Rushan Dosti: Dëshmorët e Fekenit, viktima të shtetit, apo të ortekut?!

Njëmbëdhjetë viktima, asnjë fajtor

Ngjarja e 6 shkurtit 1981, ka mbetur në kujtesën tonë si një çmenduri e kohës, kur një urdhër nuk diskutohej, por zbatohej. Zbatohej dhe pas zbatimit mund të kërkoje sqarime. Ishte e shkruar në rregullore. I bie që sipas kësaj rregulloreje, 11 dëshmorët e ngjarjes tragjike të 6 shkurtit 1981, të kërkojnë sqarime pas vdekjes.

NOA

Pikërisht këtu nis edhe problemi, që deri më sot, pas 44 vitesh nuk është hetuar dhe asnjë fajtor nuk është akuzuar e jo më të jetë dënuar. Sot pas kaq vitesh kur 8 djem 23 vjeçar dhe 3 mbi tridhjetvjeçarë, studentë e petagogë, i vunë shpatullat dheut për shkak të një urdhëri të marrësh, e pakta do të ishte falja para familjeve të tyre. Si dëshmitar i asaj ngjarje, vijoj të qëndroj në krah të dëshmorëve, të cilët dhanë shumë e nuk morën asgjë.

Në këtë ditë të zezë, zbardhën mbi dëborën e bardhë, dritëpashuarit: Dushan Fejzi Shameti, lindur më 1952 në fshatin Dorëz të Tepelenës, komandant batalioni dhe petagog i përgatitjes së zjarrit; Çlirim Halil Pulaj, lindur në vitin 1945 në fshatin Tragjas të Vlorës, shef i planëzimit në Shkollën e Bashkuar; Nikollaq Naun Bero, lindur në Berat në vitin 1946, petagog i taktikës; Aleko Thimio Gjoni, lindur më 1958 në fshatin Nivicë të Sarandës, student i prapavijës në vitin e fundit të diplomimit; Besnik Sulo Shehu, lindur më 1958 në Picar të Gjirokastrës, student gjitharmësh në vitin e fundit; Bilbil Zoto Pashaj, lindur më 1958 në fshatin Kremenar të Mallakastrës, student gjithëarmësh, viti i fundit; Ilir Stefan Gramatiko, lindur më 1958 në Tiranë, student prapavije, viti i fundit; Bujar Masar Ago, lindur më 1858 në Vishnje të Tiranës, student i prapavijës, viti i fundit; Pëllumb Hysni Rrapo, lindur më 1958 në Poshnje të Beratit, student prapavije, viti i fundit; Qemal Qazim Lika, lindur më 1958 në fshatin Selbë të Tiranës, student gjithëarmësh në vitin e fundit; Nexhip Dervish Çoba, lindur më 1960 në Kavajë, student në vitin e dytë.

Këta janë dëshmorët e Fekenit, vendit ku petagogë e studentë jetonin e stërviteshin 1 muaj për çdo vit. Këtu më 6 shkurt 1981 u shënua ngjarja më tragjike ku humbën jetën 11 vetë dhe u plagosën 200 të tjerë. Një ngjarje që bën apek për drejtësi, pasi ekzistonin të gjitha mundësitë, arsyet dhe logjikat, që kjo tragjedi të mos ndodhte. Logjika dhe arsyja na thonë se atje ku ka viktima, ka dhe fajtorë.

Të shpallur dëshmorë, por….!

Nëse do të kishte vepruar logjika dhe arsyja e trupës komanduese, atë ditë studentët nuk do të kishin dalë nga fjetina e jo më të ngjiteshin në malin e Meçekut, malin e vdekjes së 11 njerëzve të pafajshëm, shumica e të cilëve ishin dhëndurrë 23 vjeçarë. Edhe pse 8 studentët dhe tre pedagogët, me Vendim Nr. 2506/2, datë 01.09.1999 të Komisionit Qëndror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, janë shpallur “Dëshmorë të Atdheut”, por jo të gjithë janë vlerësuar sipas ligjit. Ka ende prej tyre që nuk janë sistemuar në Varrrezat e Dëshmorëve, siç është rasti i petagogut beratas Nikollaq Bero, që prehet me prindërit në varrezat publike.

Ka të tjerë që nuk kanë përfituar masën e shpërblimit mujor, përcaktuar me ligj. Për ne ish studentët, dëshmitarë okularë të asaj dite të zezë mbi dëborën e bardhë, tragjedia Fekenit ndodhur në stërvitjen dimërore të 6 shkurtit 1981, ka mbetur e shkruar në memorien tonë dhe gjithë ushtarakëve shqiptarë. Ata djem ranë në zemër të malit të Meçekut në emër të një kauze të madhe. Ata ranë, sepse ishte koha kur urdhëri i eprorit, pavarësisht pasojave, ishte ligj për vartësin. Jetën e tyre e vodhi orteku tinzar, por në të vërtetë, shkaqet duheshin kërkuar më thellë se gropa e zezë që la orteku i zi mbi dëborën e bardhë të asaj dite të zezë.

