Kuvendi zhvillon sot, seancën e fundit plenare të këtij sesioni parlamentar, ndërkohë që jashtë tij mbahet një tjetër protestë nga qytetarët.
Në fokus të punimeve do të jenë raportet vjetore të institucioneve të drejtësisë, përfshirë Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Fillimisht deputetët do të shqyrtojnë projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së këtyre institucioneve gjatë vitit 2025, ku një nga pikat kryesore është raporti për veprimtarinë e SPAK-ut për vitin 2025, ku pritet debat politik mbi punën e strukturës antikorrupsion dhe luftën ndaj krimit të organizuar.
Në seancë do të diskutohen gjithashtu raportet e Avokatit të Popullit dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Gjatë seancës plenare do të zhvillohen interpelanca dhe seanca pyetje-përgjigje me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Blendi Himçi, Bujar Leskaj dhe Erald Kapri.





















