Dyshohet se abuzoi me 27-vjeçaren me probleme të shëndetit mendor, në kërkim 42-vjeçari në Lushnjë. Arrestohet vëllai i vajzës

Një 42-vjeçar është shpallur në kërkim nga Policia e Lushnjës, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një 27-vjeçare me probleme të shëndetit mendor. Sipas policisë, 27-vjeçarja është paraqitur në Komisariatin e Policisë Lushnjë së bashku me dy familjarë të saj dhe, në prani të psikologut, ka kallëzuar se më datë 22 korrik 2026 një shtetas kishte kryer marrëdhënie seksuale me të pa dëshirën e saj.

Pas kallëzimit, shërbimet e Policisë kanë kryer veprimet hetimore dhe procedurale, duke shpallur në kërkim shtetasin me iniciale Saimir Meçani, 42 vjeç, banues në Lushnjë, i dyshuar për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”. Ndërkohë, gjatë vijimit të hetimeve është arrestuar në flagrancë edhe vëllai i 27-vjeçares, shtetasi Demir Ymeri, 32 vjeç, pasi dyshohet se ka djegur me lëndë djegëse automjetin e nënës së 42-vjeçarit të shpallur në kërkim.

NOA

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur ndërsa motra e tij po jepte kallëzimin në ambientet e Komisariatit të Policisë Lushnjë. Policia vijon punën për kapjen e 42-vjeçarit dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.