Në Krishterim, Krishtlindja është festa e lindjes së Jezusit, i cili besohet nga të krishterët si Biri i Perëndisë dhe Perëndia vetë e mishëruar, zbriti në tokë për të shlyer mëkatet e njerëzimit dhe për ta kthyer atë në shtëpinë e Perëndisë. Sipas Ungjillit të Lukës dhe Mateut, Jezusi lindi nga Maria në Betlehem. Tek popujt paganë, kjo festohej si “festa e Dritës”, pra kjo datë është prej mijëra vjetësh për të gjithë popujt një ditë shumë e rëndësishme.
Krishtlindjet janë një festë fetare mjaft e përhapur në botë. Për këtë, studiuesit dhe teologët kanë ndërtuar kronologjinë e festimit të kësaj feste, që nisë nga lashtësia pagane e festës së “Dritës” para erës sonë, e deri në “Krishtlindjet” e Krishterimit në erën e re të ditëve tona, që festohet në 25 Dhjetor të çdo viti. Tradita e krishterë e besimit të lindjes së Krishtit në këtë ditë, ka ndikuar edhe në etimologjinë e fjalës shqipe, “Krishtlindje”, që në italisht i thonë, “Natale”, në spanjisht, “Navidad”, ndërsa në anglishten e sotme i thonë, “Christmas”, që rrjedh nga anglishtja mesjetare, “Christes Masse” (Mesha e Krishtit). Mirëpo Krishtlindja, duke anashkaluar traditën e një festimi plot ngjyra e hare, siç mësohet dhe në departamentet e çdo fakulteti teologjik, ka një histori më të hershme se vetë Krishterimi, ndërsa sot pak kush e di se pranimi i 25 Dhjetorit si dita e lindjes së Krishtit, është bërë nga Kisha e hershme kristiane vetëm në mënyrë simbolike, për t’u dhënë mundësinë të krishterëve që të përqendrohen në rituale e vepra adhurimi, në kujtim të lindjes së figurës qendrore të besimit të krishterë, Jezusit nga Nazareti. Ashtu sikurse shumë elementë të tjerë mitologjikë, të pranuar për të stolisur e pasuruar Krishterimin bashkëkohor, ndër të cilët arkeologët, historianët dhe teologët përmendin veçanërisht mitet e besimeve mitraiste, zoroastriane, egjiptiane dhe babilonase, ku dhe festimet e Krishtlindjeve i kanë rrënjët, siç sqaron teologu, The Ëorld Book Encyclopedia, në festimet e lashta të festës së Saturnit, apo “Saturnaleve”, nga ana e romakëve parakristianë.
Festime të ngjashme vihen re tek besimi i Mitraizmit, i cili i ka fillimet e veta qysh në shekullin VI p.e.s. në Persi dhe Indi. Teologu Uilliam Edelen, në artikullin e tij, “Christian Mythology”, vëren se Perëndia Mitra e besimit Indian, gjithashtu kishte lindur nga një virgjëreshë në prani të barinjëve. Shpëtimtari i madh, Perëndia Mitra, i adhuruar në Indi dhe në Persi, njihej me cilësime si “Perëndia e së vërtetës”, “e jetës”, “e dritës”, “e birit të Zotit”. Ai përfytyrohej dhe paraqitej në arte vizuale me një qengj në krahë, ndërsa në besimin Mitraist, njëlloj si në Krishterimin bashkëkohor, dita e dielë quhej, “Dita e Zotit”. Tek Mitraizmi, dita e 25 Dhjetorit, e cila më vonë do t’i bashkëngjitej traditës së Krishtlindjeve, përjetohej me festime madhështore, me kambana, himne, qirinj e shkëmbim dhuratash, ndërsa ndjekësit e këtij besimi, merrnin pjesë në një meshë të posaçme në ambjentet e besimit të tyre. Nga 25 Dhjetori deri në ekuinoksin e pranverës, (Estra apo Pashka e Madhe), ekzistonte një 40 ditësh adhurimi e ritualesh, që më vonë do të shndërrohej në “Kreshmën e krishterë”, që praktikohet edhe sot para Pashkës së Madhe”. Edhe në Indinë e kohëve të lashta, 25 Dhjetori pritej me festime të mëdha me karakter fetar. Shtëpitë zbukuroheshin me kurora lulesh e gjethesh, ndërsa njerëzit shkëmbenin dhurata e urime të shumta me njëri-tjetrin. Ndërsa në Kinën e Lashtë, Buda (Buddha), besohej të kishte lindur më 25 Dhjetor, pas zbritjes së shpirtit të shenjtë mbi nënën e tij të virgjër, Maja.
