Frank Shkreli: Një jetë në shërbim të arsimit, kombit dhe lirisë

Nga Frank Shkreli, ish Drejtor i VOA-s

Ka personalitete në historinë shqiptare, veprimtaria e të cilëve nuk mund të matet vetëm me postet që mbajtën apo me librat që kanë shkruar. Jeta e tyre ishte një mision. I tillë ishte Dr. Rexhep Krasniqi – historian, pedagog, publicist, burrë shteti dhe një nga udhëheqësit më të shquar të mërgatës politike antikomuniste shqiptare në Perëndim gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.  Është vështirë të shkruhet historia e mërgatës politike shqiptare të pas Luftës së Dytë Botërore pa ndalur te figura e Dr. Rexhep Krasniqit. Për më shumë se katër dekada ai ishte ndër zërat më të njohur të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe më gjërë, duke u bërë kështu një simbol i qëndresës politike, i kulturës qytetare dhe i besimit se Shqipëria do të çlirohej një ditë nga diktatura komuniste.

Sigal

Në përvjetorin e lindjes, kujtimi i Dr. Rexhep Krasniqit nuk është vetëm një detyrim moral ndaj një patrioti të madh, por edhe një rast për të rivlerësuar kontributin e një brezi intelektualësh shqiptarë që, megjithëse u detyruan të jetonin larg atdheut, nuk reshtën së punuari për çështjen kombëtare dhe për lirinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. I lindur në Gjakovë më 24 prill 1906, Prof. Dr. Rexhep Krasniqi mbeti jetim që në fëmijëri. Fati e lidhi me një nga figurat më të ndritura të lëvizjes kombëtare shqiptare, Bajram Currin, nën kujdesin e të cilit u formuan karakteri dhe idealet e tij patriotike. . Që në rininë e hershme ai e kuptoi se arma më e fuqishme e një kombi nuk ishte vetëm pushka, por edhe dija.  Studimet universitare në Austri dhe doktoratura në histori në Universitetin e Vjenës, i dhanë atij një përgatitje të rrallë akademike për kohën. Dr. Rexhep Krasniqi i përkiste  atij brezi të intelektualëve shqiptarë që kishin marrë formim në universitetet më të mira evropiane dhe që e shihnin arsimin si themelin e ndërtimit të shtetit modern shqiptar.  Kontributi i tij në arsimin kombëtar, sidomos në Kosovë, mori përmasa të veçanta gjatë viteve 1941–1944, kur u angazhua në organizimin e shkollave shqipe në Dardani dhe më gjërë në trojet shqiptare. Nën drejtimin e Ernest Koliqit, në atë kohë Ministëe i Arsimit, hapja e dhjetëra shkollave disa thonë deri në 200 shkolla në gjuhën shqipe dhe përgatitja e mësuesve shqiptarë, përbënin një ngjarje historike për shqiptarët e Kosovës, të cilëve për dekada u ishte mohuar e drejta për arsim në gjuhën amtare. Për Dr. Krasniqin, arsimi nuk ishte thjesht transmetim njohurish. Për të dhe për brezin e patriotëve bashpuntorë të tij në atë kohë,  shkollimi konsiderohej si instrumenti kryesor për ruajtjen e identitetit kombëtar. Pikërisht për këtë arsye emri i tij mbetet i lidhur ngushtë me historinë e shkollës shqipe në Kosovë, por jo vetëm.

Pas Luftës së Dytë Botërore, me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri, si shumë intelektualë të tjerë, ai mori rrugën e mërgimit. Ishte një mërgim i detyruar, por jo një tërheqje nga jeta publike. Përkundrazi, ai u bë një nga zërat më të fuqishëm të Shqipërisë së lirë në botën perëndimore. Në Shtetet e Bashkuara, ku u vendos përfundimisht, Dr. Rexhep Krasniqi drejtoi për shumë vite Komitetin Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, në Nju Jork — organizatën më të rëndësishme politike të mërgatës antikomuniste shqiptare, gjatë luftës së ftohët.  Nën drejtimin e tij, kjo organizatë u shndërrua në një qendër të rëndësishme të veprimtarisë politike, diplomatike dhe publicistike, në mbrojtje të çështjes shqiptare dhe të drejtave të shqiptarëve. Konsiderohej, nga komuniteti shqiptaro-amerikan, si “përfaqësi diplomatike” dhe si “qëndër shërbimesh shoqërore”, për shqiptarët e Amerikës.

