Ergys Alushi: Nuk e mbrojmë dot Vlorën

289
Sigal

Sa herë që Vlora rrezikohej nga armiqtë e kundërshtarë të ndryshëm, të parët tanë merrnin armët dhe dilnin për të mbrojtur qytetin, përgjatë lumit Vjosë dhe në majën e Llogorasë. Mbrohej që aty, sepse po të hynte armiku në qytet, çdo gjë do të ishte e kotë. M’u kujtua ky moment nga historia e Vlorës, kur dëgjon e kupton se i infektuari i parë, erdhi nga Himara ku kishte punuar tek një pasanik i madh nga Tirana. Por edhe kur dëgjon se si e pohojnë të gjithë se “kur e gjithë Shqipëria ishte e izoluar, pasanikët e Tiranës e VIP-a të ndryshëm vinin e iknin pa asnjë pengesë nga Vlora e Himara”, paçka se vinin nga një “zonë e kuqe” në një “zonë të gjelbër”. Pse të mos mendojmë se ishin këta që e sollën virusin në Vlorë e Breg! Dhe nëse ka ndodhur kështu, ne nuk ishim në gjendje ta mbronim qytetin! Duke filluar që nga institucionet e shtetit e të pushtetit lokal e deri te qytetari më i thjeshtë. Nuk e mbrojtën as ata që kanë investuar në turizëm, duke qenë se ata janë më të rrezikuarit nga një vatër e re infeksioni që mund të shoqërohet me një izolim të ri.

Nuk e mbrojtëm dot!

Sepse, centralizimi i pushteteve është i tejskajshëm dhe të gjithë urdhërat, vijnë nga Tirana. Centralizim që na ka marë dhe gojën e na ka bllokuar mendjen, për të kërkuar e menduar për qytetin tonë! Askush në Vlorë nuk e ngre dot “armën” që të mbrojë Vlorën nga “armiku i padukshëm”!

Që të vendos vetë për fatin e Vlorës!

Sepse, ne këtu në Vlorë e dimë se ku na “pikon çatia”, e kështu mund të mbrohemi më mirë, me mundësitë e njerëzit tanë. Por, heshtje! Sy e veshë nga Tirana”! Nga Facebook për statusin e radhës! Thua sikur vetëm ata lart nga Tirana e dinë se kur vjen e ikën virusi në Vlorë, do kalojë andej nga deti apo do t’i bie nga bypass, si luftohet ai, mjetet dhe vlonjatët që e luftojnë atë!

Por, virusi erdhi!

Një rast dje dhe pesë raste të tjera, sot! Nesër, do të ketë raste të tjera. Do të ketë edhe në ditët në vazhdim! Nëse nuk i deklarojnë dhe i fshehin, gabim do të bëjnë! Sot, dëgjova në disa mjedise se nuk duhet të ketë panik! Se na dëmtohet qyteti, turizmi, e ardhmja e tij! Sot, që “armiku i padukshëm”hyri në qytet. Hyri nga qafa e Llogorasë nga ata që kishin hyrë më parë nga ura mbi Vjosë. Pikërisht andej nga organizonin mbrojtjen e qytetit, të parët tanë! Sot, është vonë për të kërkuar që të mos ketë panik, sepse duhet të ishte “luftuar” më parë, për t’a mbajtur Vlorën të pastër, të paprekur, “zonë të gjelbër”. Ata që na mbrojtën për dy muaj rresht në izolim, duhet të na mbrojnë edhe tani. Le ta zgjedhin si t’a duan mbrojtjen, me statuse qetësuese në facebook apo me doctor e ilaçe! Vetëm të na mbrojnë. Sepse çfarë kuptimi ka “fitorja” që arritëm në dy muaj! Kështu që, druaj se parrulla “të kujdesemi që të mos përhapim panik” është ndoshta për të mbuluar paaftësinë për t’u mbrojtur kur ishte për t’u mbrpjtur! Qyteti nuk mbrohet me fjalë, por mbrohet me vepra në kohën e duhur!