Po në 25 Dhjetor, Egjiptianët e Lashtë festonin lindjen e shpëtimtarit të tyre të madh, Horusit, “Zoti i dritës” dhe biri i nënës virgjëreshë, Isis, “mbretëreshë e qiejve”. Po ashtu dhe Osirisi, perëndia i të vdekurve dhe e botës së nëndheshme në Egjiptin e Lashtë, biri i një virgjëreshe të shenjtë, besohej të kishte lindur më 25 Dhjetor. Shumë kohë përpara konvertimit në Krishterimin ortodoks, edhe Grekët e Lashtë e festonin 25 Dhjetorin si ditën e lindjes së Herkulit, biri i Zotit suprem të grekëve, Zeusit, të lindur përmes gruas së vdekshme, Alcmena. Edhe Bakusi romak, i njohur nga grekët me emrin “Dionisi”, perëndia e verës dhe e muzikës, besohej të kishte lindur gjithashtu, më 25 Dhjetor. Gjithashtu dhe Adonisi, një tjetër perëndi i ringjallur nga vdekja dhe i adhuruar nga grekët e lashtë, kishte lindur mrekullisht po më 25 Dhjetor. Adhuruesit e tij organizonin çdo vit festime madhështore, ku përkujtonin plot simbolika e rituale për vdekjen dhe ringjalljen e tij. Ceremonitë e lindjes së Adonisit, sipas të dhënave historike dhe arkeologjike, janë zhvilluar në të njëjtin vend dhe në të njëjtën shpellë, ku sot besohet të ketë lindur Jezusi biblik midis një vathe bagëtishë. Edhe skandinavët parakristianë, e festonin “Krishtlindjen” e tyre më 25 Dhjetor. Për ta kjo ditë shënonte ditën e lindjes së Zotit të tyre të qiejve, Frejrit (Freyr), biri i Perëndisë së lartë të qiejve, Odinit. Pra, sipas teologëve, 25 Dhjetori është një simbolikë e nxitur nga perandori romak me origjinë Ilire, Kostandini. Është interesante të vihet re se festimi i Krishtlindjes më 25 Dhjetor, ka shumë mundësi të lidhet me veprimtarinë e Perandorit Romak, Kostandinit, i cili, si shumë perandorë të tjerë romakë, njihej si “trupëzimi” i Diellit, që në atë kohë adhurohej nga romakët si perëndi. Pas konvertimit në Krishtërim, ky perandor me gjak shqiptar (origjina Ilire), udhëhoqi Konçilin e Niçeas (viti 325 e.s.), në të cilin Krishterimi njohu për herë të parë në mënyrë zyrtare doktrinën e “trinisë së shenjtë”. Kostandini e orientoi besimin e krishterë jo drejtë një ndarjeje të ashpër me paganizmin, por e pasuroi besimin e ri me shumë elementë ekzistues në besimet e mëparshme romake. Në këtë kuadër, historiani Eduard Gibon sqaron se, “Të krishterët romakë, të cilët nuk e dinin datën e lindjes së Krishtit, përcaktuan si festë solemne 25 Dhjetorin, solsticin e Dimrit, të cilin paganët e festonin çdo vit në përkujtim të Perëndisë së Diellit, të Dritës së gjithësisë, pra si “festa e Dritës”.
Në Krishterim, Krishtlindja është festa e lindjes së Jezusit, i cili besohet nga të krishterët si Biri i Perëndisë dhe Perëndia vetë e mishëruar, zbriti në tokë për të shlyer mëkatet e njerëzimit dhe për ta kthyer atë në shtëpinë e Perëndisë. Sipas Ungjillit të Lukës dhe Mateut, Jezusi lindi nga Maria në Betlehem, ku ajo dhe i shoqi i saj Jozefi, po pushonin rrugës për në vendlindjen e tyre, Nazaret, për të marrë pjesë në numërimin e mbarë popullsisë urdhëruar nga perandori August. Tek popujt paganë, kjo festohej si “festa e Dritës”, pra kjo datë është prej mijëra vjetësh për të gjithë popujt një ditë shumë e rëndësishme. Kemi të bëjmë edhe me një histori shumë simbolike, që mbi njerëzimin pllakos herë pas here errësira, pra dhimbja, vuajtja, vdekja dhe ekziston një kapërcim i këtyre në një mëngjes të ri, që sjellë sërish dritë për mbarë njerëzimin. Eshtë shumë e qartë, ne festojmë Krishtlindjet, sepse, si njerëz të Perëndimit Kristian, besojmë se ekziston një figurë e përndritëshme e Krishtit, i cili ka lindur dhe ka jetuar, për të na treguar, se paqja dhe drejtësia në këtë tokë janë të mundura, pra, është e mundur drita pas një errësire, paqa pas një konflikti, të cilat na rrethojnë kaq shpesh po të shohësh lajmet e përditshme kudo në botë.
