37 pakot me kokainë të kapura në Portin e Durrësit një ditë më parë në hapësirat e jashtme të një kontejneri frigoriferik me mish pule, dyshohet se janë të lidhura me grupin e Gerd Gjinararit, i njohur si “Gjenerali”, i arrestuar pak muaj më parë në Belgjikë.
Njoftimi u bë nga autoritetet belge të cilat goditën po dje grupin e përfshirë në trafikun e kokainës.37 pakot e kokainës së gjetura të hënën, në kontejnerin që transportonte mish pule nga Brazili drejt vendit tonë, sipas mediave ishin porositur nga kompania AMG Food, në pronësi të Mondi Goxhajt.
Por në të njëjtën ditë që ajo u zbulua në portin e Durrësit, në Belgjikë autoritet e atjeshme njoftonin për goditjen e një grupi shqiptar të trafikut të kokainës, në Antëerp, falë një hetimi në bashkëpunim me disa vende, që kishte çuar dhe në kapjen e drogës në Shqipëri.Lidhjen mes dy ngjarjeve e bën vetë zëdhënësi i Prokurorisë së Antëerpit, Kristof Aerts.
“Si pjesë e hetimit, u zhvillua një bashkëpunim i ngushtë me vendet e tjera dhe me Europolin. Kjo mund të rezultojë në arrestime jashtë vendit. Pas ndërhyrjes, një ngarkesë prej 41 kilogramësh kokainë u sekuestrua në Shqipëri, në një kontejner frigoriferik”, tha Kristof Aerts, zëdhënësi i Prokurorisë së Antëerp-it. Çështja është referuar në SPAK, i cili pritet të marrë në vijim hetimin e plotë.
Kokaina e nisur nga Brazili, kishte kaluar më parë tranzit përmes Greqisë.Në Antëerp, grupi i narkotrafikantëve të goditur, rezulton të jetë i lidhur me një personazh të njohur të botës së krimit në Shqipëri, Gerd Gjinarari, i arrestuar po në Belgjikë në muajin qershor.Tetë pjesëtare të grupit përfunduan në pranga, mes tyre një 48-vjeçar shqiptar, i dyshuar si ndërmjetës mes grupeve kriminale në Shqipëri dhe Amerikës Latine.
Sipas hetuesve belgë, ai siguronte lidhjet për importimin e sasive të mëdha të kokainës, përmes portit të Antëerp-it, dhe kishte komunikime edhe me grupe të trafikut të drogës në Evropë e deri në Australi.Emri i tij mbetet akoma mister, por ai rezulton të ketë qenë në kontakt pikërisht me Gerd Gjinararin, një personazh me një të kaluar të hershme kriminale.
Ai ishte 23 vjeç kur në vitin 1997 vrau Naim Zyberin në një spital në Milano, dhe bashkë me disa vepra penale u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda e Milanos, vendim i formës së prerë që prej vitit 2001.Në 2014-ën u soll në Shqipëri për vijimin e dënimit, dhe në shkurt 2019 u lirua me kusht nga gjyqtari Markelian Kuqo në Korçë, vetëm pak kohë pasi u transferua në burgun e Drenovës. Kur Apeli pak javë më vonë vendosi rikthimin e tij qeli, ishte arratisur.
Media belge HLN raporton se në qendër të hetimit është 48-vjeçari shqiptar Arben U., me banim në Berchem të Antëerpit, i cili dyshohet se shërbente si ndërmjetës mes grupeve të ndryshme të përfshira në trafikun ndërkombëtar të kokainës.Sipas medias belge, hetimi nisi rreth një vit më parë, pasi Policia Federale Gjyqësore mori informacione se në apartamentin e Arben U.
mund të ruheshin sasi të mëdha kokaine. Hetuesit vendosën pajisje përgjimi në banesë dhe për muaj me radhë monitoruan bisedat që zhvilloheshin aty.Përgjimet, sipas HLN, zbuluan se kontaktet e 48-vjeçarit shtriheshin përtej Belgjikës. Ai dyshohet se komunikonte me grupe në Shqipëri dhe Amerikën Latine për importimin e kokainës, ndërsa kishte kontakte edhe me grupe të trafikut në vende të tjera të Europës dhe deri në Australi.Prokuroria e Antëerpit, e cituar nga media belge, thotë se Arben U.
dyshohet se kishte rolin e një ndërmjetësi. Ai koordinonte, sipas dyshimeve të hetuesve, aktorë të ndryshëm që merreshin me dërgimin e kokainës, nxjerrjen e saj nga porti dhe shpërndarjen e mëtejshme. Ndërkohë, hetimi belg përfundoi në një operacion me kontrolle në Antëerp, Berchem, Deurne, Kapellen dhe në zonën e Brukselit, ku u arrestuan tetë persona.Mes tyre ishte edhe Arben U. Sipas HLN, katër prej të dyshuarve dolën para Dhomës së Këshillit, ndërsa dy shtetas shqiptarë u lanë në paraburgim. Arben U. dhe një tjetër i dyshuar kërkuan shtyrjen e shqyrtimit të masës së tyre.Një tjetër emër që del nga hetimi është ai i Gerd Gjinararit, i njohur si “Gjenerali”.Media belge shkruan se gjatë përgjimeve hetuesit konstatuan se Arben U. kishte kontakte me Gjinararin, i cili u arrestua në Antëerp në qershor pas vitesh në kërkim.






















