Banorët e Shën-Pjetrit denoncojnë grabitjen e trojeve

444
Sigal

Apel Ramës dhe organeve të drejtësisë

Nuk ka ditë që të mos hapen, diskutohen dhe denoncohen skandalet e pronave, grabitja dhe zaptimi i trojeve, veçanërisht në zonat bregdetare. E megjithëse banorët, media dhe rrallë  institucione të shtetit denoncojnë aktet e tilla të korrupsionit, grabitjet e tokave në bregdet, raste flagrante të marrjes së pronave të ligjshme nga njerëz të veshur me pushtet, organet e drejtësisë  deri sot kanë bërë sehir, duke mos penalizuar dhe dërguar pas hekurave asnjeri. Denoncimet  drejtohen ndaj zyrtarëve të lartë, deputetëve, ish-ministrave, apo kujtdo qoftë, dhe pavarësisht se çdo ditë ata denoncohen në faqet e gazetave për shpërdorim detyre, marrje ryshfeti, grabitje trojesh etj., organet e drejtësisë vetëm heshtin ose bëjnë kompromise, duke i nxjerrë pas 2-3 muajsh të pafajshëm. Rasti më i fundit, mbetet ai i banorëve të fshatit Shën- Pjetër në Komunën  e Ishmit, (pranë Gjirit të Lalëzit) një zonë perlë e bregdetit në qarkun e Durrësit. Ata pas heshtjes së institucioneve, prej disa ditësh po protestojnë duke deklaruar, dhe denoncuar,   zaptimin dhe grabitjen e tokave të tyre, për ndërtimin e një fshati turistik në Gjirin e Lalzit. Duke pretenduar për abuzime me tokën në bregdet duke nisur nga viti 2010, nga  ish-ministrat e qeverisë së mëparshme, ata pretendonin se, “ajo ka favorizuar investitorin e huaj në dëm të pronës së banorëve të fshatit”. Protestuesit, që janë të gjithë banorë të Shën Pjetrit, kërkuan  ndërhyrjen e Kryeministrit Rama dhe organeve të drejtësisë për të verifikuar situatën dhe paligjshmërinë e veprimeve të kryera. Protesta e banorëve është zhvilluar në prani të forcave të policisë së rendit. Në janar të këtij viti, Drejtoria e Shërbimit Pyjor Durrës, pas një urdhri nga Ministria e Mjedisit, i ka kërkuar firmës zbatuese, që po ndërton fshatin turistik në Shën Pjetër, të heqë rrethimin që shtrihet deri pranë vijës së ujit, duke konstatuar mungesën e marrjes së masave në ruajtje të biodiversitetit dhe cenimin e tij për shkak të punimeve. Por ndonëse afati  për heqjen e rrethimit ka përfunduar, ai ndodhet i paprekur nga firma e huaj, duke sfiduar Ministrinë e Mjedisit, e cila po insiston në zbatimin e ligjit. Janë afro 40 familje që ankohen për  zaptimin e pronave nga firmat private dhe individë, të cilët madje paraqiten tek ata me dokumentacion të rregullt, me firma dhe vula nga institucionet e shtetit si ZRPP, apo vendime gjykatash. Banorët shprehen se “persona të panjohur nga ne, prej vitesh vijnë dhe pretendojnë  pronësinë mbi troje në zonën bregdetare të Komunës së Ishmit, vijnë e hapin themele, ngrenë objekte, duke bërë shpesh oferta dhe presione për t’u blerë tokat. Në zonat bregdetare të Durrësit, ku zona perlë e Shën Pjetrit nuk bën përjashtim, ka ndodhur një kasaphanë e vërtetë me trojet, ku fare lehtë organet e drejtësisë mund të zbulojnë e konstatojnë shkelje ligjore, abuzime, grabitje pronash, me vendime dhe vulat e shtetit, një maskaradë e paparë, e cila nis nga Kadastrat, KKKP, gjykatat  e përfundon tek  ZRPP. Pronarët e ligjshëm prej 23 vitesh sorollaten  korridoreve të Gjykatave të Faktit dhe Apelit në Durrës e Gjykatën e Lartë në Tiranë, duke mbajtur dosjet në duar, e duke pritur vendime të drejta nga gjyqësori. Grabitja e trojeve dhe pronave, mbetet tragjedia e shqiptarëve të ndershëm, e atyre që besuan vërtetë se erdhi koha e vendosjes së drejtësisë për të marrë dhe gëzuar pronat e tyre të ligjshme, por gabuan dhe së  fundi kanë humbur edhe besimin tek shteti, ligji dhe drejtësia.