Historia vazhdon me grazhdin e Betlehemit, mbi të cilin ndriti një yll i Krishtlindjes, i cili u tregoi tre priftërinjve të shenjtë rrugën për në vendin ku lindi Jezui. Kjo frymëzoi poetët dhe muzikantët ti kushtojnë vargje dhe himne muzikore. Ja vargjet e një kënge liturgjie:
-“Një mbret lindi atë ditë/ një bebe porsi ti…!”.
Këto janë vargjet e një kënge tradicionale të Krishtlindjeve, të titulluar “A baby just like you” (Një bebe porsi ti), të kompozuar nga Xhon D. Henri 1975). Kjo këngë shpreh besimin tradicional, sipas të cilit, Krishtlindjet lidhen me ditën e lindjes së Jezu Krishtit, të adhuruar nga miliona të krishterë në mbarë botën dhe të nderuar e respektuar nga po aq myslimanë, të cilët, gjithashtu, mbështetur në shkrimet e tyre të shenjta, megjithëse nuk e besojnë si perëndi e bir të perëndisë, e vlerësojnë plot përkushtim të birin e virgjëreshës Mari, si një ndër profetët më të mëdhenj të historisë së marrëdhënies së njeriut me hyjninë. Sot dita e Krishtlindjes kremtohet me shfaqjen e skenës së lindjes së Krishtit, pemën e Krishtlindjes, shkëmbimin e Dhuratave dhe Kartolinave në familjen e bashkuar dhe ardhjen e Shën Kollit, apo Plakut të Vitit të Ri në prag të Krishtlindjeve, mëngjesin e Krishtlindjes. Krishtlindja është festa në të cilën të krishterët dëshirojnë më shumë se kurrë paqe e dashuri në botë. Gjithashtu Krishtlindja është një festë që kalohet me familjen, pasi “bebi Jezus” lindi pranë familjes së tij. Thuhet se forca e besimit, arriti të ndali edhe luftën ditën e shenjtë të “Krishtlindjes”! Kjo ka ndodhur gjatë Luftës së Parë Botërore, ku trupat luftuese në frontin perëndimor, bënë armëpushim për Krishtlindje dhe kënduan këngë festive për njëri-tjetrin në fushë-betejë. Mëngjesin e Krishtlindjes ushtarët gjermanë dolën nga llogoret dhe filluan t’u afrohen trupave aleate, duke thirrur “Gëzuar Krishtlindjet” në anglisht. Fatmirësisht, nuk ishte një mashtrim dhe dhjetëra luftëtarë britanikë, dolën gjithashtu për të përshëndetur armiqtë e tyre. Ushtarët tokën duart dhe shkëmbyen cigare si dhurata. I ashtuquajturi “armëpushim i Krishtlindjeve i vitit 1914”, mbetet një nga shembujt e fundit të kalorësisë në kohë lufte, në nderim të Krishtlindjeve, kësaj dite të shenjtë për njerëzimin e krishterë. Në këtë ditë festive, edhe përgatitja e pemës së Krishtlindjeve është një traditë që shtrihet në kohë më të hershme se Krishterimi. Pema e Krishtlindjeve është përdorur fillimisht nga popujt gjermanë dhe keltë. Duke qenë se ajo pemë ishte e gjelbër edhe në stinën e dimrit, besohej se ajo kishte fuqi të veçanta mbrojtëse përballë fatkeqësive natyrore dhe shpirtrave të këqij. Ajo stolisej, në veçanti, në fund të dhjetorit, pasi në këtë kohë niste të vihej re zgjatja e orëve të ditës dhe kjo shënonte në besimin e popujve në fjalë, mposhtjen e forcave negative të errësirës dhe të ftohtit dhe triumfin e dritës dhe stinës së ngrohtë.
