Punimet për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës do të sjellin kufizime të përkohshme të qarkullimit gjatë dy netëve të ardhshme.
Në një postim në rrjetet sociale Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se më 6 dhe 7 gusht, nga ora 00:00 deri në 04:30, do të bllokohen dy korsitë e aksit kryesor në drejtimin Durrës-Tiranë, për shkak të montimit të trarëve metalikë të mbikalimit të ri të Kasharit.
Ndërhyrja kryhet në kuadër të projektit “Zgjerimi i Superstradës Tiranë-Durrës (Faza III)” dhe kërkon zbatimin e një plani të posaçëm për menaxhimin e trafikut dhe garantimin e sigurisë rrugore.
Gjatë intervalit 00:00-04:30, trafiku që vjen nga Durrësi në drejtim të Tiranës, Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe Kosovës do të devijohet në rampat e autostradës Thumanë-Kashar.
Automjetet me destinacion aeroportin dhe Kosovën do të vijojnë lëvizjen përgjatë autostradës Kashar-Thumanë.
Ndërsa drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë drejt Tiranës do të orientohen përmes sinjalistikës së përkohshme në rrugën dytësore dhe do të rikthehen në autostradën Durrës-Tiranë pasi të kenë kaluar mbikalimin e Kasharit.
Kufizimi do të zbatohet vetëm gjatë orëve të natës, më 6 dhe 7 gusht, për të mundësuar montimin e trarëve metalikë të mbikalimit të ri.






















