Urim Gjata: “Flamuri i Gjergj Skënderbeut nuk është simbol protestash të huaja”

Nga Urim Gjata:

Arrestimi para dy ditësh në Berlin i një të riu shqiptar gjatë një proteste pro Palestinës, ku gjatë ndërhyrjes së policisë iu mor edhe flamuri shqiptar, ka hapur një debat që çdo shqiptar duhet ta mendojë me përgjegjësi.

Sigal

Pse duhet të keq-përdoret flamuri i kombit shqiptar në një protestë që nuk ka lidhje me interesin kombëtar shqiptar?

Çfarë lidhjeje ka flamuri i Gjergj Kastriotit Skënderbeut me konfliktet dhe përplasjet politike në Lindjen e Mesme?

Flamuri i jonë nuk është një simbol i zakonshëm që mund të përdoret në çdo tubim apo protestë. Ai është simboli i identitetit tonë kombëtar, i historisë, i sakrificave dhe i gjakut të derdhur nga breza të tërë shqiptarësh për liri dhe pavarësi.

Ai flamur përfaqëson një komb, një histori dhe një trashëgimi që duhet të respektohen.

Në këtë protestë nuk përfaqësoheshin interesat kombëtare shqiptare. Ishte një protestë për një çështje tjetër, me simbolet dhe përfaqësimet e saj.

Çdo popull ka flamurin e vet kombëtar dhe çdo kauzë ka simbolet e veta. Flamuri shqiptar duhet të valëvitet aty ku përfaqësohen shqiptarët, historia jonë dhe interesat tona kombëtare.

Shqiptarë, le të mos harrojmë betejat reale të kombit tonë: narkoqeverinë, që na solli, super-varfërinë, largimin e të rinjve, shitjen e trojeve, shpopullimin dhe sfidat e shumta që përballojnë shqiptarët në trojet e tyre.

Vëllezërit dhe motrat tona janë ata që flasin shqip, që ruajnë gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar shqiptar.

Respektojeni flamurin kuqezi ! Ai nuk është dekor protestash dhe as mjet për t’i dhënë peshë kauzave të tjera. Ai është simboli i shenjtë i kombit shqiptar.