Nga Klodi Stralla
Nuk mund të shpresosh në një rezultat të ndryshëm kur kushtet që e kanë prodhuar atë nuk kanë ndryshuar!
Ndonwse, parmbrëmë, nga “Vatikani” shqiptar (amb. amerikane) nuk doli tymi i bardhë, gjithë gjasat janë që konsensusi i padëshiruar nga palët, por i dëshiruar nga ndërkombëtarët, do të arihet. Koha kur shpallja e rezultatit zgjedhor zgjaste me javë e muaj, kur humbësi nuk e njihte rezultatin dhe nuk e uronte fitimtarin i takon të shkuarës. Ajo që shqiptarët ëndërronin prej tre dekadash ndodhi!
Po si qëndron e vërteta?
Kodi zgjedhor aktual – ligji sipas të cilit organizohen zgjedhjet në Shqipëri, ka këto karakteristika kryesore:
– Sistemi zgjedhor është “proporcional rajonal, me lista të mbyllura”, pra zgjedhësi nuk ka mundësi të zgjedhë njeriun që vlerëson, por Partinë. Listat i përpilon kryetari dhe kandidatët e mësojnë vendin e tyre në listë atëhere kur ai i dorëzon ato në KQZ. – Kjo nuk do të ndryshojë.
– Ndarja territoriale aktuale dhe formula e konvertimit zgjedhës / deputet favorizon dukshëm PS-në, me të paktën 6-7 mandate shtesë. – Edhe kjo nuk do të ndryshojë.
– Kodi nuk njeh votimin e emigrantëve në vendet e tyre të banimit, ndonse kemi një ministri emigracioni dhe një Këshill të diasporës. – Edhe kjo nuk do të ndryshojë.
– Kërkesat ligjore për pjesëmarrje në zgjedhje mundësojnë vetëm tre partitë ekzistuese PS-PD-LSI dhe praktikisht e bëjnë të pamundur daljen e forcave të reja politike. Mundësia e konkurimit për kandidatë të pavarur me personalitet publik është pothuajse e pamundur. – Edhe kjo nuk do të ndryshojë.
– Sistemi i administrimit zgjedhor, nga kreu në bazë, është i tipit bi-partizan, pra dy partitë e mëdha PS-PD, ruajnë votat e veta nga mundësia e vjedhjes apo manipulimit nga pala tjetër. Kjo detyron gjithë subjektet e tjera zgjedhore të grumbullohen (kualicion parazgjedhor) rreth dy të mëdhenjve, të vet-emërtuar e ‘majtë’ – e ‘djathtë’. Kësaj here komisionet do të depolitizohen (lexo do të jenë nga administrata e Ramës).
Të bësh Reformë Zgjedhore do të thotë të ndryshosh karakteristikat thelbësore të sistemit dhe jo të retushosh sistemin ekzistues në modalitete proceduriale të dorës të dytë që nuk ndikojnë mbi rezultatin e pritshëm. Nuk do të ketë zgjedhje të parakohëshme, nuk do të ketë zgjedhje pa Edi Ramën kryeministër, nuk do të ketë asnjë ndëshkim për manipulatorët e mëparshëm.
Ajshtajni thosh: – “Nuk mund të shpresosh në një rezultat të ndryshëm kur kushtet që e kanë prodhuar atë nuk kanë ndryshuar” – Një thënie me vlera universale, përtej shkencave të natyrës.
Të shpresosh në të kundërtën, pwr mua, është përtej naivitetit!
- Termi “rezultat” nuk duhet kuptuar “fiton ky, apo ai”, por problematikat zgjedhore tradicionale shqiptare do të mbeten po ato.






















