Deputeti i Durrësit, Igli Cara, kërkoi të premten marrjen e masave për trajtimin e 102 kontejnerëve me rreth 2,800 ton mbetje të rrezikshme, të cilët prej muajsh qëndrojnë në afërsi të Shënavlashit, duke ngritur pikëpyetje mbi kushtet e ruajtjes së tyre dhe përgjegjësinë e institucioneve për zgjidhjen përfundimtare.
“Mbetjet ndodhen në periferi të Durrësit dhe kjo gjë është e papranueshme. Kalimi i kohës shton rrezikun e amortizimit të kontejnerëve dhe nuk mund të shërbejë si zëvendësim për një zgjidhje të ligjshme, teknike dhe të sigurt”, tha Cara përpara vendit ku janë vendosur mbetjet.
Deputeti demokrat kërkoi që ministria përgjegjëse për mjedisin dhe Bashkia Durrës të bëjnë të ditur statusin aktual të kontejnerëve, institucionin përgjegjës për administrimin e tyre dhe masat e parashikuara për trajtimin përfundimtar.
“Pse Ministria e Mjedisit nuk ka bërë të ditur deri më sot një plan të plotë për trajtimin përfundimtar të këtyre mbetjeve? A është i pajisur vendi ku ndodhen kontejnerët me leje mjedisore apo autorizim të posaçëm? A janë marrë masa dhe analizuar mostra pikërisht në këtë zonë?”, pyeti Cara.
Çështja nisi në korrik 2024, kur 102 kontejnerë me rreth 2,800 ton mbetje të gjeneruara nga aktiviteti industrial i “Kurum International” u nisën nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës, të deklaruara në dokumentacion si material tregtar jo i rrezikshëm. Ngarkesa u bllokua gjatë udhëtimit dhe nuk mbërriti në destinacion, ndërsa organizatat mjedisore ngritën dyshime për përmbajtjen e saj dhe kërkuan kthimin dhe verifikimin e materialit. Në tetor 2024, kontejnerët u rikthyen në Portin e Durrësit, duke sjellë protesta dhe kërkesa për transparencë mbi përmbajtjen dhe mënyrën e administrimit të tyre.






