Dr Krasniqi besonte se liria e Shqipërisë nuk ishte vetëm një aspiratë politike, por një domosdoshmëri historike. Në artikujt, fjalimet dhe shkrimet e tij, ai mbrojti me vendosmëri të drejtën e shqiptarëve për të jetuar të lirë, duke denoncuar vazhdimisht represionin komunist dhe shkeljen e të drejtave themelore të njeriut nga regjimi komunist në Shqipëri.  Veprimtaria e tij nuk kufizohej vetëm te Shqipëria. Ai ngriti vazhdimisht zërin edhe për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë, në trojet e tjera etnike dhe në diasporë, duke e konsideruar çështjen shqiptare si një tërësi të pandashme.  Në këtë rrugëtim ai bashkëpunoi me shumë prej personaliteteve më të njohura të mërgatës shqiptare të asaj kohe, ndër ta Ernest Koliqin, Hasan Dostin, Martin Camajn, Arshi Pipën me Federatën Pan-shqiptare Vatra dhe shumë të tjerë. Edhe pse secili kishte profilin dhe mënyrën e vet të veprimit, të gjithë i bashkonte një ideal i përbashkët: Shqipëria e lirë, demokratike e lidhur me botën perëndimore.  Për fat të keq të tyre dhe etë Atdheut, historia e pasluftës nuk ka qenë aspak e drejtë me këtë brez intelektualësh të Kombit, si prof Dr Rexhep Krasniqi. Për dekada, propaganda komuniste i kishte shpallur “armiq të popullit”, duke u përpjekur të fshinte çdo gjurmë të kontributit të tyre. Vetëm pas rënies së komunizmit u bë e mundur një rivlerësim pak më objektiv i jetës dhe veprës së tyre, megjithse gjithnjë mungon një rivlersim i plotë i kontributit të tyre.

Sot, figura e Dr. Rexhep Krasniqit meriton studime më të thelluara. Ai nuk ishte vetëm një kundërshtar politik i komunizmit, siç ishin shumica e intelektualëve shqiptarë anti-komunistë. Ai ishte një intelektual me kulturë të gjerë evropiane, një historian serioz, një pedagog i përkushtuar dhe një patriot që nuk e ndau kurrë fatin e vet nga fati i kombit shqiptar. 120-vjet nga lindja, kujtimi i Dr. Rexhep Krasniqit mbetet i gjallë jo vetëm në historinë e mërgatës shqiptare në Amerikë, por edhe në ndërgjegjen e atyre që besojnë se arsimi, kultura dhe liria janë shtyllat mbi të cilat ndërtohet një komb përparimtar e pro-perendimor.  Brezi i tij nuk pati fatin të kthehej në një Shqipëri të lirë ashtu siç e kishte ëndërruar. Por ai la pas një trashëgimi morale e intelektuale që vazhdon të frymëzojë edhe sot. Kjo është arsyeja pse përkujtimi i Dr. Rexhep Krasniqit nuk është thjesht një akt nderimi për të kaluarën, por është një thirrje për të mos harruar ata që, në kohët më të vështira, mbajtën gjallë idealin e lirisë dhe demokracisë së vërtetë shqiptare.

Prof. Dr Rexhep Krasniqi, ashtu si shumë patriotë anti-komunistë të brezit të tij të pas Luftës së II Botërore, mbante të hapura dritaret e Shqipërisë drejt Perëndimit. Si kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, Dr. Krasniqi mbajti lidhje të vazhdueshme me institucionet zyrtare amerikane dhe me organizatat ndërkombëtare, sidomos në Shtetet e bashkuara të Amerikës, që merreshin me çështjet e vendeve të robëruara nga komunizmi në Evropën lindore e qëndrore. Ai e kuptonte se beteja për Shqipërinë dhe për shqiptarët nuk fitohej vetëm me retorikë, por edhe me argumente, me diplomaci dhe me një prani të vazhdueshme në opinionin public të perëndimit demokratik.