Nënkryetari i Komisionit për Shëndetësinë, Eduart Shalsi sqaroi sot se publikimi i nevojave për pajisje në platformën e donacioneve të QSUT është një procedurë e rregullt dhe e detyrueshme me ligj, që synon të garantojë transparencën dhe administrimin e përgjegjshëm të pasurisë publike.
Sipas tij, identifikimi i nevojave kalon në një proces institucional mes QSUT-së dhe Drejtorisë së Përgjithshme, përmes Drejtorisë së Inxhinierisë Klinike.
Shalsi theksoi se njoftimi është publikuar që në muajin shkurt dhe se, aktualisht, të gjitha nevojat e listuara janë plotësuar.
Ai sqaroi gjithashtu se pajisjet e shpallura mund të sigurohen përmes procedurave të prokurimit ose të hiqen nga lista në rast se ofrohen si donacion.
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” reagoi dje ndaj gazetarit Osman Stafa, i cili ndau një dokument të publikuar në faqen zyrtare të QSUT-së për shpallje kërkese për donacion.
QSUT sqaroi se “ky publikim nuk krijon përparësi për përfitimin e donacioneve, por siguron një proces të hapur, të dokumentuar dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi”. Po ashtu QSUT informoi se në zbatim të ligjit “Për të Drejtën e Informimit” publikon informacion mbi donacionet dhe nevojat e identifikuara nga shërbimet, në funksion të transparencës dhe llogaridhënies publike.






















