Ainshtajni , zgjedhjet shqiptare dhe  mençuria  izraelite

626
Sigal

Nga Mimoza Erebara

Në një sistem demokratik ajo çka është e rëndësishme dhe e dukshme në një fushatë zgjedhore, padyshim që është lufta që bëjnë partitë për të treguar  se partia tjetër nuk di të qeverisë. Të dyja ia dalin këtij misioni dhe të dyja kanë të drejtë. Nëse do bënim një analogji të thjeshtë me një nga teoritë  më të rëndësishme të kohës moderne, me teorinë e relativitetit të Ainjshtajnit, papritur gjendemi në të njëjtën situatë, veçse kësaj here në Univers dhe për Universin. Një nga rrjedhojat më të qenësishme të kësaj teorie është tërheqja e “zonës rrethuese”. Kjo gjë konsiston në idenë se një trup me masë i cili rrotullohet, merr me vete apo tërheq me vete kohëhapësirën rreth tij. E mbartur në kontekstin tonë, në një nga çështjet që na shqetëson më së shumti, në atë të zgjedhjeve, kjo teori na shpjegon fare qartë të gjithë mekanizmin gati-gati instiktiv të politikës në veprim. Jemi dëshmitarë të kësaj fushate zgjedhore, të mënyrës se si ekziston kjo fushatë nga të gjitha palët. E parë në një kënd më të përgjithshëm, si një politikë të vetme, gjendemi para të njëjtës situatë,  njëlloj si trupi fizik dhe koha fizike në teorinë e relativitetit. Sepse kemi të njëjtat efekte politike e sociale, – njëlloj kemi një vonesë kohore zhvillimi, njëlloj kemi zhvendosje të kahut politik, herë majtas, herë djathtas, herë në qendër, njëlloj kemi të gjitha observimet e eksperimentimet e mundshme, njëlloj kemi një bymim idesh e pseudoidesh që vihen në garën e humbur me kohën, njëlloj kemi veprimin e fenomenit të “ lentes”, ku imazhe tepër të largëta idesh të të njëjtës politikë,  janë tepër të dukshme në të gjithë veprimtarinë partiake. Këto relacione përcaktojnë detyrimisht e fatalisht edhe të gjithë ecurinë e një politike të caktuar dhe të individëve  të përfshirë në të. Duke na sjellë kështu përpara disa rrethanave të ngurta të cilat pengojnë dhe nuk lejojnë zhvillimin dhe vetzhvillimin e njeriut, duke e fryrë politikën deri më atë masë, sa ta kthejë atë në të kundërtën e fillesës së vet, duke na bërë të besojmë në një sistem vlerash liberale dhe tolerance qeverisjeje të përgjegjshme, përtej “lentes” së Ainjshtajnit. Në këto kushte do të ishte mirë, që njeriu të bëhej me të vërtetë një njeri i dëshpëruar, i sapo ardhur në vete, me qëllim që të mund të rrotullohet rreth vetes së tij, pra rreth diellit të tij të vërtetë duke braktisur kësisoj kushtet e ngurta nën të cilat bëhen të nevojshëm iluzionet. Në një farë mënyre njeriu duhet t’i detyrojë rrethanat në favor të zhvillimit dhe të vetzhvillimit të atij vetë. Në një formë fare të thjeshtë, duke e konsideruar vetveten dhe të gjithë sistemin politik e shoqëror nën një organizim të ri  në “sistemin njeri”. Në këtë mënyrë i krijojmë vetvetes  mundësinë  t’i përgjigjemi pyetjes torturuese, cili është funksioni më i volitshëm ? – Rrjedhja e ngadaltë e Kohës për shkak të zhvillimit të ulët intelektual, gjë që padyshim do të ketë edhe pasqyrimin e saj në sistemet e ndryshme politike e shoqërore ? – Zgjerimi i potencialeve në skajet më të largëta të qytetërimit ? -Përkulshmëria e popullit të papeshë, njëlloj si rrezja e dritës, ndaj  ndikimit të politikbërësve aktualë ? -Shkatërrimi i strukturave  shtetare, kur dihet që shteti u krijua pikërisht për t’i mbrojtur njerëzit nga njerëzit ? – Apo njeriu përfundimisht  do të planifikojë të ardhmen e vet ? Dhe duke planifikur do të zgjedhë njërën parti kundrejt tjetrës? Dhe më vjen ndërmend ai tregtari izraelit i këpucëve, që kur pa shkretëtirën u largua me vrap sepse tha: “KËTU NUK DUHEN KËPUCËT E MIA, KËTA ECIN ZBATHUR” dhe tregtari tjetër, që kur i pa njerëzit që ecnin zbathur në shkretëtirë tha: “KËTU DO T’I SHES KËPUCËT E MIA!” -dhe i shiti. Dhe ne që jemi në këtë pragzgjedhjesh e planifikimesh vetjake e kombëtare, jemi në pragun e zgjerimit të nevojave tona, e cila në këto kushte bëhet me të vërtetë një zgjedhje gjeniale, e po aq universale.