Rrjeti ndërkombëtar SafeJournalists ka shprehur shqetësim lidhur me disa dispozita të Rregullores së re të Brendshme të miratuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), e cila është parashikuar të hyjë në fuqi më 1 shtator 2026. Ndonëse njeh përgjegjësinë e gjykatës për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e proceseve, rrjeti i mbrojtjes së gazetarëve nëvizon se efektet e kombinuara të neneve të reja rrezikojnë të cenojnë seriozisht lirinë e informimit.
Sipas deklaratës, neni 76 dhe neni 93(16) ndalojnë kategorikisht mbajtjen e telefonave, laptopëve dhe pajisjeve elektronike në sallë, çka pengon mbajtjen e shënimeve, verifikimin e informacionit dhe komunikimin e gazetarëve me redaksitë në kohë reale.
Gjithashtu, rregullorja vendos një filtër strikt akreditimi vjetor dhe detyrimin për të bërë kërkesë 24 orë përpara seancave, çka krijon barrë administrative dhe vendos në pozitë të pafavorshme gazetarët e pavarur (freelancer), raportuesit e rinj apo mediat e vogla. Po ashtu, shqetësim mbetet rregullimi i çështjeve etike apo përdorimit të inteligjencës artificiale përmes skemës së akreditimit, si dhe mungesa e një mekanizmi të shpejtë për ankimimin e refuzimeve.
Rrjeti SafeJournalists i bën thirrje Gjykatës së Posaçme të pezullojnë zbatimin e dispozitave të kundërshtuara që lidhen me median dhe të ndërmarrin një rishikim të fokusuar përmes konsultimit kuptimplotë me gazetarët, organizatat e medias, ekspertët ligjorë dhe shoqërinë civile.
Kuadri i rishikuar duhet të garantojë që kufizimet që prekin aksesin dhe raportimin e medias të jenë të bazuara në ligj, të nevojshme, proporcionale, të përcaktuara qartë dhe të zbatohen në mënyrë të njëtrajtshme; që gazetarët të mund të punojnë në kushte praktike dhe të arsyeshme; dhe që refuzimet, përjashtimet apo masat ndaj tyre të jenë të arsyetuara dhe t’i nënshtrohen një rishikimi të shpejtë dhe efektiv.
Rrjeti SafeJournalists do të informojë aktorët përkatës kombëtarë dhe ndërkombëtarë për këtë çështje dhe do të vijojë të monitorojë zbatimin e rregullores.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 7 gusht 2026
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës
Shoqata Kroate e Gazetarëve
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Medias e Malit të Zi






















