Marrëveshjet Shqipëri-Gjermani, 114 milionë euro për investime në energji dhe infrastrukturë

Tre marrëveshje mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, do ti sigurojnë vendit 114 milionë euro për investime në sektorin energjetik dhe infrastrukturën publike.

Marrëveshjet janë firmosur nga ministri për Infrastrukturën dhe Energjinë, Enea Karakaçi, dhe ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner.

Sigal

Paketa financiare përfshin 90 milionë euro hua dhe 24 milionë euro grante.

“Marrëveshja e parë lidhet me rritjen e eficiencës së sistemit të transmetimit dhe me dixhitalizimin e të gjithë sistemit. Ajo do të na japë mundësinë të automatizojmë proceset që lidhen me ndërlidhjen e nënstacioneve dhe operimin energjetik, duke rritur sigurinë dhe performancën e rrjetit”, deklaroi Karakaçi.

Marrëveshja e dytë lidhet me vijimin e rehabilitimit të Hidrocentralit të Vaut të Dejës, një prej veprave kryesore energjetike të vendit. Investimi synon rritjen e jetëgjatësisë dhe eficiencës së hidrocentralit.

Ndërkohë, 24 milionë euro grant do të përdoren për rehabilitimin e godinave të Qytetit Studenti dhe rritjen e eficiencës energjetike të konvikteve.

“Këto investime janë në të mirë të studentëve dhe të interesit publik, pasi do të ofrojnë kushte më të mira jetese, një proces më cilësor mësimor dhe një kursim të konsiderueshëm të energjisë falë standardeve të reja të eficiencës energjetike”, u shpreh ai.