Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), në kuadër të projektit “Media Freedom Rapid Response” (MFRR), i është bashkuar shqetësimeve të ngritura nga organizata shqiptare partnere, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë (AGSH), lidhur me rregulloren e re të brendshme të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila ka parashikuar kufizime të reja për aksesin e gazetarëve dhe raportimin nga proceset gjyqësore.
Sipas EFJ-së, rregullorja e re largohet ndjeshëm nga Udhëzimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor të vitit 2023 për marrëdhëniet mes gjykatave, publikut dhe medias, ndërsa është miratuar pa konsultim paraprak me komunitetin e gazetarëve.
Federata Evropiane e Gazetarëve i bën thirrje GJKKO-së që të shtyjë menjëherë hyrjen në fuqi të kësaj rregulloreje dhe të nisë një proces të plotë konsultimi me organizatat përfaqësuese të gazetarëve, përfshirë anëtarët e EFJ-së në Shqipëri, si dhe aktorë të tjerë të medias.
Sipas EFJ-së, nevojitet hartimi i një kuadri transparent që të garantojë të drejtën e informimit dhe zhvillimin e seancave publike, në përputhje me ligjin shqiptar dhe standardet e Bashkimit Evropian.
“Goditje ndaj transparencës së drejtësisë”
EFJ e konsideron rregulloren e re si një hap pas në drejtim të transparencës së sistemit të drejtësisë.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me ndalimin e përdorimit të telefonave celularë nga gazetarët gjatë seancave gjyqësore.
Sipas nenit 14, pika 7 të udhëzimeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, “seancat gjyqësore mund të regjistrohen dhe transmetohen në media”, për sa kohë që kjo nuk bie ndesh me rregullat e procesit të rregullt ligjor.
EFJ argumenton se ndalimi i përdorimit të celularëve në sallat e gjyqit nuk është një kufizim i parëndësishëm, pasi pengon raportimin në kohë reale dhe komunikimin e domosdoshëm të gazetarëve me redaksitë e tyre, veçanërisht gjatë proceseve me interes të lartë publik që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
AGSH: Shqipëria nuk ka nevojë për kufizime të reja
Në një raport krahasues të publikuar më 28 korrik 2026, AGSH ka paralajmëruar se Shqipëria nuk ka nevojë për kufizime të reja ndaj medias, por për zbatimin e qëndrueshëm të rregullave ekzistuese dhe për vendimmarrje të argumentuara për çdo kërkesë individuale.
Organizata ka rekomanduar që, në vend të ndalimeve totale, të përdoret regjistrimi i pjesshëm i seancave, në përputhje me udhëzimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Më 11 qershor 2026, disa televizione dhe media shqiptare i dërguan një letër Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku shprehën shqetësimin për vështirësitë e shumta me të cilat përballen gazetarët në ndjekjen e seancave publike dhe për faktin se e drejta e informimit shpesh trajtohet si përjashtim dhe jo si rregull.
EFJ: Ndalimi i mjeteve bazë të raportimit nuk është proporcional
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutiérrez, deklaroi se çdo rregullore që prek në mënyrë të drejtpërdrejtë të drejtën e publikut për informim duhet të miratohet përmes një dialogu transparent.
“Çdo kufizim ndaj mjeteve thelbësore të raportimit nuk është as i nevojshëm dhe as proporcional. EFJ mbështet thirrjen e AGSH-së që çdo kufizim në proceset gjyqësore të jetë i argumentuar, i bazuar në ligj dhe të respektojë të drejtën e medias për të informuar publikun në mënyrë të lirë, profesionale dhe të përgjegjshme”, tha Gutiérrez.
Sipas EFJ-së, transparenca e proceseve gjyqësore, veçanërisht në çështjet që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar, është një element thelbësor i besimit publik ndaj drejtësisë dhe nuk duhet të kufizohet përmes rregullave që pengojnë punën e gazetarëve.





















