjithmonë një fjalë:”Shqiptaria”.