Juristi dr. Naim Mëçalla: Sistemi i drejtësisë s’ka vend për të korruptuarit

532

Lufta kundër korrupsionit

Të jesh jurist në një klimë të theksuar të mosbesimit qytetar ndaj sistemit të drejtësisë, është një sfidë më vete. Por, juristi dr. Naim Mëçalla vlerëson se me disiplinë në punë, korrektesë dhe etikë komunikimi mund t’ia dalësh mbanë. Nga ana tjetër, ai vlerëson si shumë të rëndësishme luftën e korrupsionit në drejtësi, si e vetmja mundësi për të bërë drejtësi. “Të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit. Sistemi i drejtësisë duhet të jetë vetëkontrollues dhe i pandikuar nga politika. Lufta kundër korrupsionit edhe në sistemin e drejtësisë duhet të ngrihet në një nivel të lartë profesional dhe ligjor. Është detyrë primare e agjencive të specializuara ligjzbatuese që të kryejnë detyrat e tyre, referuar ligjeve në fuqi, që të organizojnë punën për parandalimin dhe goditjen e korrupsionit, konfiskimin e pasurive kriminale ose të pajustifikuar. Në sistemin e drejtësisë nuk duhet të ketë vend për të korruptuarit”, shprehet për “Telegraf” dr. Naim Mëçalla.

 Në vlerësimin tuaj si profesor dhe si jurist, cilat janë ato cilësi që e bëjnë një avokat të jetë i suksesshëm?

 Së pari, ju falenderoj për mundësinë që po më jepni për të shprehur mendimet e mia në këtë intervistë dhe njëkohësisht ju uroj suksese si gazetare e re. Suksesi i një avokati, ashtu si i çdo profesioni tjetër është i lidhur me vullnetin dhe pasionin për profesionin, njohuritë e përgjithshme dhe në veçanti ato në fushën e së drejtës. Pavarësisht se pjesa më e madhe e informacioneve gjendet në pajisjet tona teknologjike, është aftësia e marrjes së informacionit një cilësi e rëndësishme në suksesin e punës së avokatit. Avokati duhet të jetë në gjendje që njohuritë e tij t’i përdorë për zgjidhjen e çështjeve konkrete. Cilësi të tjera të rëndësishme janë korrektesa dhe transparenca me klientët, disiplina në punë, etj..

 Si i shikoni studentët e sotëm krahasuar me periudhën kur ju ishit student i Fakultetit të Drejtësisë?

Mendoj se e rëndësishme për studentët e Fakultetit të Drejtësisë, pavarësisht se në çfarë kohe përfundojnë studimet, është të arrijnë të zotërojnë artin e zgjedhjes së më të mirës në jetë.

 Kur dhe pse dëshiruat të ushtronit profesionin e një juristi?

Sfidat e jetës, nevojat për t’i dhënë zgjidhje problemeve dhe çështjeve të ndryshme më kanë shtyrë më shumë të bëhem jurist.

 Realiteti që jetojmë sot është i prekshëm nga të gjithë; papunësi, vrasje, aksidente, kriminelë të liruar nga gjykatat… A është në kaos drejtësia Shqiptare?

 Sistemi i Drejtësisë është një term shumë i gjerë dhe përfshin disa aktorë, si; Sistemin Gjyqësor, Presidentin, KLD-në, Ministrinë e Drejtësisë, Prokurorinë, etj., si dhe sistemet e tjera mbështetëse dhe vendimtare, pa të cilat funksionimi i sistemit gjyqësor është i pamundur, si sistemi i avokatisë, përmbaruesve, burgjet, shërbimi i provës, etj.. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk bën pjesë në sistemin gjyqësor të zakonshëm, por ajo përbën një juridiksion të veçantë, e ngarkuar të kontrollojë kushtetutshmërinë e ligjeve dhe të akteve të tjerë normative… Për fat të keq, aktualisht ne konstatojmë një raport të theksuar mosbesimi midis qytetarëve dhe sistemit të drejtësisë. Rivendosja e këtij besimi do të jetë matësi dhe vlerësuesi më i mirë i funksionimit ligjor të sistemit. Vendosja para përgjegjësisë e shkelësve të ligjit, ku të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit. Sistemi i drejtësisë duhet të jetë vetëkontrollues dhe i pandikuar nga politika. Lufta kundër korrupsionit edhe në sistemin e drejtësisë duhet të ngrihet në një nivel të lartë profesional dhe ligjor. Është detyrë e vetë sistemit gjyqësor vlerësimi i vendimeve gjyqësore, dhe jo e institucioneve të tjera dhe aq më pak e politikës. Ajo që unë desha të theksoj është rëndësia luftës kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Është detyrë primare e agjencive të specializuara ligjzbatuese që të kryejnë detyrat e tyre, referuar ligjeve në fuqi, që të organizojnë punën për parandalimin dhe goditjen e korrupsionit, konfiskimin e pasurive kriminale ose të pajustifikuar. Në sistemin e drejtësisë nuk duhet të ketë vend për të korruptuarit.

 Çfarë do t’i sugjeroje studentëve tuaj të sapodiplomuar nga fakulteti i Drejtësisë, duke pasur parasysh dhe tregun e vështirë të punës tek ne, jo vetëm në këtë fushë?

Një student i sapo diplomuar, sigurisht e ka shumë të vështirë të integrohet menjëherë, por duhet të luftojë pa pushim për të arritur objektivat e tij. Një jurist i aftë dhe me përgatitje bashkëkohore i imponohet punëdhënësit duke i ofruar shërbime për të cilët duhet të marrë pagesa relativisht të larta.

 Dhe, së fundi, mesazhi për studentët tuaj…

Të ecin me një hap me kohën, për asnjë moment të mos ndalen së studiuari dhe luftuari për të arritur objektivat e tyre në jetë. Disiplinë në punë, korrektesë dhe etikë komunikimi.

Nga Lorenca Bejko