Kozma Gjini: I nderuar zoti humbo…!

807
Sigal

Kështu ju është drejtuar një mësues i “zemëruar”, në përgjigje të opinionit tuaj për uljen e rrogës së mësuesve dhe pensionet, zoti deputet: “I nderuar, zoti humbameno!”… Jeni bërë personazhi më i lakuar i këtyre ditëve, pas zbutjes së pandemisë “Covid19”. Sikur të mos mjaftonin tymnajat a sherret me kompaninë (para bërjes ministër)”,… me Dhomën Amerikane të Tregtisë … apo me tenderat, tani  kapërcyet në sinorin e arsimit, me qëllimin e “mirë” për të “mëkëmbur” arkën e shtetit, me propozimin e bujshëm për t’u ulur rrogën mësuesve dhe  pensionistëve. Bravo!  Më vjen keq që kjo ligjëratë del nga goja e djalit të një kuadri, babai i të cilit e ka njohur me rrënjë e me degë sferën e arsimit. Nuk do të donim të ishit ju propozuesi në fjalë, z.Beqja. Ju e dini rëndësinë që ka pesha e fjalës. Ju e dini mirë se çfarë reagimi ka ngjallur në rrjetet sociale propozimi juaj… Në fillim e konsiderova si një lapsus dhe nuk e besova, por… Ka deputetë që flenë gjumë në kuvend dhe nuk u del emri, as për të mirë, as për keq… Më mirë kategoria e tyre, sesa zgjuar e me propozime të tilla…  Po, kështu është, kur e harron vështirësinë e punës së mësuesit, atij që të ka mësuar dhe edukuar.Kështu është kur, pasi merr një post, i shikon si miza vartësit. Nuk mjaftoi që politika e çdo spektri e këtyre 30 viteve i ka telendisur mësuesit, duke i kthyer në mitingashë dhe vendin e punës nuk ua keni përcaktuar me standarde, por tani “kërcënohen” dhe me bukën e gojës.Më vjen keq që e paskeni harruar kaq shpejt rëndësinë e punës së mësuesit.

Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit, nuk maten”, do të thoshte Konfuci.Fakti që nuk ia evidentoni vlerën sot, kur ata e kanë patur disa herë më të vështirë punën, do të thotë se dje, në kushte të zakonshme, as që bëhet fjalë t’i keni vlerësuar. A e dini ju z.Beqja, se babai, për shkak se e  njihte mirë rolin e figurës së mësuesit në shoqëri, (i cili e ka punën me gojë, me zë, me frymë, që çdo ditë thith në mushkëri tymin e shkumësit)…se për këtë profesion që ka të bëjë me ndjenjat, kishte dalë në përfundimin, (sipas një studimi të kahershëm), se jeta mesatare mësuesve është nga më të ultat e profesioneve dhe mbi 17 % e tyre… nuk arrijnë ta gëzojnë pensionin? Puna e mësuesve të të gjitha niveleve, këto ditë specifike sfidash me realitetin dhe horizontin e gjithanshëm në qarkullim, kërkonte kurajo, pasi ecej në rrugë të pashkelura. Këto ditë mësuesit, si kurrë ndonjëherë, janë përballur në punën e tyre me një realitet të ri, të panjohur, me një punë të dyfishtë,  të paparë ndonjëherë, me një punë intelektuale e cila, veç kohës për informacion, kërkonte më tepër edhe kohë fizike për t’u sistemuar e programuar për komunikim online me çdo nxënës…Transmetimi, dhënia e mësimit dhe marrja e përgjigjeve, kontrolli dhe “vlerësimi” i njohurive, ishte një sfidë më vete për çdo mësues. Disa mësues, nga halli, janë detyruar të blenin kompjuter që të mund ta realizonin më së miri mësimdhënien.Kam parë disa orë mësimi virtual të mësueses së letërsisë të  gjimnazit “18 Tetori”, Anila Toni, (tema për analizën artistike të “Zonja Bovari”, ajo për Balzakun etj-i shikoni, në internet i keni) dhe jam mrekulluar me realizimin e shkëlqyer. Një sprovë që kërkon organizim metodik e shkencor, kërkon njohuri kompjuterike, njohje e aplikim të programeve të cilat nuk janë të lehta.Këto orë mësimi, pa kontrolle drejtorie mbi kokë, i realizojnë pikërisht mësuesit, njerëzit më të ndërgjegjshëm të shoqërisë. Në video, me tabela ilustruese, me foto e audio, e cila të habit për nivelin e lartë të informacionit që përcjell, për analizën e thellë artistike dhe vlerat metodike e pedagogjike që mbart. Po kështu edhe te mësuesja Amarda Sulo e shkollës Allkaj etj etj….E dini ju se ç’do të thotë të bësh 2 a 3 video  të tilla në ditë?Po të shkonim më tej, nuk vlejnë pak edhe shpenzimet financiare të mësuesit, përgjatë transmetimit të njohurive: shpenzim i  energjisë elektrike, blerje e internetit, blerje të ofertave të celularëve  etj. Të entuziazmon vlerësimi që nxënësja Antigoni Jani, e gjimnazit të Lushnjës, fituese e çmimit të parë në prozë në konkursin kombëtar letrar, mbështetur nga MAS, u ka dedikuar mësuesve të shkollës, duke i quajtur ata, “HERONJ TE DITE”. Besoj se i keni lexuar mendimet e mësuesve dhe jovetëm, në rrjetet sociale…ku, të gjithë pa përjashtim u kujtonin juve, se koha e përgatitjes së mësuesit dhe e transmetimit të njohurive arrinte deri 10-16 orë punë e që veç të tjerash, të qorron nga sytë.Prandaj, z. deputet: është mirë që të mendoheni, para se të flisni…dhe sidomos kur është fjala për punën heroike të mësuesve.Shyqyr që nuk u paskan bërë ministër të arsimit (se ndoshta me nisma të tilla do t’i këputnit në mes mësuesit) se… në shëndetësi …nuk është se latë ndonjë gjurmë për t’u dalluar…sepse,…si i telendise mjekët e s’u le kusur për korrupsion,…tani i bëre heronj… Vërtet, ata ashtu janë, por, ç’është ky dyzim opinioni? Mësuesi është profesioni më i vështirë në tokë, sepse ai ndërton njeriun, skalit e projekton të ardhmen, sigurinë e kombit.Dua t’ju kujtoj, kujtdo, i majtë apo i djathtë qoftë:Jepuni statusin mësuesve dhe mos luani me ndjenjat e tyre, me elitën më të ndërgjegjshme të kombit, mos e përdhosni figurën e mësuesit me politikën dhe sa të mundni, mbështeteni financiarisht.E keni parasysh znj. Merkel, e cila, kur u hodh një propozim i përafërt për rrogën e mësuesve, ua mbylli gojën me përgjigjen:”Nuk mund t’u ulim rrogën atyre që na kanë mësuar…atyre që na kanë bërë të jemi deri këtu”?.Së fundi: Ju sjell në vëmendje një deklaratë të kryeministrit japonez, njërit nga vendet më të zhvilluara të globit:Kur e pyetën kryeministrin japonez për hapat gjigandë të zhvillimit teknologjik të vendit, ai u përgjigj:

“Mësuesit i dhamë rrogën e ministrit, imunitetin e diplomatit dhe autoritetin e Perandorit”.  Të tjerat…vetëkuptohen…Po ne???