Prokuroria e Vlorës nis hetimet për punime të paligjshme në Zvërnec

Prokuroria e Vlorës ka nisur  hetimet për ndërhyrjet e paligjshme dhe dëmtimin e mjedisit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, ku planifikohet ndërtimi i një resorti luksoz të lidhur me familjarët e presidentit amerikan, Donald Trump.

Tre muaj pasi makineritë e rënda ndërhynë në zonën e mbrojtur Pishë Poro- Nartë për t’i hapur rrugën një kantieri për ndërtimin e resortit luksoz të lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan, Prokuroria e Vlorës njofton se ka nisur hetime për 4 akuza.

Sigal

“Ju bëjmë me dije se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, ka regjistruar procedimin penal nr. 772 të vitit 2026, për veprën penale të ‘Ndërtimi i paligjshëm’, ‘Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore’, ‘Prerja e paligjshme e pyjeve’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës”, thot Prokuroria e Vlorës

Por pavarësisht se kanë kaluar 3 muaj nga ndërhyrja, prokuroria bëri të ditur se nuk ka ende persona nën hetim për akuzat. “Ky procedim është në hetim dhe në regjistrin e veprave penale nuk ka të regjistruar emër të personi nën hetim,” deklaron Prokuroria.

Ky është hetimi i dytë i lidhur me projektin.

Më 10 qershor, Gjykata e Posaçme vendosi sekuestro mbi transaksionet me vlerë 128 milionë euro për shit-blerjen e tokës në zonë me kërkesë të SPAK. Prokuroria dyshon për pastrim parash, ndërsa ka lëshuar urdhër arresti për Artur Shehun, i cili dyshohet edhe se ka tjetërsuar pronësinë në tokën ku zhvillohet projekti përmes dokumenteve të falsifikuara.

Shehu dhe 19 të tjerë po hetohen mbi atë që u njoh gjerësisht si “Korporata Aruba”.

Punimet në zonën e mbrojtur u dokumentuan fillimisht nga aktivistët mjedisorë në fund të prillit, duke shkaktuar më vonë një nga lëvizjet më të mëdha anti-qeveritare në vend që prej viteve ’90, e njohur si “Revolucioni i Flamingove”.

Zhvillimet në këtë zonë dhe dhunimi i një banori protestues shërbyen si shkëndijë për një prej protestave më të gjata kundër qeverisë në vend. Prej më shumë se dy muajsh, qindra e mijëra shqiptarë kanë dalë në rrugët e Tiranës apo edhe në diasporë për të kërkuar ndalimin e projektit, anulimin e ligjeve kontroverse që e mundësojnë atë dhe dorëheqjen e kryeministrit qeveris.