Flet Prof. Dr. Lush Susaj: Situata në sistemin arsimor është edhe më e rëndë se sa në politikë

– Pothuajëse në çdo universitet publik, rektorët për 8 vite me radhë janë katapultuar pasi kanë qenë rector.

– Një rol shumë të madh për shpopullimin ka luajtur e po luan edhe kaosi në sistemin arsimor dhe rënia e reputacionit dhe cilësisë në universitete.

NOA

– Problemet e shtetit janë problemet e qytetarëve ku qytetarët duhet të reagojnë në mënyrë demokratike, e të kërkojnë zgjidhjen e kontratës së qeverisjes

– Reagimi për shkollën dhe universitetet publike është detyrë e çdo shqiptari

– Rendi ekonomik varet nga rendi moral, dhe se përgjegjësia dhe llogaridhënia ekzistojnë në një shoqëri dhe qeverisje që i respekton ato.

Ka mbi 30 vjet që shkollat dhe universitetet publike në Shqipëri, nuk arritën që të ndërtojnë ligje demokratike.

-Për më shumë se 24 vite me radhë janë goditur e mënjanuar e gjithë meritokracia e mirëfilltë.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Pa ushqimin shpirtëror të shoqërisë nuk ka individë krijues dhe pa këta të fundit nuk ka shoqëri moderne. Gjithçka që realizohet në një shoqëri bëhet me arsye dhe me vullnet nga individët. Nuk ka zhvillim e progres të shoqërisë pa individët krijues që të mendojnë në mënyrë të pavarur –thekson Ajnshtajni. Pse? Sepse njerëzit krijues janë personalitete të pavarura, janë të prirur të marrin përsipër rreziqe janë të pashtershëm në ide, energji e vullnet për të krijuar modele të reja duke luftuar për realizimin e tyre në jetë. Vetëm individi krijues mund të krijojë vlera të reja për shoqërinë, për më tepër madje edhe të përcaktojë standarte të reja morali në shoqëri. Ne nuk e dimë të ardhmen e shoqërisë as të shkencës, por jemi të bindur se nuk ka zhvillim e progres të shoqërisë moderne pa të ardhme të universiteteve ku përgatiten individët krijues. Kjo është një lidhje e brendshme thelbësore dhe objektive, shfaqja konkrete e së cilës është cilësia e produkteve humane që furnizojnë vazhdimisht shoqërinë, por nga ana tjetër cilësia e këtyre produkteve humane është e pamendueshme pa ushqimin shpirtëror të shoqërisë. Këtë raport, përveç Ajnshtajnit nuk mund ta shprehte në mënyrë shterues asnjë tjetër. Pa personalitete krijuese të afta që të mendojnë dhe të gjykojnë në mënyrë të pavarur, zhvillimi dhe përparimi i shoqërisë është aq i pamendueshëm sa dhe zhvillimi i personalitetit tek individët pa ushqimin shpirtëror të shoqërisë. Mendja dhe shpirti i një shoqërie moderne, sipas Shekspirit, janë Arsimi dhe Morali. Asnjë organizëm nuk mund të quhet i shëndetshëm, në qoftë se ka defekte në mendje dhe deformime në shpirt. Kështu ndodh edhe me shoqërinë, defektet në arsim dhe deformimet në moral e çojnë një shoqëri në krizë institucionale. Për sa më lart lindin disa pyetje” Në çfarë nivelesh është sot arsimi i lartë në Shqipëri? A zhvillohet rregullisht  dhe me nivel të lartë mësimi? Po vetë pedagogët a shkojnë të përgatitur? Reformat e fundit në arsimin e lartë a kanë dhënë rezultat? Në këtë intervistë do të gjeni disa nga përgjgijet e pyetjeve të mësipërme…

-Z. Susaj ju jeni kryetar i zgjedhur i sindikatës së pavarur të punonjësve të UBT. Si do ta cilësoni arsimin e lartë të sotëm shqiptar? A janë të motivuar profesorët për një mësimdhënie efektive?

Së pari dua të theksoj se reagimi për shkollën dhe universitetet publike është detyrë e çdo shqiptari.