Krishterimi e bëri të tijën edhe këtë traditë të hershme, por tashmë me një simbolikë të re. Pema e Krishtlindjeve do të simbolizonte gjelbërimin e “Parajsës”, apo “Kopshtit të Edenit”. Përdorimi masiv i pemës së Krishtlindjeve nga të krishterët, ka nisur në fillimin e shekullit të 17-të në Strasburg të Francës, për t’u përhapur më pas në Gjermani, në Europën Veriore, e Britaninë e Madhe dhe së fundi, në Amerikë. Kur mbretëresha Viktoria u martua me Princin Albert të Gjermanisë më 1840, ai solli traditën e pemës së Krishtlindjeve edhe në Angli. Tetë vjet më vonë, gazeta e parë amerikane botoi një foto të pemës mbretërore të Krishtlindjeve dhe amerikanët jashtë Pensilvanisë, e ndoqën menjëherë në masë këtë shembull, duke e sjellë atë edhe në Amerikë. Edhe tradita e vendosjes së zbukurimeve me rastin e Krishtlindjeve, ka një histori të gjatë. Në shekullin e XV, në Londër ekzistonte tradita e zbukurimit të çdo shtëpie me dafina dhe dredhka, me qëllim që i gjithë viti të ishte i gjelbër. Gjethet në formë zemre të dredhkave, thuhet se simbolizojnë ardhjen e Jezusit në tokë. Ngjyrat tradicionale të Krishtlindjeve janë e kuqja dhe jeshilja. Edhe e bardha, argjendi dhe ari, janë gjithashtu shumë popullore. E kuqja simbolizon gjakun e Jezusit, që u derdh në kryqëzimin e tij, ndërsa jeshilja simbolizon jetën e përjetshme. Në festën e Krishtlindjeve ekziston dhe tradita e Shkëmbimit të dhuratave, si një nga aspektet më tërheqëse të Krishtlindjeve moderne edhe pse shumë njerëz mendojnë se i ka fillimet me dhuratat e shkëmbyera gjatë një festivali, që zhvillohej gjatë muajit dhjetor në Perandorinë Romake.
Në shekujt e mëparshëm, kur s’kish lindur ideja e pemës së Krishtlindjeve, njerëzit dekoronin dhomat e tyre vetëm me pak degë të gjelbëra, më vonë në shekullin e 16-të, lindi ideja e pemës karakteristike, të cilën e shpikën shoqata e zanatҁinjve në gjermani. Ata ishin të parët, që rreth vitit 1503, jo vetëm ngritën një pemë në formë bredhi vendosur në dhomën e ndënjes, por varën në pemë edhe gjëra të ëmbla për të ngrënë si dhe fruta. Kurora e ardhjes së Krishtit me katër qirinjtë pasoi vetëm në vitin 1850. “Dhe kurora e Ardhjes së Krishtit është simbol i pritjes, “Adventus”, që do të thotë, se, diҁka po vjen tek unë, dhe ajo që vjen, është vërtetësia dhe drita hyjnore! Nën pemën e Krishtlindjes në kohën e sotme, fëmijët nganjëherë i ngatërrojnë, se kush është ai që “Natën e Shenjtë” të Krishtlindjes, i vë dhuratat e tyre nën pemë, dhe thuhet se ai është Santa Clausi, Nikolausi, plaku i Krishtlindjeve, apo është fëmija i porsa lindur, Jezu Krishti? Ai në të vërtetë është fëmijë Krishti dhe jo plaku i Krishtlindjes. Veprimi i bërjes së dhuratave pa fund, u përhap pas Luftës së Dytë Botërore dhe pas mrekullisë ekonomike në Gjermani. Më parë, ideja e bërjes së dhuratave kishte një kuptim të thellë:-“Eshtë Jezusi ai që na bën dhuratë, ai që na bën dhuratë jetën e tij”. Fëmijëve u bëheshin dhurata, në mënyrë që të kuptojnë se jeta është dhuratë dhe dhuratën e jetës ne e festojmë. Prandaj ka edhe dhurata, por jo në mënyrë të shfrenuar dhe që prindërit të vihen në siklete të ekzagjeruara. Kjo festë është ndër festat më të dashura dhe të preferuara nga mbarë bota krishtere, apo e thënë ndryshe edhe si datë e paqës. Të gjithë festojnë, si të varfërit dhe të pasurit, duke u bërë humanitar dhe duke ndihmuar edhe njerëzit në nevojë. Gëzuar mbarë njerëzimi, paqe dhe dashuri!






















