Kriminaliteti me përfshirje të shtetasve të huaj zakonisht hyn në vëmendjen e publikut shqiptar përmes ngjarjeve që ndodhin jashtë kufijve, ku protagonistë janë shtetas shqiptarë.
Por lëvizja e njerëzve nuk ka vetëm një drejtim dhe as statistikat e kriminalitetit nuk bëjnë përjashtim.Teksa Shqipëria pret çdo vit më shumë turistë, punonjës dhe shtetas të huaj që zgjedhin të jetojnë këtu, është rritur ndjeshëm edhe numri i të huajve që përfundojnë në statistikat e Policisë si të dyshuar për vepra penale.Numri i shtetasve të huaj të dyshuar për vepra penale në Shqipëri po rritet me ritëm shumë më të shpejtë se numri i përgjithshëm i personave të dyshuar. Në vitin 2024, shifra kaloi për herë të parë pragun e 1 mijë personave.Sipas raportit të INSTAT “Statistikat e krimeve dhe drejtësisë penale 2022-2024”, gjatë vitit 2024 u evidentuan 1,020 shtetas të huaj të dyshuar, nga 737 në vitin 2023 dhe 589 në vitin 2022. Kjo përkthehet në një rritje prej 38.4% brenda një viti dhe 73.2% në dy vjet.Diferenca bëhet më e dukshme kur të dhënat krahasohen me ecurinë e përgjithshme të kriminalitetit të regjistruar. Në vitin 2024, Policia evidentoi 40,057 persona të dyshuar për vepra penale, 1.4% më shumë se në vitin 2023 dhe 4.9% më shumë se në vitin 2022. Në të njëjtën periudhë, numri i të huajve të dyshuar u rrit me 73.2%.Për pasojë, është rritur edhe pesha e tyre në totalin e personave të dyshuar: nga 1.5% në vitin 2022, në 1.9% në 2023 dhe 2.5% në 2024. Me fjalë të tjera, rreth një në çdo 40 persona të dyshuar për vepra penale në Shqipëri gjatë vitit të kaluar ishte shtetas i huaj.Megjithatë, të huajt mbeten një pjesë e vogël e totalit. Nga 40,057 persona të dyshuar në vitin 2024, 39,037 ishin shtetas shqiptarë dhe 1,020 shtetas të huaj.Nga trafiku rrugor te droga dhe mashtrimet
Të dhënat e detajuara të INSTAT tregojnë se të huajt e dyshuar shfaqen në disa kategori kryesore të veprave penale. Numrin më të lartë ndër kategoritë e veçuara e kanë shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor, me 132 persona në vitin 2024, nga 110 në 2023 dhe vetëm 48 në 2022.
Pas tyre vijnë krimet në fushën e drogës, ku numri i shtetasve të huaj të dyshuar arriti në 110, kundrejt 79 një vit më parë dhe 56 në vitin 2022.Edhe te mashtrimet tendenca është në rritje: 53 të huaj të dyshuar në 2024, nga 39 në 2023 dhe 23 në 2022. Për vjedhjet, numri u rrit nga 21 në 2022 në 43 në vitin 2024.Rritja shfaqet edhe te krimet kibernetike. Në vitin 2024 u evidentuan 35 shtetas të huaj të dyshuar, kundrejt 22 në vitin 2023.Edhe te pastrimi i parave numri është rritur, ndonëse mbetet relativisht i vogël: nga 4 shtetas të huaj në vitin 2022 në 14 në 2024.





