Unë jam kryetar i zgjedhur i sindikatës së pavarur të punonjësve të UBT, e kurrë nuk mund të heshtë për sjelljet dhe situatat, që shkatërrojnë sistemin arsimor, nga ku buron edhe demotivimi i profesorëve dhe studentëve për të punuar e jetuar në Shqipëri. Shqipëria ka nevojë për reagimin e secilit, e jo për gojëkyçjen dhe heshtjen përballë shpopullimit, ku një rol shumë të madh ka luajtur e po luan edhe kaosi në sistemin arsimor dhe rënia e reputacionit dhe cilësisë. Sipas mendimit tim, reagimi për shkollën është detyrë e çdo qytetari.

Pavarësisht nga propaganda që është bërë e që po bëhet, është krijuar një situatë dekurajuese, që nuk gëzon e nuk nderon askënd. Tani po vërtetohen të gjitha ato që kemi shkruar e deklaruar edhe më parë në media, në lëvizjen sindikaliste, në protestën studentore e kudo tjetër në forumet e organizuara mbi arsimin, bujqësinë dhe mjedisin, fusha për të cilat kemi njohuri sa për të gjykuar e reaguar.

Sipas filozofisë së Platonit, problemet e shtetit janë problemet e qytetarëve. Ndërsa sipas filozofisë së Kantit, qytetarët duhet të reagojnë në mënyrë demokratike, e të kërkojnë zgjidhjen e kontratës së qeverisjes, sa herë që qeverisja bëhët amorale, arrogante, përçarëse e mashtruese. Kurse Adam Smith, tek vepra e tij me titull “Teoria e Sentimenteve Morale”, ka shkruar që rendi ekonomik varet nga rendi moral, dhe se përgjegjësia dhe llogaridhënia ekzistojnë në një shoqëri dhe qeverisje që i respekton ato.

Sikurse të gjithë e dimë dhe po i përjetojmë pasojat, ka mbi 30 vjetë që shkollat dhe universitetet publike në Shqipëri, nuk arritën që të ndërtojnë ligje demokratike e as funksionim demokratik, nga ku burojnë zgjedhjet demokratike dhe qarkullimi normal i projekteve dhe elitave akademike. Në këtë pikë, duket që situata në sistemin arsimor është edhe më e rëndë se sa në politikë. Nëse hedh një vështrim retrospektiv e të shpejtë mbi strukturën vendimarrëse e drejtuese të universitetet publike, do të mund të kuptohet ajo prapambetja dhe fakti i trishtë, sipas të cilit në këto 30 vite, janë po të njëjtët njerëz e klane që kanë qënë qysh në fillimin e demoracisë, e ku përveçse e kanë, uzurpuar me taraf e korrupsion, për vite me radhë janë tallur me reformat, me ligjet dhe me urdhëresat, që nuk u zbatuan kurrë si duhet. Madje në shumë raste kanë arritur që të lobojnë edhe në vendimarrjet e gabuara të qeverive të këtyre 30 viteve. Nga ku janë prodhuar ligje në shërbim të uzurpimit dhe të drejtimit nepotikë e korruptiv të universiteteve, e ku në jo pak raste duke i kthyer në streha të punësimit të mediokritetit dhe të zyrtarëve të korruptuar të politikës. Akoma më keq ka ndodhur sa herë që politikanëve mediokër u janë dhënë tituj dhe grada shkencore pa meritë, përkundrejtë padrejtësisë ndaj meritokracisë dhe elitës së mirfilltë.

-Ju thoni që problemet në arsimin e lartë janë shumë të mprehta. Mund të na sillni diçka më konkrete?

Ja po ju tregoj, disa fenomene të vockla, por me fuqi të madhe degraduese për universitetet tona.

Pothuajse në çdo universitet publik, rektorët për 8 vite me radhë janë katapultuar (pasi, pavarësisht nga propaganda sofiste, zgjedhje demokratike nuk ka patur as në universitete) të njëjtët persona që punuan 8 vjet më parë si dekanë, e po të njëjtët që kishin punuar edhe 8 vjetë të tjera si shefa departamenti. Që do të thotë që e gjithë vendimarrja, rekrutimet në punë, kurikulat mësimore, etj., janë bërë nga pak njerëz, që për më shumë se 24 vjet, pavarësisht nga aftësitë e tyre, kanë arritur që të uzurpojnë dhe tërheqin zvarrë fatet e universiteteve, të stafeve pedagogjike, e mbi të gjitha të rinisë studentore. Ky është shkaku i situatës aktuale në sistemin e arsimit të lartë, kështu zbritëm në rezultatet e rankimit ndërkombëtare, e pa bërë reformat me ligje europiane nuk mund të ndryshojmë asgjë. Në këtë mënyrë, për më shumë se 24 vite me radhë janë goditur e mënjanuar e gjithë meritokracia e mirëfilltë, dhe çdo intelektual që guxon me folë e me reagu në mbrojtje të demokracisë studentore e universitare. Autokracia e shkatërrimit të sistemit arsimor dhe universitarë, ka qënë dhe është produkt i qeverisjeve të korruptuara, të cilat pranuan dhe miratuan ligje në shërbim të kapjes së sistemit dhe të promovimit të pushtuesve 30 vjeçar të universiteteve. Nepotizmi dhe korrupsioni i bëri këta njerëz bejlerë të bejllëkut me pasuritë dhe reputacionin e universiteteve publike.

