Suplementi Pena Shqiptare/ Armenida Qyqja: Hamall i lirë

Jam lodhur duke mbartur sende,
Hamall i plakur në ecjakjet e pafundta,
Sundukët e fryrë m’i këputën krahët,
Me kohën që sa vjen plumb bëhet brenda…

S’do mbaj më as sende e as sundukë,
Peng i pengjeve më s’do të jem,
Si një cigan që veç torbën mban me vete
Lindje-perëndim, do endem…

Sigal

Askush mos mërzitet e të rrudhë buzët,
Gjithçka të vyer, në kujtesë kam kyçur,
Madje dhe aromat që sillnin me vete,
Djersën e udhëve, mallin e kripur…

Aty ku e lame

Vetëm na ke lënë,
Mua dhe veten vetëm,
Në një botë kaq të egër!
Mua pa supin tënd të fort,

Veten pa mijëra trillet e mia,
Fjalët e munguara
Të një jete pa dashuri…
Mos mu mërzit!

Sheherazadja jote e ka shënuar faqen
Dhe rreshtin ku e lam përrallën tonë…
Me duart e veta do ta mbysë
Ky ankth veten një ditë,

Nga marazi se unë dhe ti
E kemi ndarë mendjen
Mos t’i dorëzohemi, kurrësesi…