Avni Ponari: Alpet e Shqipërisë po jetojnë verën e tyre më të bukur

Nga dita në ditë, numri i vizitorëve rritet dhe itinerari Valbonë–Theth, në të dy drejtimet, është kthyer në një nga destinacionet më të kërkuara të turizmit në Evropë, duke thyer çdo paragjykim të së kaluarës.
Ngjitja drejt Qafës së Valbonës, nën hijen madhështore të Jezercës, është një udhëtim që nuk përshkohet vetëm me këmbë, por edhe me zemër. Çdo hap sjell emocione të reja, çdo kthesë zbulon një peizazh që të lë pa fjalë dhe çdo majë të kujton se natyra shqiptare është një mrekulli.
Në këtë shteg takon njerëz nga Australia, Japonia, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Gjermania, Finlanda e dhjetëra vende të tjera. Është e vështirë të gjesh një komb që nuk përfaqësohet në këtë rrugëtim të përditshëm. Bota ka zbuluar Alpet tona.
Ajo që më bën përshtypje është se shqiptarët janë ende pak në këtë aventurë, ndërsa banorët e Valbonës dhe Thethit, me punën, mikpritjen dhe përkushtimin e tyre, po i japin jetë një prej historive më të bukura të suksesit të turizmit shqiptar.
Edhe këtë vit pata fatin ta përshkoj këtë itinerar magjepsës. U ktheva me bindjen se Alpet shqiptare nuk janë më një sekret i ruajtur i Ballkanit. Ato janë tashmë një destinacion botëror, një krenari kombëtare dhe një pasuri që duhet ta mbrojmë e ta zhvillojmë me dashuri.
Sigal