Aq i thellë, i pashpirt e i përhapur është nepotizmi (nga ku buron kapja dhe korrupsioni), sa kolegë të universiteteve të ndryshme të vëndit flasin troç dhe tregojnë se si abuzivizmi arrin deri në atë pikë sa gjen edhe 7 pjestarë të një familje të punësuar në një universitet, e jashtë kritereve të meritokracisë. Kështu bie cilësia e mësimit. Studentët nuk arrijnë që të marrin kurrë profesione nga ata që nuk janë profesionistë, por pjesë e rrjetit nepotik. Për këtë arsye po na largohen nxënësit e studentët më të mirë. Po largohen ata që nuk kanë lidhje nepotike me kastën e arrogancës dhe korrupsionit të sistemit. Nepotizmi pothuajse e ka pamundësuar edhe ardhjen e studentëve dhe atyre që prej vitesh punojnë në institucionet arsimore të vendeve të Europës Perëndimore, pasi vendet janë të projektuara dhe të zëna për tarafin nepotik e korruptiv. Me këtë autokraci, nepotizëm e korrupsion mund të rekrutohen vetëm ata që paraqesin besueshmëri për të votuar partinë dhe strukturën nepotike të radhës.

Kaq e rëndë është situata në sistemin arsimor, e sidomos në universitetet publike saqë një ish drejtor i burimeve njerëzore për mbi 30 vjet me radhë (e që tashmë ka dalë në pension), tregon faktin që në universitetin që ka punuar, janë 78 personel akademik (nga 360 në total) që nuk e kanë notën mesatare 8, e që është kriteri minimal për t’u regjistruar në mastër shkencor (VKM, 1999) e për të konkuruar e punuar si pedagog. Mënyra se si janë marrë e dinë vetëm ata, ndërsa analiza me lëvizë kudo në shtratin e së keqës. Aty ku zhvillohet korrupsioni, nepotizmi dhe vrasja e meritokracisë dhe reputacionit të sistemit tonë arsimor. Mjafton ky fakt, mjafton për të kuptuar se si kanë vepruar monarkët dhe autokratët e këtyre 30 viteve, nga ku dëshmohet shkaku real i manipulimit të zgjedhjeve në universitete, e mbi të gjitha shkaku i dështimit të reformave dhe mungesës totale të demokracisë shkollore e universitare.

Fan Noli ka folur për kolltukofagët, që kurrë nuk ju shqitën Shqipërisë. Ndërsa kolltukofagët e sotëm, edhe pse jetojmë në mes të Europës, nuk lejuan kurrë që për shkollat dhe universitetet tona të hartohen e as të zbatohen reforma dhe ligje europiane, zhvillimore e produktive.

Përkundrejt modelit të bejllëkut dhe autokracisë në universitetet tona, po sjellim fakte dhe shëmbuj mbi mënyrën se si Kroacia e ka stopuar nepotizmin dhe korrupsionin shkollor dhe universitar. Kroacia me 4,5 milion banorë ka vetëm një universitet publik në Zagreb, ku rektori dhe dekani zgjidhen vetëm njëherë për mandatin e tyre 3 vjeçar, e pa të drejtë rikandidimi e rizgjedhje. Në këtë mënyrë, atje është mbyllur me ligj historia e autokracisë dhe vjedhjes së universiteteve. Ne kemi kërkuar si sindikatë dhe si profesor, por edhe si qytetarë. Në shtetet skandinave, aplikohet edhe zgjedhja e rektorëve dhe dekanëve të huaj, me qëllim evitimin e nepotizmit, korrupsionit dhe kapjes përmes rekrutimeve neopotike e partiake. Në disa vende të tjera aplikohet zgjedhja e drejtuesve të universitetetit nga një bord akademik të përzier nga vende të ndryshme, por që kanë arritje, emër dhe reputacion të mirë shkencorë. Kur ka vullnet e dëshirë, modele ka dhe mund të gjënden, mjafton që të kuptohet sa poshtë po na degtisë nepotizmi dhe korrupsioni, të cilat kanë prodhuar autokracinë universitare e shkollore më të pashëmbulltë e të neveritshme në rajon dhe botë.

