Suplementi Pena Shqiptare/Vullnet Mato: Koncerti pranveror i zogjve

552
Sigal

Dëgjoj çdo vit me ëndje

 koncertet pranverore,
të muzikës simfonike

 në podiumet e pemëve.
S’ka koncerte plot ëndje

 në skenat botërore,
se ato të zogjve të foleve,

para çeljes së vezëve.

Jehojnë me zëra alto,

bilbilat, kanarinat, gushëkuqet,
shoqëruar nga tonet bas,

 të bufëve e sorrave në kor.
Qukapikët u bien fort

trumbetave me lëkura drurësh,
kukuvajkat u fryjnë

fagotëve, në tonalitetin minor.

Pylli jehon për gjashtë

muaj nga simfonitë fluturake,
deri te ndarja me verën,

për emigrimin vjeshtor,
duke i dhënë lamtumirën

blerimit të mikpritjes bujare,
me koncertin përfundimtar

të falënderimit madhështor.

Pastaj të parat, dallëndyshet,

me zogjtë e rinj të stinës,
çajnë perdet e reve,

prerë me gërshërët e bishtit.
Pas tyre, gardalinat orkestër

 lirojnë telat e violinës,
dhe rosat shkundin ujërat

nga lugët e akordeve të fytit.

Patat, mbështjellin qafat

 me jakat e puplave mes reve,
për të mos u ngjirur nga

ftohja, largësive të udhëtimit,
Të fundit lejlekët, palosin

 mbi plepa shkarpat e foleve,
trokasin sqepat e gjatë

të çajnë qiellin drejt Perëndimit.

Mbeten, harabelat e ngathët,

 që ushqehen me thërrime, 
të këndojnë oborreve

dhe flenë ferrave të dimërimit.
Ndërkohë, deri te kthimi

i madh i zogjve, nostalgjia ime, 
pret me padurim simfonitë

e reja, të stinës së verimit…