Suplementi Pena Shqiptare/ Robert Haxhi: Mbi xham të shkruaj: “Lamtumirë!”

775
Sigal

Do të largohem pa të takuar,
Dhe pse larg teje nuk kam dëshirë.
Mbi xhamin e dritares tënde
Lehtë do të shkruaj, “Lamtumirë”

Mbi xham do shkruaj lehtë e lehtë
E mos të zgjoj, le të flesh gjumë,
Të kisha mundur do të të thosha
Me mijëra fjalë, nuk di sa shumë!

Lehtë e pa zhurmë do të largohem,
Me shpirt e zemër dhe shpresë vrarë,
Ta mbyll me fjalën “Lamtumirë”,
Pa thënë “Të dua” kurrë më parë.

Unë asnjëherë s’di pse s’t’u shpreha,
Fjalën “Të dua!”, pse s’ta thashë dot.
Të paktën fjalën “Lamtumirë”,
Ta them me kaq shumë dhimbje sot.

S’do qe e lehtë të të shikoja,
Tani gjithçka më është e mpirë,
Edhe pse kurrë s’të thashë “Të dua”,
Më ndje, të lutem “Lamtumirë”!