E them këtë sepse në 44 vite, pas kësaj ngjarje tragjike, gjithçka ka qënë e rrethuar me mister dhe kanë munguar ceremonitë zyrtare, përjashto përkujtimoret e përvitshme të familjeve dhe ish bashkë studentëve me nismë të ish studentit Agron Zerani. Është ky njeri fisnik, që ka investuar për ndërtimin e memorialit të dëshmorëve në Liqenin e Farkës, një vend ku ata përkujtohen dhe nderohen çdo vit.

Me këmbëngulje të ish studentëve u mundësua që dëshmori Pëllumb Rrapo nga Poshnja e Beratit të përjetësohet me emrin e sheshit të Qëndrës Administrative Poshnje dhe të prehet në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit të Beratit, ashti siç po punohet për rivarrimin e eshtrave të Nikollaq Beros në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit të Beratit. Këta dëshmorë janë një monument i Kombit, pavarësisht nëse mbetën viktimë e marrëzisë së urdhrave të marrë të kohës me armiqë imagjinarë, apo ranë në luftë me egërsinë e stuhisë dhe orteqeve të natyrës.

Heroizmi i studentëve u përball me fuqinë e përbindshme të dy ortekëve, që e shndërruan faqen e malit të Meçekut në një gropë të zezë ku dhe vetë mali lëvizi nga vendi. Atë ditë gurët, dhe ahet, u bënë njësh duke marrë përpara çfarë të gjenin. Pedagogët Mark Mici e Petrit Murzaka ishin prijësit e kësaj beteje ndërkohë që “inventari” rezultoi i dhimbshëm: 11 viktima dhe afro 200 të plagosur, aq sa mund të ishte bilanci i një lufte të vërtetë.

Ndoshta mungesa e përvojës alpine, ishte një nga shkaqet, që trazoi tokën e krijoi orteqet. Siç do të thoshin alpinistët e njohur, zërat e lartë, zhurmat dhe disa krisma armësh, ishin faktorë që favorizuan egërsinë e natyrës. Marrëzi mund të quhet edhe këmbëngulja për t’u ngjitur patjetër në majë, pasi urdhëruesit niseshin nga parimi: “Të zhvillojmë stërvitje në kushte sa më të përafërta e reale me motin e terrenin”.

Ishte një kolonë e gjatë studentësh e pedagogësh, që gjarpëronte për në majë të Meçekut, pa ditur se gjarpëri i zi do të flinte poshtë dëborës së bardhë. Të nderosh këta martirë, nuk mjafton as një shkrim, as një ceremoni. Ata meritojnë përjetësi në zemrat tona dhe brezave që do të vinë. Dhe vetë Meçeku duhet të përulet para heroizmit të këtyre djemoshave, që dhanë jetën në lulen më të bukur të rinisë

Mirënjohje deri në përjetësi

Tashmë pas 44 vitesh, nëse bëjmë një llogari të thjeshtë, ata student do të kishin përmbyllur karrierën e tyre ushtarake, për faktin e thjeshtë se e humbën jetën vetëm tre muaj se të përfundonin studimet e pas një viti do të titulloheshin officer.

Ata ishin 23 vjeç dhe asnjëri prej tyre nuk arriti të bëhej dhëndërr, duke lënë plagën më të madhe në zemrat e prindërve të tyre. Nëse do kishin jetuar, sot do të ishin prindër dhe gjyshër si gjithë shokët e tjerë që nuk u përzgjodhën nga egërsia e orteqeve vdekjeprurës. Gjithsesi, siç e thotë  shpesh nëpër biseda, shoku ynë, nismëtari i përjetësimit të jetës së tyre, nëpërmjet Memorialit të Liqenit të Farkës: “Secili nga nesh, mund të ishte njëri prej tyre!”. Në këtë kuptim ne bashkëstudentët e dëshmorëve të Fekenit, kemi misionin e jetës sonë: Mirënjohje deri në përjetësi për këta martirë, dhëndurrë të pakurorëzuar!

Është kjo arsyja, që pas Memorialit në Liqenin e Farkës, ku çdo pemë e mbjellë simbolizon një dëshmor, Sheshin “Pëllumb Hysni Rrapo”, në Qëndrën Administrative Poshnje, me vendosjen e bustit të tij, do ta pagëzojmë me emrin “Sheshi i Pëllumbave”, për faktin se rreth bustit të Pëllumb Rrapos do të jenë 10 pllaka me emrat e dhjetë dëshmorëve të Fekenit. Nuk ka si të ndodh ndryshe, ata ranë bashkë dhe bashkë do të jenë përjetësisht.