Delegacioni i BE-së në Tiranë nën hetim për tenderin e Drejtësisë

556
Sigal

Një dokument i siguruar nga BIRN tregon se OLAF (Zyra anti-korrupsion e Bashkimit Europian) ka nisur një hetim, pasi pa në tërësi ankesën e dorëzuar kundër tenderit, i cili u zhvillua në maj nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë. “OLAF ka rishikuar informacionin e marrë në përputhje me Rregulloren 883/2013 dhe ka hapur një hetim,” shkruhet në dokument. Hetimi përqendrohet në tenderin për projektin EURALIUS IV, i cili u zhvillua në maj 2014 për një vlerë prej 4 milionë eurosh dhe u fitua nga një kompani konsulence gjermane IRZ. Delegacioni i BE-së në Tiranë dhe kompania gjermane e konsulencës i hodhën poshtë akuzat. “Akuzat për parregullsi në lidhje me vlerësimin për EURALIUS IV janë të gabuara dhe hidhen poshtë prerazi nga Komisioni Europian”, i tha BIRN në një deklaratë Clive Rumbold, kreu i seksionit politik dhe ekonomik në Delegacionin e BE-së në Tiranë. “Vlerësimi u bë nga një skuadër stafi profesionistësh të cilët e bazuan vendimin e tyre mbi kriteret teknike në përputhje me procedurat e BE-së”, shtoi ai. IRZ nga ana e vet i përshkroi akuzat për korrupsion në tender vetëm si “qejfmbetje” nga konkurrenca në procesin e prokurimit.

EURALIUS dhe akuzat për tenderin 4 milionë euro

EURALIUS është Misioni i Asistencës Europiane për Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri. Objektivi i përgjithshëm i projektit është “të afrojë Sistemin e Drejtësisë së Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian përmes ndihmës teknike të ofruar nga vendet anëtare të BE-së”. Projekti mbështet reformën në sistemin e drejtësisë në Shqipëri ‘në përputhje me prioritetet e Acquis të BE-së në Drejtësi dhe të Drejtat Themelore si dhe praktikave më të mira Europiane e standardeve në këtë fushë’.

Misioni i parë EURALIUS në Shqipëri nisi nën programin CARDS 2002 të BE-së dhe u zbatua përmes një konsorciumi që përfshinte ministritë e Drejtësisë së Gjermanisë dhe Italisë. Projekti u shty nga viti 2007 deri më 2010 dhe u riemërua EURALIUS II.

Misioni i tretë EURALIUS u bazua në një grant të financuar nga Instrumenti i Ndihmës Para Anëtarësimit, IPA në vitin 2009 dhe u zbatua nga Ministria Spanjolle e Drejtësisë në konsorcium me Këshillin e Lartë të Magjistratëve të Italisë.

Blogu ‘Korrupsion në Delegacionin e BE-së në Shqipëri’

Akuzat mbi tenderin e EURALIUS, fillimisht u shfaqën në blogun gjysmëzyrtar të misionit EURALIUS III më 14 maj. Një postim në blog aludonte se vendimi i Delegacionit të BE-së për t’i dhënë katër milionë euro projekt për misionin Euralius IV një konsorciumi të udhëhequr nga Gjermania, me pjesëmarrjen e Austrisë, qe ‘pastër politik dhe dukshëm kundër rregullave dhe ligjeve të BE-së’. Blogu me titullin ‘Korrupsion në Delegacionin e BE-së në Shqipëri’, një kopje e të cilit u mor nga BIRN, qëndroi i publikuar për vetëm pesë ditë, deri sa u fshi më 19 maj, pas presionit nga Delegacioni i BE-së në Tiranë. “Në biseda të ndryshme, ekspertët dhe zyrtarët e Delegacionit të BE-së kanë pranuar se propozimi tjetër [udhëhequr nga Spanja, me pjesëmarrjen e Italisë dhe Francës] qe teknikisht shumë më mirë dhe më i leverdishëm për reformën e drejtësisë”, shkruhej në këtë postim në internet. “Gjithsesi ata e justifikojnë vendimin me presionin politik që u mor nga qeveria aktuale e Partisë Socialiste të Shqipërisë”, pretendoi blogu. Ish anëtarë të skuadrës spanjollo-italiane që drejtuan EURALIUS III morën pjesë gjithashtu në tender për misionin e ri [EURALIUS IV] dhe pretendojnë se vendimi për t’ia dhënë gjermanëve kontratën qe i motivuar politikisht dhe ata akuzojnë Delegacionin e BE-së në Shqipëri për korrupsion.

Akuzat e kreut të misionit EURALIUS III, Juaqin Urias për delegacionin e BE-së në Shqipëri

Në një intervistë me BIRN, ish kreu i misionit EURALIUS III, Juaqin Urias, mbështeti akuzat e postuara në blog dhe akuzoi Delegacionin e BE-së në Shqipëri për mungesë transparence dhe paaftësi. “Propozimi ynë është i saktë dhe bazohet në atë se çfarë po ndodh në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, ndërsa gjermanët as nuk kanë fare një Këshill të Lartë të Drejtësisë”, tha Urias për BIRN gjatë intervistës në muajin maj. Këshilli i Lartë i Drejtësisë është një nga institucionet e Shqipërisë të cilin EURALIUS IV ka për detyrë ta reformojë. Megjithëse Urias mohoi se ai qe autori i postimit në blogun e EURALIUS, ai tha se akuzat qenë të besueshme dhe hodhi dyshime mbi procedurën e tenderit. “Faktet e përmendura duken të dyshimta,” tha Urias. “Unë nuk mund të jem i sigurt se ka korrupsion, por çështja mban erë të keqe”, shtoi ai.

Një ish profesor i ligjit në Universitetin e Seviljes dhe Këshilltar në Gjykatën Kushtetuese të Spanjës, Urias drejtoi misionin EURALIUS III nga viti 2010 deri në qershor 2013. Pasi misioni përfundoi, ai u punësua nga Delegacioni i BE-së në Tiranë deri në fillim të vitit 2014. Urias akuzoi Delegacionin për mungesë transparence në mënyrën se si ata shpërndanë fondet e asistencës. “Ti ke katër milionë euro për asistencë teknike, jo katër milionë euro për të mbajtur të lumtur qeverinë”, theksoi Urias. “Problemi është kur ata përdorin paratë e BE-së si paratë e veta,” shtoi ai. Gjatë punës së tij në Delegacionin e BE-së në Tiranë, ai mbuloi reformën në drejtësi për raportin vjetor të progresit të Shqipërisë që hartohet nga Komisioni Europian. Sipas Urias, megjithëse shqiptarët meritojnë të jenë pjesë e BE-së, politikanët në Tiranë thjeshtë sa po i lëpihen Brukselit, kur bëhet fjalë për reforma, ndërsa delegacioni vendor është tepër i dobët dhe me raste, i paaftë për t’i bërë presion. “Disa nga stafi i BE-së nuk janë profesionistë të mirë dhe shumica e stafit të Delegacionit të BE-së nuk janë nëpunës civilë”, tha Urias. “Nëse në vendet tona [Spanjë] njerëzit do ta dinin se sa e dobët është BE-ja në negociata me vende të tjera [Shqipërinë] do të qe tronditje e madhe, një skandal”, përfundoi ai./Besar Likmeta