“Lamaj në konflikt me Frrokun” E motra: E kërcënuan me jetë

570
Sigal

TIRANE – “Pak ditë para se të vritej komisari i policisë Dritan lamaj, është kërcënuar me jetën e të motrës dhe vajzës së tij”. Këtë fakt e bëri publik motra e të ndjerit Lamaj gjatë dëshmisë së dhënë para gjykatës në procesin gjyqësor ndaj biznesmenit Arben Frroku të pandehurin e drrejtësisë për vrasjen e kryepolicit. Esmeralda Lamaj motra e të ndjerit, dëshmoi para gjykatës se Lamaj pak ditë para se të vritej është kërcënuar se do t’i vrisnin vajzën dhe motrën (Esmeraldën), por asnjëherë Dritani s’ja tha se kush e kishte kërcënuar. “Ai prej kohësh ishte i shqetësuar”, -shtoi ajo para gjykatës, duke dëshmuar se pas protestës të bërë kundër vëllait të saj dhe fletushkave të shpërndara nëpër Tiranë, i kish kërkuar dhe të largoheshin jashtë shtetit por Dritani i kish thënë se kjo gjë është e pamundur. Në seancë ka dëshmuar dhe bashkëshortja e Lamajt, Anila Lamaj, “Nuk dija të kishte konflikte të tjera përveçse me Arben Frrokun”, tha ajo, ndërsa rrëfeu se ishte në dijeni që Dritan Lamaj kishte procese gjyqësore të hapura me Arben Frrokun. “Para kësaj ngjarjeje,-tha ajo në seancën gjyqësore, -nuk e njihja biznesmenin. Lamaj tha se nuk ka pasur dijeni të ndonjë konflikti tjetër që bashkëshorti i saj mund të kishte, përveçse konfliktit me Frrokun. Në dëshminë e saj ajo është kthyer pas në kohë më 24 shkurt të 2013-ës, ditë kur u ekzekutua kryekomisari Lamaj. Ajo tregoi se Lamaj erdhi në shtëpi rreth orës 15.00 dhe ka dalë sërish në orën 18.00 për të çuar motrën tek një i afërm. E gjithë ngajrja, tregon bashkëshortja e Komisarit, ndodhi sapo Lamaj zbriti poshtë shtëpisë. “Në orën 18.25 kam dëgjuar breshëri dhe kam dalë në ballkon, i bija telefonit, por Dritani nuk e ngrinte. Më pas zbrita poshtë dhe më thanë që është plagosur në gjendje të rëndë në spital”, rrëfeu Anila Lamaj. Ajo tha se sipas dëshmive të njerëzve, ishin tre persona të maskuar që kishin qëlluar me automatik. Arben Frroku, i pranishëm në seancë nuk ka pranuar të japë dëshminë e tij, ndërsa prokurori Arton Martini ka lexuar atë ç’ka Frroku ka dëshmuar para oficerëve të policisë gjyqësore ku pranon konfliktin me Lamajn por mohon vrasjen. Më tej ka dëshmuar dhe bashkëjetuesja e biznesmenit Frroku, A.Guri ndërsa djali i tij Grand Frroku, vëllai deputeti Mark Frroku dhe kushëriri i tij Jak Jaku do të pyeten nw seancën e 23 prillit. Lamaj u ekzekutua pasditen e 24 shkurtit në afërsi të banesës së tij në rrugën “Petro Korcari” në kryeqytet, ndërsa për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, i dyshuari kryesor për ekzekutimin është biznesmeni Frroku.

MOTRA E KRYEKOMISARIT: TANI ME THA SE E KISHIN KERCENUAR ME JETEN E VAJZES
Dëshmi edhe më të forta vijnë prej motrës së komisarit. Esmeralda Lamaj, thotë se Dritani i kishte thënë se para vrasjes Dritani i kishte thënë se e kishin kërcënuar me jetën e vajzës. “Para ngjarjes, Tani më ka folur për Arben Frrokun që kishte konflikte, ai më këshillonte të kisha kujdes. Në një bisedë të pak ditëve para vrasjes, Tani më tha: Më kanë kërcënuar me jetë, bëj kujdes motër jemi në Shqipëri”. Ajo thotë se vetëm pak para vrasjes ka biseduar me Lamajn në telefon, pasi komisari e prite në makinë për ta çuar tek tezja.

FRROKU: S’KAM KALUAR NË RRUGEN KU U VRA LAMAJ
Frroku refuzoi të dëshmojë në seancë dhe dëshmia e tij dhënë për oficerët e policisë u lexua nga Prokurori Anton Martini. Ashtu sic ka ndodhur prej fillimit kur biznesmeni është njohur me akuzat, edhe në këtë seancë nuk ka pranuar vrasjen e komisarit Lamaj.  Frroku tha se ka udhëtuar nga Tirana në orën 17.30  dhe në 21.30 ka qenë në Kapshticë. “Ditën e vrasjes nuk kam kaluar tek rruga ku është ekzekutuar Dritan Lamaj”. Në dëshminë e tij, Frroku thotë se ka pasur njohje me Dritan Lamjan dhe i ka shkuar në shtëpi për ngushëllim kur i ka vdekur babai. Ndërsa për autorët të cilët u dyshuan si grabitës së makinës me të cilën u ekzekutua komisari, Frroku thotë se i ka njohur vetëm përmes mediave.