Nuk sjellin asgjë të mirë ligjet, që nuk stopojnë njëherë e përgjithmonë rizgjedhjen dhe vrapin e nepotizmit dhe të korruptuarve drejt institucioneve dhe universiteteve publike.

Kështu mund të flasim edhe për ligjin e arsimit të lartë ( 2016), si një ligj korruptiv, degradues e që ka përkeqësuar situatën e arsimit. Këtë e shon edhe në faktin që, pretendimet apo propaganda e ndarjes së aspektit mësimor-edukativ dhe kërkimor nga aspekti administrative, nuk funksionoi e nuk solli asgjë të mirë. Përkundrazi përforcoj edhe më shumë pushtetin nepotik e korruptiv të autokracisë mbi fondet, programet, rekrutimet dhe të gjitha aspektet administrative. Mund të sjellim një shembull konkret se si, sipas ligjit rektori është edhe drejtuesi i senatit të universitetit. Është punëdhësi, por edhe drejtuesi i senatit, njësoj sikurse kryeministri të jetë edhe kryetar i kuvendit. Apo ku senati voton për zgjedhjen e kancelarit, që sipas ligjit duhet të jetë administrator dhe drejtues i fondeve dhe punëve administrative. Këtu mund të kuptohet fare mirë shtegu i hapur që mbetet për shkak se rektori që është drejtues i senatit, ka ndikuar jo pak zgjidhjet e senatorëve, nga stafet e rekrutuar nga po kjo strukturë, e persona.

-Më konkretisht çfarë do të thotë kjo?

Që do të thotë që në të shumtën e rasteve, edhe administratori i universiteteve publike është një produkt i rektorëve dhe klanit të tyre, rrjedhimisht edhe të varur kokë e këmbë prej tyre.

Edhe situata brenda dekanateve dhe rektorateve flitet dhe duket që është përkeqësuar shumë, pasi aty janë instaluar të preferuarit e tyre, e ku jashtë egos dhe interesave të tyre nuk mund të ketë asgjë. Në këtë mënyrë është goditur me ligj meritokracia dhe aspekti menaxherial.

Akoma më keq, duket që është vepruar me karrierën akademike të profesorëve, nga ku janë hartuar ligje dhe VKM që realisht pengojnë dhe demotivojnë profesorët e aftë, por që nuk janë pjesë e klanit nepotik, e as e klanit autokratik të sistemit. Që të avancojnë në karrierë, atyre ju kërkohen dy doktoratura të udhëhequra, kur shkolla e doktoraturës ka qenë e mbyllur që në vitin 2013. Në këtë mënyrë shteti po penalizon dhe demotivon të rinj të talentuar që të  kualifikohen e të ndihen mirë në vendin dhe në shtetin e tyre. Sepse, edhe tani që programi i doktoraturave është hapur, praktikisht ka debate e fjalë që udhëheqësit po i përcaktojnë drejtuesit, nga ku si shpërblim po kërkojnë të marrin votat në zgjedhjet që do vijnë.

Pjesa më ironike është propaganda mbi rolin e njësisë bazë (departamentin), por që realisht nuk pyetet për asgjë. Sepse edhe shefat e departamenteve, ka kohë që nuk bëjnë zë. Kanë kyçur gojën dhe presin që të rizgjidhen sipas modelit të marrisë së pashëmbulltë 8 – vjeçare. Kjo ndodh në një kohë kur që prej më shumë se 100 vjetësh, në universitetet e Europës, mandati i shefit të departamentit është 1-2 vjeçarë, me rrotacion e pa të drejtë rikandidimi e rizgjedhje.

Hallet dhe problemet janë të mëdha, por di dhe e kuptoj faktin që duke reaguar, mund të stopohen më lehtë si dhe me ligje të provuara nga shtete e vende shumë afër me Shqipërinë.