Ethet e Nilit Perëndimor po përhapen me shpejtësi në Maqedoninë e Veriut dhe në vendet e tjera të rajonit e Evropës. Deri më tani, autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut kanë regjistruar 53 raste të prekura (50 të konfirmuara në laborator dhe 3 të dyshuara), ndërsa bilanci i viktimave ka arritur në gjashtë persona.
Viktima e gjashtë në Maqedoninë e Veriut është një 72-vjeçar nga Shkupi, i cili ndërroi jetë pas 15 ditësh qëndrimi në spital me pasqyrë të rëndë klinike dhe sëmundje të rënda shoqëruese.
Drejtori i Klinikës së Sëmundjeve Infektive, Fadil Cana, bëri me dije se nga 51 pacientë të shtruar deri më tani, 27 janë shëruar dhe kanë dalë nga spitali. Aktualisht në klinikë po marrin trajtim 18 pacientë, ku 15 prej tyre kanë shfaqur formë neuroinvazive të infeksionit dhe pesë ndodhen në terapi intensive për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
Përveç rasteve te njerëzit, prania e virusit është konfirmuar edhe te një korb i ngordhur i gjetur në një park në Resnjë. Ky përbën rastin e dytë të regjistruar te shpendët në vend, pas një rasti të ngjashëm të konfirmuar më parë në Shkup. Zbulimi i virusit te shpendët konsiderohet element kyç për monitorimin e vatrës infektive, pasi ata përbëjnë bartësit natyrorë që infektojnë mushkonjat, të cilat më pas e transmetojnë virusin te njerëzit.
Krahas Maqedonisë së Veriut, të dhënat e fundit kombëtare tregojnë një përkeqësim të situatës epidemiologjike në disa shtete evropiane. Italia mban numrin më të lartë të të prekurve me 432 raste të konfirmuara dhe 17 vdekje, ndërsa në Greqi numri i infeksioneve ka arritur në 232 raste, me 19 persona të pajetë.






















