Ermal Beqiri si princ kurore, blen me milionat nga tenderat e AKSHI-t  kështjellë luksoze 1.200 m² në Francë

 

Me lekët e shqiptarëve, Beqiri  blenë një kështjellë në Francë, një avion në Slloveni, një jaht në Shqipëri dhe miliona euro në llogari! Ajo që ja dha këto miliona jeton me qira, dora vetë, znj. Mirlinda Karçanaj. Linda e pa strehë! Në vendin tonë ka paradokse, njëra me qira pa shtëpi që firmos për tjetrin me kështjella në Francë!

Sigal

Si çdo personazh interesant në botë që ka dalë nga Shqipëria, me sa duket edhe princi i kaltër i paska rrënjët e rrënjosura thellë në lekët e popullit shqiptar. Princi i kaltër, ëndrra e çdo vajze me kështjellën e tij përrallore, paska qenë Ermal Beqiri.Në fillim dolën vilat, pishinat, apartamentet luksoze, jahti “Skyfall” dhe llogaritë bankare, ndërsa më pas u zbulua edhe avioni privat me të cilin Ermal Beqiri u arrestua në Francë.

Tani, kësaj panorame pasurish i shtohet një tjetër pronë që tërheq vëmendjen: një kështjellë historike në departamentin Oise, e vendosur rreth një orë larg Parisit.Sipas njoftimit të autoriteteve franceze, të përcjellë përmes SPAK-ut, gjatë hetimeve u identifikua blerja e kësaj kështjelle me vlerë rreth 2.6 milionë euro.Verifikimet në dokumentet publike franceze çojnë drejt Château d’Auteuil, një rezidencë historike në komunën Berneuil-en-Bray. Përputhja nuk mbështetet vetëm te vendndodhja dhe vlera e transaksionit, por edhe te një detaj që të bën të ngresh vetullën: në rubrikën “Mentions légales” të faqes zyrtare të pronës figuron emri “ermal beqiri” si botues i faqes.Kur emri del i stampuar kaq hapur në faqen zyrtare të rezidencës, nuk bëhet fjalë më për një detaj teknik që humbet mes rreshtave të dosjes. Është një gjurmë dixhitale që i jep një kthesë tjetër historisë së kësaj pasurie.Dokumentet franceze tregojnë se Château d’Auteuil u shit më 30 dhjetor 2024 për 2.612.200 euro, një shifër që përputhet me vlerën e përmendur nga SPAK.Nga një rezidencë historike në Francë te dosja e një prej hetimeve më të bujshme për fondet publike në Shqipëri, emri i Ermal Beqirit i kompanisë “Soft & Solution”mbetet në qendër të vëmendjes së SPAK-ut për skemën e dyshuar të abuzimit me tenderat e AKSHI-t.Paralelisht me prangosjen, autoritetet franceze identifikuan dhe sekuestruan një sërë asetesh dhe pasurish që, sipas SPAK-ut, lidhen me hetimin. Në listën e pasurive të sekuestruara tashmë bën pjesë edhe Château d’Auteuil, kështjella franceze që i dha një kthesë më shumë dosjes së AKSHI-t. Flitet se Ermal Beqiri mbetet në Francë, ekstradimit drejt Shqipërisë mund të zgjasë disa javë .