Gjatë protestës paraditen e sotme, njëri nga protestuesit është kapur me forcë nga efektivët e policisë dhe shihet të goditet me grusht në barkë nga njëri prej tyre.
Kjo situatë ka alarmuar opinionin publik duke u parë si dhunë ndaj qytetarëve në protest dhe rast i përsëritur.
Mbi situatën ka reaguar deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho e cila e ka quajtur grushtin e policit, grusht pushteti.
Sipas deputetes Xhixho grushti ndaj qytetarit nuk ishte vetëm përdorim force por frikësim, dhunë dhe i njëjti mentalitet i parë nga ngjarja në Zvërnec.
“Polici që godet një njeri të pambrojtur nuk i shërben ligjit. I shërben pushtetit dhe turpëron uniformën e shtetit”, lexohet të thotë Xhixho.
Reagimi i plotë
Pamjet e sotme janë tronditëse: një protestues është i ndaluar, i rrethuar nga policia dhe në pamundësi totale për të lëvizur. Megjithatë, një polic afrohet dhe e godet me grusht në bark.
Për çfarë? Çfarë rreziku përbënte një qytetar i kapur dhe i neutralizuar?
Asnjë. Ky nuk ishte përdorim force. Ishte dhunë. Ishte frikësim. Ishte një grusht politik ndaj një qytetari që guxon të kundërshtojë Edi Ramën.
Polici që godet një njeri të pambrojtur nuk i shërben ligjit. I shërben pushtetit dhe turpëron uniformën e shtetit.
Ky është i njëjti mentalitet që pamë në Zvërnec: kur qytetari proteston, pushteti përgjigjet me dhunë.
Por një regjim që godet protestuesit nuk është i fortë. Është i frikësuar.
Protesta nuk është krim.
Kundërshtimi nuk është krim.
Dhuna e shtetit ndaj qytetarit është Krim.






















